“Partia Demokratike është kthyer në parti të Sali Berishës dhe nuk ka më as alternativë, as mendim ndryshe”. Ky ishte konkluzioni i debatit në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku u diskutua kriza e lidershipit në PD.

Analisti Fatmir Merkoçi kritikoi mënyrën se si funksionon PD si një strukturë e kontrolluar nga një figurë e vetme.

“PD udhëhiqet nga ‘uni’. Të gjithë të tjerët përsërisin çfarë thotë Berisha dhe nuk kanë kundërshti. Brenda PD-së nuk ka faksione që të ketë përplasje mendimesh e alternativa që të nxjerrin kandidatë. A mund të riformatohet partia brenda një guacke?”, tha ai.

Ai shtoi më tej se mungon edhe baza politike dhe vizioni, duke theksuar se zgjedhjet për kryetarin nuk do të sjellin asgjë të re.

“Kandidatët e rinj s’kanë ide politike si drejtohet partia. Ata s’kanë platformë, as bindje dhe as ide si funksionojnë partitë e djathta. PD nuk ka asnjë alternativë. Vetë baza e partisë nuk ka kurajo dhe maturi që të nxjerrë kandidatë. Ku është reforma, ku është e djathta? Asgjë e re s’do ketë me këto zgjedhje”, tha ai.

Duke folur për mënyrën si ndërtohen karrierat politike brenda PD-së, Merkoçi solli në vëmendje edhe rastin e Jozefina Topallit, si shembull i vendimmarrjes së përqendruar dhe pa debat.

“Këta duhet të jesh deputet, anëtar kryesie, të të ketë bërë Berisha dhe vetëm pastaj vlen. Ata që janë në PD, para se të bëhen deputetë, nuk i ka njohur as komshiu. Kanë qenë anonimë, janë marrë nga rruga dhe janë sjellë. A e ka hapur njeri gojën pse u vu Jozefina Topalli anëtare e kryesisë dhe deputete? Ajo kishte parti tjetër, ti e solle te PD. Të gjithë krijuan parti dhe prapë u bënë anëtarë të PD. Unë s’e di pse i bëjnë zgjedhjet. Ato zgjedhje s’kanë nevojë të bëhen nëse ke vizion, por ata s’kanë as vizion. Kur nuk ke konceptin e politikës, nuk mund të bësh politikë”, tha Merkoçi.

Në të njëjtën linjë kritike, edhe Hamdi Skeja theksoi se PD duhej të ishte riformatuar që pas vitit 2013, ndërsa kritikoi ashpër emrat që po dalin në skenë.

“Duhej të ishte riformatuar që pas vitit 2013. Sot po shohim pasojat. Ajo që më ka çuditur më shumë është se kanë dalë disa emra qesharakë që dalin në skenë për të marrë PD-në. Është e turpshme. Ku ishte PD dhe të bjerë në dorë të Evi Kokalarit apo asaj vajzës tjetër Alessia Balliu. PD ka 1 milion probleme. Ka mbajtur lloj-lloj llumi brenda saj, por tani është e turpshme që të lejojmë futjen e llumit në PD”, tha ai.

Skeja u ndal edhe te figura e Ervin Salianjit, për të cilin tha se është një politikan i ri dhe i kompletuar, por ngriti pikëpyetje për rolin e tij aktual.

“Jam mes Berishës dhe Salianjit. Por ajo që dua të di është nëse Salianji po bën politikë apo lojë?”, tha Skeja.

Ndërsa Merkoçi e hodhi poshtë edhe Salianjin si alternativë, duke theksuar:

“PD ka humbur historinë e saj, ka identifikuar veten me Berishën. Çfarë ka bërë Salianji? Pse u kujtua sot? Ai ka qenë deputet. S’ka bërë asgjë, s’ka ndërtuar as kauzë dhe s’ka hedhur as alternativë”, tha Merkoçi.

Në përfundim të emisionit, analistët ranë dakord se Partia Demokratike ka humbur identitetin si forcë e djathtë dhe mbetet e lidhur ngushtë me figurën e Berishës, pa një alternativë dhe pa një vizion të qartë për të ardhmen.