Prej muajsh një pjesë e mirë e analistëve tejet kritikë ndaj qeverisë kanë artikuluar një tezë që në dukje është pragmatiste: dëshirat e figurave të reja brenda PD-së, si Ervin Salianji  apo të tjerë, për të garuar dhe për të marrë drejtimin e partisë janë legjitime, por të kota. Sipas tyre, kjo për faktin se historikisht, që nga themelimi mbi 30 vite më parë, PD ka funksionuar si një strukturë e personalizuar rreth Berishës. Në këtë logjikë, çdo përpjekje për garë të brendshme konsiderohet e destinuar të dështojë, pra e pajustifikuar.

Nëse pranohet si e mirëqenë ideja se Partia Demokratike është pronë e Sali Berishës, atëherë, në mënyrë të pashmangshme, pranohet edhe një realitet tjetër: Shqipëria mbetet de facto nën kontrollin politik të Edi Ramës. Ky është një ekuacion i thjeshtë, por me pasoja të rënda për pluralizmin, demokracinë dhe të ardhmen politike të vendit.

Pra, këtu kemi një problemi thelbësor: nëse kjo tezë pranohet pa kundërshtim, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një analizë pesimiste. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një dorëzim edhe intelektual edhe politik. Sepse të pranosh që një parti kryesore opozitare është pronë e një individi, do të thotë të pranosh se nuk ka alternativë reale pushteti. Dhe nëse nuk ka alternativë reale, atëherë pushteti aktual nuk sfidohet – ai vetëm sa konsolidohet.

Kjo është arsyeja pse pranimi i “PD-së së Berishës” si normalitet është në të vërtetë pranimi i “Shqipërisë së Ramës” si fatalitet.

Argumenti bëhet edhe më i fortë në kontekstin aktual. Berisha është tashmë një figurë e konsumuar dhe kontestuar jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht. Statusi i tij si “non grata” dhe izolimi nga faktorët kryesorë ndërkombëtarë nuk janë thjesht etiketa politike, por barriera faktike për rikthimin e tij në pushtet. Themi kështu sepse është e vërtetë që qeveria është akuzuar për abuzime zgjedhore, veçanërisht në zonat periferike, ku varfëria dhe faktorë të tjerë rural e bëjnë votën më të manipulueshme. Por, është po aq e vërtetë që Berisha dhe modeli i tij politik nuk kanë arritur të fitojnë as në bastionet e mëparshme urbane, aty ku vota konsiderohet më e lirë dhe më e ndërgjegjshme.

Kjo tregon se problemi nuk është vetëm manipulimi, por edhe mungesa e besimit. Dhe kur opozita nuk prodhon besim, rotacioni politik shndërrohet në një iluzion, apo më thjesht një rrotë që rrotullohet pa prodhuar ndryshim.

Në këtë situatë, faktori ndërkombëtar luan një rol vendimtar, por jo domosdoshmërisht në favor të ndryshimit. Në një botë gjithnjë e më të tensionuar, ku konfliktet gjeopolitike dhe pasiguria globale dominojnë agjendën, vendet e vogla si Shqipëria trajtohen përmes prizmit të stabilitetit. Dhe në këtë prizëm, Rama shihet si një aktor i besueshëm. Kjo sepse ai ka garantuar një nivel stabiliteti të brendshëm dhe ka qenë i linjëzuar me interesat perëndimore në rajon dhe më gjerë.

Kjo qasje nuk është e rastësishme. Në periudha tensionesh, krizash apo konfliktesh globale janë teoritë realiste që shpjegojnë mardhëniet ndërkombëtare, ku stabiliteti dhe siguria prevalojnë ndaj demokracisë dhe standarteve liberale. Në këtë kontekst, faktori ndërkombëtar nuk ka shumë interes për të investuar në ndërtimin e një opozite të re dhe të panjollosur.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi shqiptar: duke mos sfiduar Berishën brenda PD-së, dhe duke mos ndërtuar një alternativë reale opozitare, politika shqiptare i jep Ramës atë që ai ka më shumë nevojë – mungesën e rrezikut. E thënë më qartë, nëse opozita mbetet e kapur nga e shkuara, qeveria mbetet e sigurt për të ardhmen. Prandaj, është e patolerueshme të pranohet si fakt i mirëqenë se Berisha e ka pronë PD-në. Berisha nuk është thjesht një figurë e kontestuar. Ai është kthyer në simbolin më të qartë të pamundësisë së opozitës për t’u rinovuar. Ai nuk po lufton për të fituar kundër Edi Ramës, por për të mos lejuar askënd tjetër të sfidojë Ramën. Në këtë kuptim, Berisha është shndërruar paradoksalisht në aleatin më të fortë të pushtetit që pretendon se kundërshton. Sa më gjatë të qëndrojë ai në krye të PD-së, aq më e sigurt bëhet fitorja e Ramës — jo për shkak të forcës së qeverisë, por për shkak të dobësisë së qëllimshme të opozitës.

Një opozitë që nuk lufton për të qenë alternativë, nuk është opozitë – është justifikim për pushtetin.

Ky është provokimi që duhet të shpalosë çdo analizë serioze sot: a po e pranon shoqëria jonë që politika shqiptare të reduktohet në një duel të konsumuar, ku njëra palë nuk mund të fitojë dhe tjetra nuk ka pse të ndryshojë? Nëse përgjigjja është po, atëherë problemi nuk është më as Berisha dhe as Rama. Problemi jemi ne.