Pata: Tërmeti politik që erdhi nga Berlini pas votimit për negociatat dhe situata kaotike brenda opozitës

Pata: Tërmeti politik që erdhi nga Berlini pas votimit për negociatat dhe situata kaotike brenda opozitës

Një skenar me plot gojë surrealist po qarkullon në ambjentin e opozitës shqiptare disapolare, që normalisht vuan nga mungesa e një koordinimi apo lidershipi real

Që prej vendimit të mbrëmshëm të Bundestagut gjerman për të hapur negociatat për pranimin në BE për Shqipërinë (me kushte), ka plasur një kaos i madh në mjedisin opozitar, sa duket se ka rënë një tërmet i madh i shkallës mbi 5.8 Righter, që sipas gjasave ka shkaktuar dëme të dukshme ambjentale.

Lulzim Basha, lideri zyrtar i PD-së dhe normalisht shefi i opozitës, e quajti fitore vendimin e Bundestagut, duke e cilësuar si dështim të qeverisë, që ka muaj që lobon për këtë vendim.

Petrit Vasili, numri dy i LSI-së, partia e dytë e opozitës, poston një lajm të Lad Lames në Klan Plus, sipas të cilit, Holanda nuk është e bindur për të hapur negociatat dhe e konsideron këtë një fitore të opozitës.

Mbështetës të Bashës janë aq entuziastë nga deklarata e Ambasadës amerikane, që e cilësojnë vendimin e kreut të PD për t’u ulur në tryezë me mazhorancës si një qëndrim prej udhëheqësi, sa e shpërndajnë masivisht në rrjete sociale.

Por edhe pse mori këtë mbështetje nga SHBA, Basha u mërzit dhe iku nga tavolina, duke e kthyer tryezën në një mexhllis i ndërprerë në mes.

Ylli Manjani, ish-ministër i LSI-së dhe mbështetës i vijës së ashpër të veprimit opozitar, e godet aq fort uljen në tryezë, sa e quan të padobishëm dhe një lloj tradhtie.

Në këtë atmosferë, mbështetës të Bashës kanë nisur të thumbojnë në rrjete sociale presidentin, Meta duke ironizuar një foto të tij pranë një kopshti të mbjellë me domate.

Ndërkohë, vetë presidenti, mbështetës të Metës e Berishës po shpërndajnë që në mëngjes një poster deklaratë të presidentit Trump, ku i thuret lavde “sovranizmit” kundër ndërhyrjes ndërkombëtare, e kjo  bën mu që e kanë me ndërkombëtarët, përkatësisht me amerikanët, që një ditë më parë deklamuan se “ditë të mira do të vijnë për shqiptarët pasi kasta politike e korruptuar do të jetë nën akuzë”.

Kryemadhi duke sfiduar radikalët në shtëpinë e vet flet për një vullnet për marrëveshje edhe pa pyetur Lulzim Bashën, kurse opozita e re është më e qarta, pasi ata nuk pranojnë që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet pa vullnetin e deputetëtve të opozitës në Kuvend.

Si për t’i dërguar një sinjal edhe Myslim Murrizit, që flet për “fejesë”, Basha nxjerr Ivi Kason që flet për vullnet politik për të mos e ndryshuar sistemin aktual politik, pra që krerët e partive janë të plotfuqishëm në zgjedhjen e deputetëve.

Kurse aleatët e vegjël të PD-së, si Mediu, Duka, Ndoka e Shehi duan vetëm një marrëveshje që t’i rikthejë në Parlament, pa të bëhet si të bëhet.

Një atmosferë tipike tallava alla Mandi i Nish Tullës, ku refreni s’ka shumë, ose fare lidhje me strofat e para, të mesit dhe fundit të këngës.

Çfarë qëndrimi zyrtar ka opozita nëse hapen negociatat? Po nëse nuk hapen si pasojë e një vote kundër të vendeve si Greqia, Holanda apo edhe Franca? Po për krizën zgjedhore? Apo çe do!

Si duket akoma presin fjalën e dytë të atij sinoptikanit grek që të paralajmërojë një qamet të ri, që ndoshta do të sjellë në vete e qetësojë gjithë këtë kaos që e solli tërmeti politik që erdhi nga Berlini mbërëmë në darkë…TemA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit