Partia Demokratike ka denoncuar këtë të martë, atë që e quan tentativë të mazhorancës për t’i grabitur një numërues në zgjedhjet e ardhshme.
Sekretari për Çështjet Ligjore pranë Partisë Demokratike, Ivi Kaso tha se në një përgjigje që i ka kthyer interesimit të KQZ për rreshtimin e partive në Kuvend, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali e ka renditur Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit, si formacion opozitar dhe jo si formacion i koalicionit qeverisës.
Sipas Kasos, qytetarët e dinë se me kë është rreshtuar Tom Doshi që nga Tirana dhe deri në Shkodër, që nga 2011-a e deri në 2025-ën.
“Qëllimi është për të grabitur një numërues të opozitës në zgjedhjet e ardhshme dhe për t’ia kaluar Doshit, i cili do të hiqet si e parti e opozitës, por do të militojë, numërojë e zhvatë për mazhorancën e NarkoRamës”, tha Kaso.
Në një grup numërimi me 4 anëtarë sipas Kodit Zgjedhor 1 i takon PS-së, 1 PD-së, 1 partive opozitare parlamentare dhe 1 partive parlamentare në mazhorancë.