Kryedemokrati Sali Berisha është përballur me një situatë disi të pakëndshme, gjatë takimit që zhvilloi me militantët në Vlorë.
Kryetari i Ballit Kombëtar dega Vlorë, Ritvan Mersini, e vendosi në vështirësi Berishën, kur tha se PD është përgjegjëse për mos-dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist.
Po ashtu, Mersini i kërkoi llogari Berishës se përse gjatë kohës që ishte kryeministër, nuk ndërtoi në Vlorë një muze për krimet e komunizmit.
“Jam Ritvan Mersini, kryetar i Ballit Kombëtar dega Vlorë. Doktor çfarë do u premtoni shtresës së të përndjekurve politikë? Vajtën 36 vite dhe kemi marrë tre këste. Nuk e presim për lëmosh. Po u ikën jeta dhe nuk po dëmshpërblehen. Për këtë PD ka pjesën e vet të përgjegjësisë. Dua një përgjigje të sinqertë. Çfarë bëhet me pronën private, paketën e Maleve dhe ligjin e zonave të mbrojtura? Ai ligji ‘Shqipëria 1 euro’ do i kishte kompensuar të gjithë pronarët po të ishte në rrugën e mbarë. Pronarët sot po vuajnë për të marrë pronën e tyre. Pse nuk keni bërë një muze apo një memorial për krimet e komunizmit në Vlorë dhe për të gjithë ata që sot janë martirë që nuk u dimë varret? Sepse në pjesën e historisë izraelitët nuk kanë kontribut sa ka shtresa jonë. Ata kanë pjesën e tyre dhe ne i kemi respektuar me një lagje me emrin e tyre”, tha Mersini.
Ndërkohë në përgjigjen e tij, Berisha pranoi fajin për mos-dëmshpërblimin në kohë të ish-të përndjekurve politikë, por shtoi se nëse PD në vitin 2013 do të vinte në pushtet, likuidimi do të ishte realizuar.
“Të përndjekurve politikë u premtojmë dëmshpërblimin e plotë e total brenda 4 viteve. Ke të drejtë kur thua se edhe PD kishte kusuret e veta. Vetëm se pas nënshkrimit të marrëveshjes me ju, pasi vendosëm që dita e burgut të dëmshpërblehet me rreth 19 dollarë në atë kohë, ne në mandatin 2013-2017 nëse do të votoheshim, do të shlyenim gjithë detyrimet. Ka pasur mungesë dokumentacioni nga ana e të përndjekurve”, tha mes të tjerash Berisha.









Komente
Komento