Pasuria arkeologjike
është vërtet në rrezik

Pasuria arkeologjike<br />është vërtet në rrezik
TIRANE- Vëllimin e parë të “gjerdanitshkruar nga Profesori i Asociuar, Gjergj Frashëri,  titulluar Pasuria arkeologjike në rrezik, pata fatin ta kem në duar të porsa dalë nga shtypi. Është shkruar në mënyrë të shkëlqyer, nga kolegu Frashëri dhe realizuar me profesionalizëm nga shtëpia botuese “Dituria”. Është një botim ndryshe, ndoshta nga të parët e këtij tipi në fushën e arkeologjisë dhe atë të trashëgimisë kulturore.  Zakonisht për këto disiplina (arkeologji e konservim) jemi mësuar të shfletojmë  botime shkencore në trajtën e artikujve apo monografive, dhe më gjerë për fushën e trashëgimisë kulturore shpesh konsultojmë apo shkruajmë raporte serioze të tipit letërsi administrative. E kam fjalën kryesisht për raportet e studimet e mbështetur nga organizma kombëtarë e ndërkombëtare, por ku nuk gjejmë një panoramë të realitetit apo gjendjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, ashtu siç ajo paraqitet në të vërtetë.

Kësisoj nuk na ka rënë në dorë një botim i tillë si ky që po promovojmë sot, ku për here të parë shkoqur hidhet dritë qartazi e prerazi mbi problemet që kalon trashëgimia jonë kulturore dhe arkeologjia shqiptare në veçanti. Në parathënie, ku njihemi me “parcour”-in e formimit akademik të Prof. As. Dr. Gjergj Frashërit, mësojmë se autori që në fillimet e jetës së tij profesionale e shkencore i harmonizon punët  si arkeolog, historian e restaurator (i referohem këtu z.Frashëri) me synimin që vlerat kulturore të vihen në shërbim të qëllimeve muzeore dhe turistike, por që shumë herët. Institucionet ku ai thellon studimet e tij janë nga më prestigjiozet, si p.sh. në Gjermani, vite me radhë, përkatësisht në Institutin  e Historisë dhe Kulturës së Lindjes së Afërme, në Universitetin e Mynihut dhe në Seminarin e Historisë së Artit Oriental, në Universitetin e Bonit. Më pas punon pa ndërprerje në fushën e gërmimeve arkeologjike të shpëtimit dhe konservimet duke realizuar në përfundim të tyre  botimet studimore të mirëfillta shkencore, nëpërmjet institucionit të tij privat në disa qendra si Këln, Ahen dhe Berlin. Plot përvojë e i sprovuar  mirë në fushën e vështirë të arkeologjisë preventive, Gjergji rikthehet vullnetarisht të kontribuojë këtu në vend duke vënë në jetë praktikat evropiane në fushën e gërmimeve të shpëtimit.

Në këtë botim, në pjesën e parë, me përpikmëri e saktësi, autori përmbledh burimet dhe rezultatet e gërmimeve arkeologjike në 100 vitet e shtetit shqiptar, periodizon historikun e tyre, duke filluar nga udhëtarët dhe arkeologët e huaj, duke vazhduar më tej me vitet 1920-1944, me marrëveshjet koncensionare, me misionet italiane e franceze, me themelimin e arkeologjisë shqiptare 1944-1960, me ngritjen e Shkollës Arkeologjike Shqiptare deri në vitin 1991. Më pas ndjekin kontributet e hartuara në bazë temash të veçanta, filli bashkues i secilave konsiston ne një  analizë të hollësishme të shkaqeve të dëmtimit të trashëgimisë kulturore, duke filluar nga vitit 1991 e deri sot, në disa nga sitet arkeologjike dhe qendrat historike më të kërcënuara të vendit.
 
Frashëri propozon rrugëdaljet nga rreziku
 
Pasi lexon shkrimet e Gjergjit, lajmet, emisionet, konferencat, përfundimet, herë- herë të përcipta në lidhje me trashëgiminë kulturore shqiptare, sikur vijnë e qartësohen para lexuesit. Si kolegët e mi edhe unë, kur kemi rastin të ftohemi në konferenca, biseda televizive  shprehim shqetësimin se thelbi i problemit s’doli, sepse pyetjet ishin  konceptuar mirë apo në ndonjë rast tjetër tubimi ishte tejet akademik. E ndonëse  problemet e përditshme që hasen në fushën e administrimit të trashëgimisë kulturore janë prezentë mbetemi si pa zgjidhje! Këtë qartësim e ka arritur kolegu ynë Frashëri i cili me rigorozitetin që e karakterizon, rendit në këtë vëllim, shkaqet dhe pasojat duke propozuar njëherazi dhe rrugëdalje nga problemet.

Autori prej kohësh ndjek nga afër zhvillimet në fushën e trashëgimisë kulturore, debaton reformën e propozuar për centralizim e kthim prapa. Konstaton të gjitha rastet ku interesat e zhvilluesve nuk arrijnë dot të harmonizohen me ato të ruajtjes dhe mbrojtjes nga strukturat shtetërore duke shkaktuar gjendje kaotike në peizazhet urbane të qyteteve tona si Durrësi, Kruja, Berati, Elbasani. Rast pas rasti, autori arrin të përpilojë e ndërtojë hartën e shkatërrimit duke evidentuar njëherazi edhe arsyet pa kursyer edhe dëmtuesit, por duke propozuar edhe hapat që duhen ndjekur për daljen nga kjo situate.

Disa zëra, qëndrime, shkrime e penë si kjo e autorit, të bashkuara do të kishin parandaluar ose mënjanuar disa nga shkatërrimet e thesarit historik që konsiderohet nga autori si thesar ekonomik për vendin. E unë nuk po zgjatem më tepër, pasi në kësi rastesh, është mirë të mos tregohet brendia përndryshe, kureshtja dhe kënaqësia që do të përftoheshin nga leximi i origjinalit do të veniteshin disi, po largohem duke ju uruar një lexim të mbarë të këtij rrëfimi në trajtën e studimit, kritikës, reformës, të shkruar me penën e arkeologut historianit dhe eruditit.

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)