Patriarku Irinej i Kishës Ortodokse Serbe ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe është shtuar në një spital special në Beograd, njoftoi Kisha Ortodokse Serbe.
"Shenjtëria e Tij Patriarku Irinej i Serbisë nuk ka shfaqur ende asnjë simptomë dhe është në gjendje të mirë", thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Serbe.
Ndërkohë që analisti kosovar Enver Robelli, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka theksuar se patriarku ka qenë i pranishëm në fundjavë në ceremoninë mortore të peshkopit malazez Amfilohije në Malin e Zi, i cili ndërroi jetë për shkak të koronavirusit. Qindra besimtarë puthën kufomën e kishtarit dhe ceremonia u drejtua nga patriarku serb-ortodoks Irinej.
Patriarku ka një rol ndikues në Serbi, ku 85 për qind e popullsisë deklaron se është ortodokse. Shumë serbë e dëgjojnë zërin e Kishës për çështje shoqërore dhe politike.
Patriarku Irinej i Kishës Ortodokse Serbe është deklaruar hapur kundër çështjes së Kosovës, ku vazhdimisht ka premtuar se do të përkrahë pretendimet territoriale të Serbisë për Kosovën.
"Pa Kosovën Serbia nuk ka zemër dhe shpirt", shprehej Patriarku në vitin 2010 kur mori detyrën duke zëvendësuar Patriarkun Pavle, i cili vdiq nëntorin e 2009-ës.
Irenij është patriarku i 45-të i një prej Kishave më të vjetra Ortodokse në botë.
Komente




