Në 22 Mars ‘92 me mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe me vullnetin e një populli të vendosur për t’u shkëputur nga e kaluara, Partia Demokratike u shndërrua në motorin e ndryshimit dhe në zërin më të fuqishëm të aspiratave qytetare. Ishte dita kur shpresa, guximi dhe bindja se politika mund tu shërbente qytetarëve u bënë forcë reale.
Sot, pas 34 vitesh kjo shpresë duket e shuar. Partia Demokratike nuk është thjesht në një krizë të zakonshme, ajo është në një krizë identitare, strukturore dhe historike. Humbjet dhe përçarjet janë vetëm simptoma. Shkaku themelor është paaftësia për t’u shkëputur nga e shkuara dhe për të ringritur veten si një forcë politike moderne.
Ajo nuk ka më një identitet të qartë. Nuk dihet nëse është një forcë konservatore, një parti proteste apo thjesht një strukturë që mban gjallë një trashëgimi të shteruar politike. Historia e saj nuk shërben më si kapital, por si pengesë.
Figura dhe konfliktet e së kaluarës duke filluar nga Sali Berisha e duke vijuar me një grup amorf parlamentar dominojnë të tashmen, bllokojnë e pengojnë çdo rinovim. Debati i brendshëm është reduktuar në debate për individë dhe jo për ide, dhe meritokracia është zëvendësuar nga besnikëria, duke larguar talentet dhe duke dobësuar kapitalin njerëzor.
Lidhja me shoqërinë është dëmtuar. Roli i saj si opozitë alternative është i mangët. E shkuara është kthyer në standard të vetëm legjitimiteti, mjet kontrolli dhe arsye për të mos ndryshuar.
Pa një shkëputje reale nga e shkuara, Partia Demokratike ka hequr dorë nga e ardhmja.
Me keqardhje dhe me forcë e kam thënë për vite me radhë se Partia Demokratike ka humbur çdo aftësi për tu ripërtërirë, për të krijuar një mjedis politik fertil ku realisht të përballen ide, platforma, apo vizione të reja, të vlerësohet puna, aftësitë, merita, kontributi, integriteti dhe koherenca, si të vetmet mjete që mund të çlirojnë energjinë e duhur dhe t’i japin shansin kësaj force politike të jetë përfaqësuese e vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare. Mbi të gjitha Partia Demokratike ka humbur aftësinë për të imagjinuar të ardhmen dhe ekzistencën e saj përtej Sali Berishës.
Sot, Partia Demokratike ka vetëm dy rrugë përpara:
- Ose të rizgjedhë Sali Berishën kryetar dhe të ecë në kilometrin e fundit drejt varrit të saj politik, drejt izolimit, zvoglimit dhe shpërbërjes. Një rrugë e lehtë, që i siguron Berishës të mbajë veten e ca deputetë në tepsinë e “ pushtetit opozitar”, por fatale për opozitën dhe të ardhmen e vendit.
- Ose PD të rikthehet në qëllimin dhe misionin e saj politik, një rrugë sfiduese, me kriza dhe përballje të reja, por e vetmja që mund ta shpëtojë dhe ta bëjë sërish një alternativë reale për qytetarët. Përmes përballjes me të shkuarën dhe ndërtimit të një vizioni të qartë dhe të fortë, PD mund të kthehet në një forcë që frymëzon, udhëheq dhe bashkon. E ardhmja e saj nuk është thjesht një shans, është e vetmja mundësi për të bërë ndryshimin që vendi ka nevojë dhe për të mundur Edi Ramën.
22 Marsi do të mbetet një ditë që do të na dëshmojë se si Partia Demokratike nuk do të jetë më kurrë një alternativë e besueshme me Sali Berishën në krye, sepse rruga drejt shpëtimit të saj nuk kalon nga i njëjti emër që po e fundos dhe asfikson krijesën më të bukur që lindi zemra e kombi të etur për liri, drejtësi dhe demokraci.
Komente












