PD vijon përplasjen! Këshilli anuloi zgjedhjet, Basha mban takimin e fundit: Të shtunën zgjedhjet për kreun e PD, partia s’është pronë e askujt! I bashkohet Hani

TIRANË- Lulzim Basha ka zhvilluar sot takimin e fundit për zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike. Në këtë takim të fundit me demokratët, dy ditë para procesit zgjedhor, Bashës i është bashkuar edhe rivali i tij në këtë garë Gjergji Hani në një prej hoteleve në qendër të Tiranës.

Ky është takimi përmbyllës, ndërsa nesër është heshtje zgjedhore dhe me datë 29 korrik, 25 mijë demokratë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri, pasi vetë Kryesia ka deklaruar që zgjedhjet do të mbahen nesër. Takimi ka qenë me dyer të mbyllura, ndërsa ish-kreu i PD ka ndarë një postim në Facebook, ku vë theksin tek diskutimi me demokratët.

Por teksa Lulzim Basha po bëhet gati për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar vendosi shfuqizimin e vendimit për procesin zgjedhor. Palët po futen drejt një ngërçi tjetër, ndërsa grupi i Bashës nuk tërhiqet nga zgjedhjet dhe vetë ish-kryedemokrati shkruan se më 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre.

“Të shtunën me 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarët. Gjatë këtyre javëve jam takuar dhe kam biseduar me shumë demokratë, kemi folur hapur pa asnjë kufizim për gjithçka që kemi kaluar këto kohë e se si duhet të ringremë PD”, shkruan Basha.

Mes akuza të grupit Bardhi se po e përdor partinë për interesat e tij personale, Basha iu përgjigjet duke thënë se PD nuk është pronë e askujt, por demokratëve që e kanë mbrojtur edhe në momente të vështira.

"Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve. Ndonëse jemi përballur me një agresion të pandërprerë, nuk jemi mposhtur, as dorëzuar, por kemi qëndruar e qëndrojmë të vendosur për kauzat tona dhe më të vetëdijshëm se kurrë për vlerat që na bashkojnë e misionin që na thërret.

Ajo që është e rëndësishme për sot dhe të ardhmen e PD është qëndrimi i palëkundur për interesin kombëtar dhe standartet euroatlantike të demokracisë, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së ndershme në politikë, ekonomi dhe kudo. Në një lidhje të re e të pastër me të djathtën historike, me njerëzit e lirë dhe demokratë që ishin radha e parë e persekutimit komunist, me kontribuesit pas viteve ’90, me të gjithë anëtarët e partisë, qytetarët, intelektualët, gratë dhe të rinjtë, sipërmarrësit, fermerët dhe grupet e interesit, ne do të ndërtojmë alternativën më të mirë të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare”, shkruan Basha.

Ai vë sërish theksin tek propozimet e tij për lista të hapura, kufizimin e madatit të deputetëve dhe vettingun në politikë.

Aleanca Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për ta çliruar ekonominë dhe për t’i çuar përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar:

Listat e hapura;

Kufizimin e mandateve;

Votën e diasporës;

Vetting-un në politikë.

Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste.

Shqipëria i ka jetike ndryshimet në sistemin politik që mundësojnë kontrollin dhe balancën e pushteteve, transparencën dhe llogaridhënien para publikut.

Për këtë arsye:

Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;

Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;

Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;

Zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.

Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve një model që mishëron kulturën e re politike të ndërtuar mbi aktet dhe veprat e qendrestarëve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që mbrojtën me vendosmëri vlerat dhe parimet që janë në themel të forcës sonë politike.

Sot ky është një mision i ri, më i rëndësishmi që nga krijimi i kësaj partie. Me shpresë të madhe dhe dhembshuri për fatet e çdo shqiptari, me besim tek Zoti, ta nisim së bashku këtë rrugëtim për Shqipërinë", shkruan Basha.

Vendimet e Këshillit për anulimin e zgjedhjeve dhe pezullimin e funksionit të Kryesisë, e fusin Partinë Demokratike në një tjetër ngërç, pasi dy grupet brenda PD zyrtare po vijojnë me veprime të njëanshme. Grupi i Bardhit po përpiqet të pengojë Bashën që të vendoset sërish në krye të partisë, ndërsa grupi i Bashës vijon me vendosmëri rrugën për rikthimin e tij në drejtimin e PD dhe të shtunën do të mbajnë procesin zgjedhor.

Kjo përplasje mes Partisë Demokratike zyrtare nisi për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 korrik për kryetarin e ri. 7 deputetët Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Sajmir Korreshi dhe Ramadan Likaj kërkuan anulimin e zgjedhjeve dhe kjo bëri që Bardhi të thërrasë Këshillin Kombëtar. Nga ana tjetër, Kryesia e partisë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë