Afati i vettingut, PD: T'i diskutojmë me propozimet tona për ndryshimet kushtetuese! PS: S'ka kohë për të pritur! Demokratët ikin nga mbledhja, rri LSI

TIRANË- Edhe pse për t’i shkuar deri në fund propozimeve që kanë bërë për ndryshime kushtetuese kanë nevojë për votat e njëri-tjetrit kjo nuk i ka ndaluar PD-në dhe PS-në që ta nisin me sherr diskutimin e parë për këtë çështje, diskutim i lidhur me propozimin e socialistëve për zgjatjen e afateve të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Në mbledhjen përbashkët të Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionit Parlamentar të Ligjeve u debatua ashpër, pasi Partia Demokratike kërkoi që mbledhja duhet të shtyhet pasi kjo çështje duhet të diskutohet së bashku me propozimin e demokratëve për ndryshime kushtetuese. Pasi nuk morën mbështetjen e socialistëve për këtë PD braktisi mbledhjen, dhe nënkryetari demokrat Rushaj jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit e cilësoi sjelljen e socialistëve të palogjikshme.

Por nga ana e tyre socialistët që kanë kërkuar zgjatjet të afatit të KPK deri më 31 dhjetor 2024, thonë se kjo çështje nuk pret diskutimet e tjera pasi nuk ka kohë duke qenë se qershori i vitit të ardhshëm mbyll mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të vettingut.  

LSI nuk i ndoqi nga pas deputetët demokratë. Deputetja e kësaj force politike Erisa Xhixho akuzoi palët për ndryshimet e njëpasnjëshme në Kushtetutë.

Mbledhja më pas vazhdoi me debate edhe mes deputetëve socialiste, ku nuk munguan edhe kritikat si ajo e Fatmir Xhafës, i cili u shpreh kundër propozimit të deputetes Bushka që t’i drejtohet për këtë çështje edhe Komisionit të Venecias.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend propozimet për ndryshime kushtetuese që kërkojnë në thelb zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, kërkojnë ndryshime në hartën territoriale të Shqipërisë dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re.  Propozimi më i rëndësishëm i PD ka të bëjë me propozimin për veting të politikanëve. Një nismë deri diku të ngjashme me vitin 2018, që u kritikua dhe u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, duke vënë në diskutim vlerën e propozimit dhe theksuar rrezikun për shkeljen e të drejtave të themelore.

Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:31
Zgjatja e afateve të Vettingut përplas socialistët! Bushka: Të merret mendimi i 'Venecias'! Xhafaj: S'e kuptoj pse, s'më duket e arsyeshme

Për deputetja socialiste, Klotilda Bushka ka kërkuar që për zgjatjen e afateve të Vettingut, të kërkohet një opinion nga Venecia, por ka qenë kundër socialisti Fatmir Xhafaj.

Klotilda Bushka:Do ishte në të mirë të procesit që ne kët kërkonim një opinion nga 'Venecia'

Fatmir Xhafaj: Propozimi i Bushkës bie ndesh me atë që ne kemi parashikuar me mbylljen me afat në dhjetor, se Venecia mblidhet në fillim të dhjetorit, unë nuk e kuptoj pse duhet ta pyesim 'Venecia', s'ka ndryshim të rregullave të lojës, s;'është në integritetin tonë, e t'i themi 'a ta bëjmë 2 vjet apo 3 vjet', është investim i panevojshëm, vecse i kthehemi të njëjtës histori që pak muaj më para adresuam me Gjykatën Kushtetuese. Nuk më duket e arsyeshme fare. (...) Sot që ne flasim, Kushtetuta e ka zgjidhjen dhe opsionin se si duhet të veprohet kur përfundonte afati 5 vjecar i këtyre institucioneve. Nuk është thjesht një nen i vetëm dhe teknik, por është çështje e rëndësishme. Këtu varet integriteti i vetë reformës në drejtësi nga integriteti, profesionalizmi, paanshmëria dhe objektiviteti i vettingut si bazamenti i reformimit të sistemit të drejtësisë. Ne duhet të gjykojmë për këtë proces. Kjo zgjidhje që propozojmë, e konsolidon këtë proces, i garantin standardet e tij të parashikuara në Kushtetutë e ligjin përkatës por edhe të certifikuara nga Gjykata Kushtetuese, nga Komisioni i Venecias 3 herë dhe më së fundi edhe nga Gjykata e Strasburgut. Në gjykimin tim është e nevojshme një analizë të plotë të situatës aktuale. Qoftë edhe për vet kohëzgjatjen e saj. Pse 2.5 vjet, e jo 3 vjet? Duhet një analizë që të kuptojmë a po marrim vendimin e drejtë, që t’i qëndrojmë me parashikimin e ri. Mbi procesin janë hedhur shumë dritëhije. Cilët janë faktorët  e vonesës së vettingut? Pse u kalua 5 vjeՕari. Personalisht jam shumë i pakënaqur nga ritmi i punës së KPK-së dhe ONM-së në këtë proces. Cilat janë garancitë që s do vijmë prapë këtu pas 2 vjetësh e të themi a e shtyjmë prapë? 

Klotilda Bushka: Mendoj që jemi brenda afateve me kalendarin që kemi propozuar që të marrim një vendim, dhe jo vetëm për natyrën teknike, por për faktin e sugjerimeve që janë dhënë në opinionin e mëparshëm

Ora 15:21
Vijon krisja e LSI-së me PD-në, Xhixho-socialistëve në Këshillin e Legjislacionin: Jeni mësuar me opozitë false, por realiteti ka ndryshuar

Përfshirja e Ilir Metës në "Trekëndëshin e Bermudës", nga kryedemokrati Lulzim Basha ka nxjerrë në pah një marrëdhënie të krisur mes PD-së dhe LSI-së, që u reflektuar edhe sot në Këshillin e Legjislacionin. Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, duke iu drejtuar mazhorancës, lidhur me ndryshimet Kushtetuese, tha se "janë mësuar me opozitë false, por që gjërat kanë ndryshuar". 

"Ndryshimet në Kushtetutë janë bërë një praktikë rutinë, gjë që dëshmon mungesë serioziteti dhe paaftësi të klasës politike. Gjykoj se një analizë e detajuar e ecurisë së reformës do të na ndihmonte të krijonim bindje për domosdoshmerinë e ndryshimit të propozuar. Ndryshimet në kushtetute nuk mund të na vijnë papritur dhe të vihemi para faktit të kryer. Nëse ju si maxhorancë keni krijuar një bindje të caktuar për këtë ndryshim, për sa kohë duhen edhe votat e opozitës, duhet të na jepni kohën e nevojshme që edhe ne të krijojmë bindjen tonë.

Të mësuar me “fake opozitën”, me të cilën ju të maxhorancës i bëtë ndryshimet e Kushtetutës në pranverën para zgjedhjeve te 25 prillit, duhet të kuptoni se realiteti politik ka ndryshuar. Ndryshimet në kushtetutë kanë nevojë për më shumë transparencë, kanë nevojë për më shumë sinqeritet, për frymë bashkëpunimi. Padyshim edhe për praninë e mendimit të ekspertëve tanë më të mirë, e madje mendimi i konstitucionalistëve duhet të prevalojë në këtë proces", tha Xhixho. 

Ora 15:06
Opozita largohet nga mbledhja, Rushaj: Zgjatja e vettingut të diskutohet me ndryshimet kushtuese të propozuar nga ne, PS s'do! Kjo është e palogjikshme

Opozita largohet nga mbledhja e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin ku po diskutohet zgjatja e afateve të vettingut. Kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj tha jashtë Kuvendit se mazhoranca nuk do që të trajtoje së bashku ndryshimet kushtetuese të zgjatjes së afateve të vettingut dhe ndryshimet që propozon PD, por do t’i trajtojë ato veçmas.

“Meqë procedura është e tillë që kërkon caktimin e ekspertëve, të relatorëve nga të dyja palët, i propozuam të bashkohen të dyja nismat pasnesër, jo pas dy muajve, por pasnesër, në mënyrë që të diskutohen siç duhet, të harmonizuara, duke pasur efektet që mund të kenë tek njëra-tjetra dispozitat e propozuara për ndryshim, si edhe duke parasysh një kalendar të punimeve të Kuvendit, të dyja nismat ishin të harmonizuara bashkë. Se kur i mbaron rroga 14 rrogave që merren me vettingun nuk është prioritet i shqiptarëve. Ne themi jemi gati t’i diskutojmë pasnesër sa kohë diskutohen në tërësi ndryshimet kushtetuese, mazhoranca refuzon. Po propozohen ndryshimi i disa neneve i një ligji dhe ne kërkuam që pasnesër të hapet diskutimi dhe të vijohet normalisht me kalendarin, por PS do t’i diskutojë nismat e ndara, e palogjikshme”, tha Rushaj.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Debate te Konferenca/ Zhupa: Argumenti juaj s’qëndron, Kushtetuesja lejon Komisionet Hetimore! Bardhi: Në vjedhje e populizëm s’ju konkurrojmë dot

Debate te Konferenca/ Zhupa: Argumenti juaj s’qëndron, Kushtetuesja lejon Komisionet Hetimore! Bardhi: Në vjedhje e populizëm s’ju konkurrojmë dot