Procedohet penalisht në gjendje të lirë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi për pengim të procesit zgjedhor. Voltana Ademi bllokoi disa qendra votimi duke mos i hapur ditën e sotme, me argumentin se janë ambiente në administrim të Bashkisë së Shkodrës dhe se 30 qershori sipas saj nuk është datë zgjedhjesh. Në këto kushte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua sot të caktoje 6 qendra të reja votimi për të çuar atje materialet zgjedhore në mënyrë që qytetarët të votojnë.

Policia e Shkodrës njoftoi zyrtarisht se kryetarja Bashkisë Shkodër Voltana Ademi do të procedohet në gjendje të lirë për veprën penale të “Pengimi i zgjedhësit”, "pasi duke ushtruar funksionin dhe autoritetin e saj si kryetare e Bashkisë Shkodër, ka urdhëruar me shkrim punonjësit e kësaj bashkie të mbyllin disa Qendra e Votimi (shkolla), të cilat administrohen në pronësi të Bashkisë Shkodër, konkretisht 53 Qendrat e Votimit". Kryebashkiakja do të hetohet për veprën penale të “Pengimi i zgjedhësit” parashikuar nga neni 330/1/2 i Kodit Penal.

Në një dekalratë për mediat, kryebashkiakja Ademi tha se ka prova me video që do i dorëzojë në Prokurori. Ajo thotë se të gjitha veprimet e saj janë bazuar në dekretin e presidentit Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, dhe me një dekret tjetër caktoi 13 tetorin si datë zgjedhjesh.

"Procedimi penal nuk është i ditës së sotme. Është paralajmëruar dje në transmetim direkt nga komisarët e KQZ, nga kryeministri. prefekti, ministri i Brendshëm. që publikisht kërcënuan një kryetare bashkie në detyrë, në përputhje të funksioneve të saj. Nuk habitem nga procedimi që u njoha vetëm përmes medias. Dua të deklaroj se unë si kryetare e bashkisë, nuk kam shkelur asnjë ligj dhe kështu asnjë nga punonjësit tanë dhe asnjë qytetar i Shkodrës. Bashkia ka zbatuar vetëm kushtetutën. Kam zbatuar ligjin për vetëqeverisjen vendore", tha Ademi.

Ajo i bëri thirrje qytetarëve të përballojnë dhunën dhe presionin që sipas saj po bëhet ndaj adminsitratës publike. 

Edhe dega PD në Shkodër e ka dënuar procedimin penal që i është bërë kryebashkiakes në ikje, Voltana Ademi. Sipas PD Ademi është sjellë në përputhjes me aktin e pronësisë që i jep ligji për vetëqeverisjen vendore dhe me dekretin e presidentit Ilir Meta.

"Partia Demokratike, Dega Shkoder denoncon me forcë  aktin e turpshëm të Proçedimit Penal të bërë nga Policia e Shtetit në adresë të zonjës Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër, me objekt veprën penale “Pengim i zgjedhësit”.

Ky është një formë flagrante presioni që ushtrohet jo vetëm mbi autoritetet legjitime më të larta të qeverisjes vendore në Shkodër, por edhe kundrejt gjithë qytetarëve të saj.

Së pari, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka nxjerrë një akt plotësisht të bazuar në ligj duke qenë në përputhje me të drejtën e titullarit të pronësisë. (Ligji për vetqeverisjen vendore).

Së dyti, bazuar në dekretet e Presidentit të Republikës, (autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve), koha e zhvillimit të zgjedhjeve tani më është spostuar në një datë  tjetër.

Partia Demokratike, Dega Shkodër i bën thirrje Policisë së Shtetit që të marrë përgjegjësitë ligjore për ruajtjen e rendit dhë të qetësisë, sidomos të evidentojë dhe të dërgojë para ligjit autorët e akteve të dhunshme që kanë ndodhur kohët e fundit me pasojë dëmtimin e pronës publike si në Pallatin e Sportit, gjithashtu në disa shkolla dhe objekte në pronësi të Bashkisë Shkodër", thuhet në deklaratën e PD, Shkodër.