Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka kërkuar deputetëve, pjesë të komisionit hetimor “Tahiri” që të intensifikojnë punën lidhur me mbledhjen e informacioneve për akuzat ndaj ish-ministrit Tahiri.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, këtë të hënë, fokusi është vendosur tek lënia e mandatit nga ana e deputetit Saimir Tahiri. Është mësuar që Basha të jetë shprehur se dorëzimi i mandatit nga ana e Saimir Tahirit është vetëm një farsë dhe se prapa kësaj qëndron vetë kryeministri Edi Rama.

Ai gjithashtu ka theksuar se prokuroria është e kapur dhe Tahiri nuk ka frikë.

Ndërkaq, një tjetër çështje e përmendur në këtë mbledhje janë zgjedhjet e brendshme. Sipas porosive të kryetarit të PD, procesi duhet të nisë nga java e ardhshme për krerët e grupseksioneve.

Sa i përket komisioneve parlamentare, qëndrimi i demokratëve nuk do të ndryshojë. Deputetët e Partisë Demokratike do të jenë vetëm në ato komisione që ata do i vlerësojnë të rëndësishme.