'Pensionet, si zgjidhen gabimet në dokumentacionin e sigurimeve'

'Pensionet, si zgjidhen gabimet në dokumentacionin e sigurimeve'

Eksperti Fadil Kepi në Report TV

Një nga ekspertët më të mirë të problematikave të pensioneve, profesor Fadil Kepi, u është përgjigjur si çdo javë pyetjeve të qytetarëve në Report TV, në emisionin “Këndi i Ekspertit” i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli.

Në këtë javë profesor Kepi ka pasyr më shumë pyetje nga qytetarët që kanë probleme me dokumentacionin e sigurimeve shoqërore, çka ai i ka sqaruar rast pas rasti se ku duhet të drejtohen dhe çfarë duhet të kenë parasysh për të zgjidhur problematikën e tyre.

Gjithashtu eksperti ka sqaruar edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me punësimin e pensionistëve si dhe problematikat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë ne vendet e Bashkimit Europian.

Na shkruan një zonjë nga Kukësi: “Në datën 20 qershor mbush moshën 55 vjeçe. Kam lindur 6 fëmijë, të cilët janë që të gjithë mbi moshën 9 vjeç. Fëmija i gjashtë, me dëshirën e të dy prindërve dhe me vendim gjykate, në moshë të mitur është birësuar nga një familje tjetër. A përfitoj unë pension si nënë me shumë fëmijë?”.

Së pari i uroj zonjës dhe familjes së saj shëndet të mirë. Nënat, të cilat kanë lindur gjashtë e më shumë fëmijë, të gjashtë i kanë rritur vetë, mbi 8 vjeç, dalin në pension me dëshirën e tyre në moshën 55 vjeçe, kur kanë 30 vite punë të siguruara gjithsej në vendin tonë, nga mosha 16 vjeçe e lart, përfshi këtu punën në ish-kooperativat bujqësore, në sektor privat, vetësigurime në bujqësi, sigurime vullnetare etj. Nëna që na ka shkruar, nuk i plotëson të tre kushtet. Moshën 55 vjeçe e plotëson. Ka lindur 6 fëmijë, por duhet që të gjashtë t’i ketë rritur vetë mbi 8 vjeç. Njërin nga fëmijët, në moshë të mitur, me dëshirën e të dy prindërve dhe me vendin gjykate, e ka birësuar një familje tjetër.

Pra në moshën 8 vjeç, ajo ka pasur 5 fëmijë sepse fëmijën e gjashtë nga mosha 3-8 vjeç e ka rritur një nënë tjetër jo nëna biologjike. Të gjitha të drejtat, që nga dita kur është birësuar, këtij fëmije i plotësohen nga familja që e ka birësuar dhe jo nga familja biologjike. Edhe nëse vjen rasti për trashëgimi pasurore, ai përfiton te familja birësuese dhe jo te familja biologjike. Ndërsa 5 fëmijët e tjerë, megjithëse janë motra e vëllezër edhe me fëmijën e gjashtë, përfitojnë nga ana ligjore, trashëgimi pasurore te nëna që i ka rritur. Për birësimin e fëmijëve në vendin tonë ka një Komitet Birësimesh. Tregohet një kujdes shumë i madh. Mund të ketë një nënë 5 fëmijë, ndërsa motra e saj nuk ka asnjë. Është krejt normale, me dëshirën e tyre por edhe me vendim gjykate që të birësohet një fëmijë. Por Komiteti Shqiptar i Birësimeve bën kujdesin e duhur.

Komiteti interesohet për gjendjen shëndetësore, ekonomike dhe mënyrën e jetesës së familjeve apo prindërve që duan të birësojnë një fëmijë. Ky komitet përbëhet nga mjekë, nga juristë, nga psikologë. Gjithashtu studiohet edhe kartela personale e fëmijës. Pastaj, pasi përgatitet dosja nga Komiteti i Birësimit, bëhet edhe ballafaqimi midis nënës dhe fëmijës në praninë e psikologes, për të parë mënyrën e komunikimit midis prindërve jobiologjikë dhe fëmijëve që do të birësohen. Komunikimi është një kulturë dhe art më vete. Ka dy karakteristika për birësimin e fëmijëve. Së pari, në vendin tonë më shumë ka kërkesa për të birësuar fëmijë se sa janë fëmijë të braktisur. Së dyti, shumica e kërkesave për birësim janë për vajzat sepse prindërit mendojnë që vajzat do t’u shërbejnë në pleqëri.

Jam nga Berati. Jam 45 vjeç. Kam punuar në Itali për 20 vjet. Dua të di nëse kontributet italiane a njihen në Shqipëri për pension?

Në Itali aktualisht dalin në pension në moshën 66 vjeç, ata që kanë 20 vjet punë të siguruara. Në çdo qytet të Italisë ka zyra ku mund të sqarohesh për hollësira të mëtejshme. Edhe në Tiranë është një zyrë ku mund të sqarohesh. Për vitet e punës që ke punuar në Itali, në moshën 66 vjeç do të marrësh pension sipas ligjeve italiane. Ende nuk ka marrëveshje për njohje reciproke të viteve të punës midis Italisë dhe Shqipërisë. Meqenëse banon në Berat, shumë mirë mund të vish në Tiranë dhe t’i drejtohesh zyrës “INAS ALBANIA”, ku mund të marrësh sqarime. Për të përfituar pension në vendin tonë, duhet të kesh 15 vite punë të siguruara, pavarësisht se ke apo nuk ke dhe sa vite pune ke në Itali.

Para se të mbushësh moshën për pension, numëroji edhe një herë vitet e punës që ka sipas librezës së punës. Nëse ke kryer shërbimin ushtarak, edhe ai quhet vjetërsi për pension. Edhe asistenca quhet vjetërsi pune. Pavarësisht se ku ke punuar, në sektor privat apo shtetëror, por që nga mosha 16 vjeç. Në rast se e plotëson moshën e pensionit dhe ke më pak se 15 vite punë, ato do të shkojnë dëm. Nëse ke në Itali 19 vite pune, nuk merr pension. Po kështu, nëse ke në Shqipëri 14 vite pune, nuk merr pension. Sqarime më të hollësishme mund të marrësh në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Berat. Ligjet e Sigurimeve Shoqërore ndryshojnë shpesh, prandaj duhet të interesohesh pranë zyrave përkatëse kompetente.

Flas nga Pogradeci. Edhe pse kam dalë në pension, për arsye të ndryshme jam ripunësuar dhe kam 5 vjet që paguaj sigurime shoqërore. Kam ndonjë lehtësi?

Atëherë, pensionin do ta marrësh dhe sa herë që rriten pensionet do të përfitosh edhe shtesat. Po kështu do të vazhdosh të marrësh edhe shpërblimin e fundvitit si të gjithë pensionistët e tjerë. Ju, meqenëse jeni në punë, merrni edhe rrogë. Kështu që jeni i detyruar që të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore sipas pagës që merrni. Në qoftë se jeni i vetëpunësuar, do të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore mbi pagën minimale që është 24.000 lekë të reja muaj. Kështu që ju merrni edhe rrogën, edhe pensionin, edhe shtesat. Ju uroj shëndet të mirë.

Flas nga Tirana. Bashkëshorti im prej dy vitesh ka dalë invalid i grupit të dytë. Ka vjetërsi pune mbi 36 vite, të shënuara në librezën e punës. Te Sigurimet Shoqërore rezulton se për një periudhë 2-vjeçare është i pasiguruar. Gjatë kësaj kohe ka punuar në një ndërmarrje private. Sigurimet Shoqërore i kanë nxjerrë 31 vite e 1 muaj punë të siguruar. Ka edhe një gabim tek emri. Si mund të veproj?

Atëherë, bashkëshorti juaj është 62 vjeç, zbresim 20, e cila është një shifër konstante dhe na del 42. Kjo shumëzohet me 3 dhe na del 126. Kjo pjesëtohet me 4. Për të marrë pension të plotë invaliditeti, burrit tuaj i duhen 31 vite e 6 muaj punë. Sigurimet Shoqërore natyrisht që i verifikojnë vitet e punës. Duhet patjetër që emri i personit të jetë i njëjtë me atë që janë paguar sigurimet shoqërore ose siç është në kartën e identitetit. Një njeri nuk mund të ketë disa emra. Ju thoni se ka edhe një ngatërresë me emrin. Unë mendoj që këtë problem ju duhet ta sqaroni me degën e kontributeve në Sigurimet Shoqërore të Tiranës.

Atje do të verifikohet patjetër. Është një problem që ndodh. Siç ndodh me femrat, të cilat fillojnë punë me mbiemrin e babait dhe dalin në pension me mbiemrin e burrit. Është po i njëjti person, por me dy mbiemra. Në të tilla raste merret certifikata e gjendjes familjare dhe aty janë të shënuar të dy mbiemrat. Ta dhashë këtë shembull, për të treguar se nuk duhet të shqetësohesh, pasi është një problem që zgjidhet. Por, duhet të shkosh te Dega e Kontributeve në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Tirana. Jam 83 vjeç. Kam dalë në KEMP para një viti, me 16 vjet e 7 muaj punë dhe pensionin që marr është 106.000 lekë të vjetra. Në fakt vij nga Përmeti dhe kam 10 vite punë në kooperativë, por që nuk ka asnjë emër. A mund të më thoni si dhe ku t’i gjej të dokumentuara këto vite?

Konsultohu me ndonjë jurist në Bashkinë e Përmetit ose me ndonjë jurist të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër. Kjo çështje zgjidhet me proces gjyqësor, me dy dëshmitarë, të cilët të vërtetojnë se ku dhe në çfarë periudhe ke punuar. Ky fenomen u ka ndodhur shumë personave dhe e kanë zgjidhur. Këtë uroj edhe për ty që ta zgjidhësh sa më shpejt.

Flas nga Kruja. Jam 66 vjeç. Kam dalë në pension në vitin 1995, me 60%. Kam punuar 20 vjet, nga viti 1973-1993 në minierën e Batrës. Marr pension 150.000 lekë të vjetra. Si ka mundësi që të marr një shifër kaq të ulët?

Në vitin 1995 për të dalë në pension për minatorët e nëntokës ka qenë ky ligj: “Të gjithë minatorët e nëntokës, të cilët kanë 21 vjet punë gjithsej dhe nga këto gjysma, pra 10 vjet e 6 muaj punë nën tokë, me dëshirën e tyre dalin në pension me 60% të pagës”. Në vitin 1995, meqenëse u mbyllën minierat, shteti i ka nxjerrë në pension minatorët edhe 37 vjeç, me dëshirën e tyre, por me 60%. Dhe ligji thotë: “Këta persona, kur plotësojnë moshën për pension të plotë, pensioni u kthehet nga 60% në pension të plotë”. Ju vareni nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Durrës. Unë jam shumë i bindur që çështja nuk qëndron kështu siç e thua ti. Unë mendoj gjithashtu se merr një shifër më të lartë pensioni se ajo që na the. Të sugjeroj që të bësh një ankesë me shkrim në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës dhe prej andej do të të vijë përgjigja me shkresë zyrtare, me firmë e me vulë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen