Tirane- Partia Demokratike ka nisur aksionin opozitar si kundërpërgjigje ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar mbrëmë një mesazh deputetëve të grupit duke i lajmëruar se në komisionin e integrimit do të shkojnë vetëm Jorida Tabaku dhe Edi Paloka për të dhënë deklaratën për mbështetjen e integrimit dhe komisionet e tjera do të bojkotohen.
Ndërkohë çfarë do të ndodhë në vijim dhe për seancën do vendoset në orën 15:00, informon gazetarja e Shqiptarja.com Danjela Maloku.
Mesazhi i Gazment Bardhit
"Të nderuar kolegë,
Nesër nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentar, me përjashtim të Palokës dhe Joridës që me porosi të Kryetarit të Partisë që do të jenë tek integrimi për të shprehur qëndrimin e PD për hapjen e negociatave me BE.
Ndërkohë rikujtesë për mbledhjen e Grupit Parlamentar nesër në seli në orën 15:00"
Ju faleminderit!
Konkretisht nuk do të marrin pjesë në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. U bojkotua dhe Komisioni hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të check-up në Shëndetësi.
Lajmi ne perditesim...
Tiranë-Pas largimit nga Komisioni Integrimit mëngjesin e sotëm, deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur dhe Komisionin Hetimor të Shëndetësisë.
Lajmi është bërë i ditur nga nën/Kryetari i Komisionit Plarent Ndreca i cili informoi në nisje të mbledhjes se deputetët e opozitës nuk janë prezentë gjatë zhvillimit të seancës së radhës.
Përfaqësuesit e mazhorancës kanë njoftuar se do ta vijojnë mbledhjen e Komisionit në orën 13:00 për të pyetur dëshmitarët e radhës, pasi dy dëshmimtarët e parë Mihal Tase dhe Myfrat Barbullushi nuk janë paraqitur.
Në seancën e Komisionit ka munguar dhe mjeku i njohur Mentor Petrela, i cili ishte dëshmitari i orës 13:00. Në orën 16:00, pritet të vijë Arben Beqiri i cili ka deklaruar marrjen e kërkesës për të dëshmuar.
Sipas Ndrecës dy dëshmimtarët nuk janë paraqitur për shkak se shkresa e thirrjes nuk e ka pasur adresën e saktë, por kjo ende nuk është qartë duke qenë se mendohet se dhe nuk mund të jenë të informuar nga Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi.
Opozita ka vendosur të braktisë jetën parlamentar pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji për kallëzim të rremë. Salianji u vetëdorëzuar pasditen e së shtunës në Policinë e Tiranës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Salianji do ta vuajë dënimin e tij në burgun e Fierit.