Provokim nga grupe të paguara e quajti kreu i PD Sali Berisha përplasjen para selisë blu mes mbështetësve të tij dhe protestuesve që marshonin nga parlamenti drejt kryeministrisë, pas përfundimit të seancës plenare mbrëmjen e së enjtes.

"Ai ishte një akt, një provokacion i vogël, por ne kemi thënë dhe unë prapë u them demokratëve se gjethet, degëzat nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste rinore qytetare. Natyrisht thirrjet, përpjekja për të krahasuar Ramën me Berishën, janë që të gjitha, lidhen me opozitën e opozitës, vegël e qeverisë. Janë dhe të disa individëve, grupeve të vogla të paguara nga armiku i përjetshëm i saj i lirisë Xhorxh Soros dhe fondacioni i tij", tha Berisha. 

Kryedemokrati thotë se simpatizantët e tij i mbështesin të gjitha kërkesat që kanë artikuluar në protestë qytetarët.

"Kanë largimin e menjëhershëm të Edi Ramës. Kanë anulimin e ligjeve të mbrojtjes së mjedisit, të zonave të mbrojtura dhe korporatës së investimeve strategjike, kundër të cilave Partia Demokratike ka luftuar me vendosmërinë më të madhe në komisionet parlamentare, në parlament dhe në gjykatë", vijoi Berisha. 

Lidhur me kërkesat e protestuesve, PD depozitoi sot zyrtarisht në Kuvend kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama.

Kreu i qeverisë shkoi mbrëmë në Kuvend për të votuar amnistinë penale, por kur mbërriti, opozita bojkotoi Kuvendin. Berisha sqaroi sot se "nuk jemi kurrë dakord me një proces të përvitshëm". Ai deklaroi se në amnistinë e mëparshme ata kishin bashkuar votat me PS-në por sipas tij Rama ishte treguar i pabesë duke përfshirë edhe njerëz të dënuar për korrupsiuon.