Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit shëndetësor kërkon zgjidhjen e kontratës me 362 farmaci që japin barna me rimbursim për pacientët si dhe ndjekjen e procedurave penale për disa prej tyre me argumentin e faturave fiktive për gati 10 barna.

Në një procesverbal dërguar në disa prej farmacive theksohet zgjidhja e kontratës pa afat. Pas këtij urdhri ka reaguar Urdhri i Farmacistëve i cili e konsideron këtë veprim si një dënim masiv kolektiv pa prova dhe që duhet tërhequr menjëherë nga drejtuesit e fondit pasi jo vetëm përfshin pothuajse të gjitha farmacitë që kanë kontakte me këtë institucion por nga ana tjetër shkakton kolaps të sistemit farmaceutik me pasoja mbi pacientët që përfitojnë barna me rimbursim.

Në deklaratën zyrtare të Urdhrit theksohet se procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme pa u mbështetur në rregulloren e kontrollit dhe për më tepër procesverbali nuk përmban firmën e titullarit.

“Pretendimi mbi ekzistencën e faturave fiktive është i pabazuar, pasi farmacitë furnizohen vetëm nga importues dhe shpërndarës të kontraktuar me Fondin. Fatura e lëshuar nga depoja, e gjeneruar dhe e regjistruar në sistemin e-depo, nuk mund të konsiderohet fiktive, pasi ky sistem nuk lejon lëshimin e faturës në mungesë të gjendjes së mallit në depo.

Farmacia nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë mundësi tekniko-ligjore për të verifikuar gjendjen fizike të barnave në depo, përgjegjësi kjo që i takon Fondit dhe strukturave të tij kontrolluese”, thotë Urdhri i Farmacistëve.

Ne deklaratë theksohet gjithashtu se kjo procedure rrezikon  furnizimin e pandërprerë të pacientëve me barna dhe stabilitetin e shërbimit farmaceutik në tërësi. Ky dënim kolektiv dhe i pabazuar në prova krijon precedent të rrezikshëm, për vazhdimin e marrëdhënies kontrakore Fond-Farmaci.

Pothuajse të gjitha farmacitë që kanë marrë këto shkresa, janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, me inventarizim fizik për barnat përkatëse, pa u konstatuar shkeljet e pretenduara. Në këto kushte, për të shmangur kolapsin me furnizimin e pacientëve me barna të rimbursueshme, që mund të vijë nga penalizimet masive apo reagimi në bllok i farmacistëve kërkojmë të ndërpritet çdo procedurë  apo veprim administrativ

Në deklarate theksohet gjithashtu se Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë është kundër çdo forme abuzimi apo përfitimi të paligjshëm nga kushdo, por nuk mund dhe nuk do të pranojë penalizime kolektive, veprime arbitrare apo kërcënime penale pa prova dhe pa procedurë ligjore, që cenojnë profesionin, farmacitë dhe interesin publik. Ndaj kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë për zgjidhjen e kësaj situate.

Reagimi i plotë

Komuniteti farmaceutik është vënë përballë një situate serioze dhe të paprecedentë, e cila ka prekur drejtpërdrejt një numër të madh farmacish të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Kjo situatë lidhet me pretendimet hipotetike të ngritura nga Fondi për ekzistencën e “faturave fiktive” të supozuara, për barnat Trimbow dhe Foster, pretendime mbi bazën e të cilave shumë kolegë janë vendosur përpara faktit të kryer, përmes shkresave paralajmëruese.

Bazuar në një urdhër të brendshëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit, është hartuar një procesverbal me 362 farmaci, për të cilat parashikohen masa ekstreme administrative dhe penale, përfshirë zgjidhjen e kontratës dhe referimin për kallëzim penal. (UFSH disponon listën me 362 emrat e farmacive, por për arsye etike profesionale nuk do e bëjmë publike).

Bazuar në informacionet që kemi, kjo procedurë po vijon edhe me rreth 10 barna të tjera, dhe përfshin pothuajse të gjitha farmacitë që kanë kontratë me Fondin. Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, e konsideron një veprim të tillë si dënim masiv kolektiv, pa prova, veprim që nëse nuk tërhiqet në kohë, do të shkaktojë kolaps të sistemit farmaceutik me pasoja mbi pacientët që marrin barna me rimbursim.

Shkresa që u është dërguar farmacive:

Nuk është në përputhje me Rregulloren Nr. 3, datë 22.10.2014, “Për procedurën dhe mënyrën e kontrollit të dhënësve të shërbimit të kontraktuar me Fondin”.

Nuk është në përputhje me Kontratën Fond – Farmaci 2024, veçanërisht nenin 11, pika 2 dhe 3, si dhe nenin 12, pika 1.

Procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme, në zyrat e Fondit, mbi bazën e një urdhri të brendshëm, pa u mbështetur në rregulloren e kontrollit.

Procesverbalet janë paragjykuese, pasi arrijnë drejtpërdrejt në konkluzione për fatura fiktive dhe propozojnë masa ekstreme, si zgjidhje kontrate dhe kallëzim penal, pa një proces të rregullt administrativ.

Farmacia kontratën e lidh me Drejtorinë Rajonale, dhe çdo komunikim i Fondit duhet të kalojë domosdoshmërisht nëpërmjet Drejtorisë Rajonale (procedurë që në rastin konkret nuk është zbatuar).

Procesverbali nuk përmban firmë të titullarit, nuk shoqërohet me shkresë përcjellëse dhe nuk është parashikuar si formë kontrolli dhe komunikimi ndërmjet palëve në marrdhënien kontraktuale.

Pretendimi mbi ekzistencën e faturave fiktive është i pabazuar, pasi farmacitë furnizohen vetëm nga importues dhe shpërndarës të kontraktuar me Fondin. Fatura e lëshuar nga depoja, e gjeneruar dhe e regjistruar në sistemin e-depo, nuk mund të konsiderohet fiktive, pasi ky sistem nuk lejon lëshimin e faturës në mungesë të gjendjes së mallit në depo.

Farmacia nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë mundësi tekniko-ligjore për të verifikuar gjendjen fizike të barnave në depo, përgjegjësi kjo që i takon Fondit dhe strukturave të tij kontrolluese.

Cënon parimet themelore të Kodit të Procedurave Administrative.

Dëmton integritetin profesional dhe reputacionin e farmacistëve, duke krijuar pasiguri, presion dhe destabilizim të funksionimit normal të farmacive.

Rrezikon furnizimin e pandërprerë të pacientëve me barna dhe stabilitetin e shërbimit farmaceutik në tërësi.

Krijon precedent të rrezikshëm, për vazhdimin e marrëdhënies kontrakore Fond -Farmaci.

Krijon problem social për rreth 700 farmacistë që punojnë në 362 farmacitë që rrezikohet tu ndërpritet kontrata.

 Ekzistojnë raste ku të njëjtët punonjës të Fondit kanë firmosur më herët akte të kontrollit fizik në farmaci, pa konstatuar shkelje, ndërsa më pas kanë firmosur procesverbalet për të njëjtat barna me pretendime për fatura fiktive.

Pothuajse të gjitha farmacitë që kanë marrë këto shkresa, janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, me inventarizim fizik për barnat përkatëse, pa u konstatuar shkeljet e pretenduara.

Në këto kushte, për të shmangur kolapsin me furnizimin e pacientëve me barna të rimbursueshme, që mund të vijë nga penalizimet masive apo reagimi në bllok i farmacistëve, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë kërkon :

 Ndërprerjen e menjëhershme të çdo procedure apo veprimi administrativ të nisur mbi bazën e këtyre procesverbaleve.

Procedurat e kontrollit të kryhen në përputhje të plotë me rregulloren dhe kontratat në fuqi, duke garantuar verifikim individual, transparencë dhe të drejtat e garantuara nga ligji, për çdo farmaci.

Garantimin se nuk do të ketë penalitete administrative apo referime penale pa prova të verifikueshme dhe pa ndjekjen e procedurave ligjore administrative.

Ndërprerjen e çdo praktike me karakter ndëshkues kolektiv dhe paragjykues.

Parandalimin e shtrirjes së kësaj praktike ndaj farmacive për barna të tjera.

Vijimin e dialogut institucional përmes një mekanizmi të qëndrueshëm bashkëpunimi midis Fondit dhe Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

 Gjatë kësaj periudhe, përveç shkresave zyrtare, me ndërmjetësimin dhe praninë e titullarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë zhvilluar edhe disa takime me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit ku është kërkuar që Fondi të tërhiqet nga procedura e pa bazuar në kontratë dhe rregullore e penalizimeve kolektive.

Deri në këtë moment, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit nuk ka pasur asnjë vendimmarrje apo veprim konkret që të adresojë shqetësimet e ngritura.

Në këto kushte jemi në pritje të ndërhyrjes së Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në cilësinë e Kryetares së Këshillit Administrativ të Fondit. Shpresojmë dhe besojmë në një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë.

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë është kundër çdo forme abuzimi apo përfitimi të paligjshëm nga kushdo, por nuk mund dhe nuk do të pranojë penalizime kolektive, veprime arbitrare apo kërcënime penale pa prova dhe pa procedurë ligjore, që cenojnë profesionin, farmacitë dhe interesin publik.

Veprimet e kryera nga ana e Fondit cënojnë rëndë figurën profesionale të farmacistit, duke e trajtuar atë apriori si subjekt abuzues, pa prova të verifikuara dhe pa një proces të rregullt ligjor. Përmes këtyre praktikave, farmacistët vendosen nën presion të vazhdueshëm administrativ dhe psikologjik, duke ushtruar aktivitetin e tyre profesional në një klimë pasigurie, frike dhe kërcënimi për pasoja ekstreme, të cilat nuk janë në përpjesëtim me mënyrën dhe bazën mbi të cilën janë ngritur pretendimet.

Në pritje të një zgjidhje të drejtë të kësaj çështje tepër sensitive, mbetemi të angazhuar për dialog institucional, por njëkohësisht të vendosur për mbrojtjen e ligjshmërisë, dinjitetit profesional dhe integritetit të çdo farmacisti.

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë