Pensionet suplementare kushtet për ta përfituar dhe mosha

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë fillimisht për pensionet suplementare. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë janë pensionet suplementare dhe cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension suplementar. Ai ka shpjeguar se cila është mosha, në të cilën përfitohet ky lloj pensioni dhe se si llogaritet ky pension dhe cili është kufiri maksimal. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet suplementare. Çfarë janë pensionet suplementare? Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension suplementar? Cila është mosha, në të cilën përfitohet pensioni suplementar? Si llogaritet ky pension dhe cili është kufiri maksimal?

Çfarë janë pensionet suplementare?

Sipas nenit 65 të Ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, të gjithë punonjësit që kanë tituj shkencorë dhe punojnë në universitete, në Akademinë e Shkencave, në Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe në institucionet e tjera kërkimore-shkencore, përfitojnë edhe pension suplementar. Titujt shkencorë janë sipas vendimeve të drejtorisë përkatëse në Ministrinë e Arsimit, për dhënien e titujve shkencorë.

Profesorët me titullin shkencor “profesor i asocuar” dhe “mjeshtër kërkimesh”, pavarësisht nga gjinia, dalin në pension në moshën 65 vjeç. Profesorët, të cilët kanë gradën shkencore “profesor” dhe “drejtues i kërkimeve shkencore”, dalin në pension në moshën 68 vjeç, si burrat ashtu edhe gratë. Të gjithë ata që kanë titullin shkencor “akademik”, dalin në pension në moshën 75 vjeç.

Në një nen të caktuar të ligjit “Për arsimin e lartë” thuhet se pavarësisht se plotësojnë moshën 65 vjeç, 68 vjeç apo 75 vjeç, në qoftë se qendra e punës ka nevojë për këta persona me tituj shkencorë, me dëshirën e qendrës së punës, si edhe me dëshirën e vetë personit, ka të drejtë që t’i mbajë në punë me kontratë.

Si llogaritet pensioni suplementar dhe çfarë është kufiri maksimal?

Për të dalë në pension këtë vit, si meshkujve ashtu edhe femrave u kërkohen si vjetërsi pune 36 vite e 8 muaj punë. Veçori për femrat është se deri në datën 31 dhjetor të vitit 2032, periudha e studimeve të larta me shkëputje nga puna, brenda ose jashtë vendit, i njihet si vjetërsi pune. Ndërsa personat e tjerë, të cilët punojnë në institucionet kërkimore-shkencore, përfitojnë edhe pension suplementar, përveç pensionit të pleqërisë.

Për të gjithë ata persona, që kanë titullin shkencor “profesor i asocuar” dhe “mjeshtër kërkimesh”, pensioni suplementar llogaritet me 1,1% të pagës mesatare neto të atyre viteve në të cilat ka pasur këtë titull shkencor.

Personat që kanë titullin shkencor “profesor” e kanë më të lartë këtë koeficent, i cili është 1,3%.

Në rast se personi fillimisht ka qenë “profesor i asocuar” dhe pastaj ka marrë titullin shkencor “profesor”, atëherë mblidhen që të dy koeficentët.

Kam 47 vite e 8 muaj punë në sektorin shtetëror. Nga këto, 21 vite kam punuar si ushtarak. Kam dalë në pension në vitin 2016, në moshën e plotë për pension dhe, me thënë të drejtën, vlera e pensionit që më ka dalë nuk më bind. Si pension pleqërie marr 270.000 lekë të vjetër ndërsa si pension suplementar ushtaraku marr 71.000 lekë të vjetër në muaj. Dua një mendim nga eksperti.

Zotëria gjithsej në muaj merr 341.000 lekë të vjetër në muaj dhe kjo është shuma fillestare e pensionit që ka marrë në vitin 2016, pra kur ka dalë në pension. Por, duhet të them që pensionet janë rritur edhe në vitin 2017, edhe në vitin 2018, edhe tani në vitin 2019. Pra, kjo shifër është rritur sipas koeficentëve të rinj të llogaritjes së pensioneve dhe mund të ketë arritur shifrën e rreth 380.000 lekëve të vjetër në muaj. Pavarësisht kësaj, zotëria gëzon të gjithë të drejtën që të jetë i bindur se shuma e pensionit që merr është pikërisht ajo e duhura, pra ajo që i takon sipas punës së tij. Gjithashtu ai ka të drejtën që të jetë i bindur plotësisht se kjo shumë është llogaritur ashtu siç duhet, pa gabime. Për të dyja këto arsye, zotëria ka të drejtë që të ankohet me shkrim në komisionin e ankimit, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të qytetit ku banon. Kërkesën me shkrim duhet që ta dorëzojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, në të cilën ka dorëzuar dokumentet e daljes në pension. Nëse zotëria përsëri nuk do të bindet nga përgjigjja zyrtare që do të marrë prej këtij komisioni, atëherë duhet që t’i bëjë një ankesë tjetër me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Jam nga Kamza. Bashkëshortit tim i kanë ngatërruar emrin në dokumente. Ndryshe është shkruar në dokumentin e viteve të punës dhe ndryshe në kontributet e sigurimeve shoqërore. Një herë i kërkojnë certifikatën e gjendjes familjare dhe një herë tjetër i kërkojnë një vërtetim nga reparti ushtarak ku ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të parë sesi është shkruar emri atje.

Në Kamzë ka një agjenci të veçantë për sigurimet shoqërore. Unë sugjeroj që zotëria të dërgojë dokumentet në këtë agjenci. Në atë agjenci nuk caktohen pensionet, por vetëm pranohen dokumentet, të cilat pastaj dërgohen në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Zotëria do të marrë një përgjigje zyrtare nga Sigurimet Shoqërore sesa vite pune i njohin dhe nëse nuk i kanë njohur vite pune, edhe arsyen përse nuk ia njohin. Si problemi i zotërisë u kanë dalë edhe shumë personave të tjerë. Ndodh shpesh që të ngatërrohen emrat apo mbiemrat e personave, qoftë edhe për një germë të vetme. Por, në certifikatën e gjendjes familjare, e cila është një nga dokumentet kryesore që dorëzohen për pension, shkruhet emri i plotë dhe i saktë. Në certifikatë shënohen edhe të dhënat e tjera që ndihmojnë për ta zgjidhur këtë problem.

Flas nga Tirana. Jam 80 vjeçe. Jam invalide e plotë dhe marr si pension invaliditeti 105.000 lekë të vjetër në muaj. Para një viti im shoq ka ndërruar jetë. Merrte si pension pleqërie 164.000 lekë të vjetër në muaj. A më takon mua të marr nga shtesat e pensionit?

Së pari, i uroj zonjës jetë të gjatë. Meqë bashkëshorti i zonjës ka ndërruar jetë, atëherë zonjës i lind e drejta që, ose të vazhdojë të marrë pensionin e saj së bashku me kompensimin e energjisë elektrike, nëse ajo rezulton e vetme në certifikatën e gjendjes familjare, ose të marrë 50% të pensionit të bashkëshortit. Por, me shifrat e pensioneve që tha zonja, del që të dy bashkëshortët kanë marrë pensione të ulëta, kështu që zonjës i leverdis që të mbajë pensionin e vet. Por, për të marrë sqarime më të hollësishme, zonja duhet të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, në mënyrë që edhe ajo të jetë e bindur. Nëse është bërë ndonjë gabim, atëherë e siguroj zonjën se do t’i marrë të gjitha ato që i takojnë.

Një person nga Tirana, i cili interesohet për pensionin suplementar shtetëror, pyet se për çfarë arsye kërkohet vërtetimi i gjendjes gjyqësore?

Personit që na ka shkruar, i sugjeroj që të shkojë te personi, i cili ia ka kërkuar këtë lloj vërtetimi dhe t’i kërkojë se në cilin ligj është bazuar për t’ia kërkuar këtë dokument. Gjithnjë nëse ky dokument është kërkuar për pensionin suplementar.

Duhet të shtojmë diçka tjetër për pensionet suplementare?

Dua të theksoj se pensioni suplementar nuk është lëmoshë. Ai u jepet personaliteteve shkencore, të cilët, gjatë gjithë asaj kohe që kanë punuar duke pasur këta tituj shkencorë, kanë paguar kontribute suplementare të sigurimeve shoqërore, 5-7% të pagës mujore. Kontributin e sigurimeve shoqërore prej 11,2% të pagës mujore e paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë në sektorin shtetëror apo në sektorin privat, për pension pleqërie.

Dua gjithashtu të sqaroj se pedagogët ose mësuesët, të cilët nuk kanë tituj shkencorë, dalin në pension këtë vit në moshën 60 vjeçe e 10 muaj femrat dhe meshkujt në moshën 65 vjeç. Ndërsa vitin e ardhshëm, femrat do të dalin në pension në moshën 61 vjeçe, ndërsa meshkujt përsëri në moshën 65 vjeç. Të gjithë ata që nuk kanë tituj shkencorë nuk përfitojnë pension suplementar.

Sa më shumë vite pune që të kenë pedagogët me tituj shkencorë, por edhe ata pa tituj shkencorë, aq më i lartë u del pensioni. Sa herë që indeksohen pensionet, sa herë që rriten pensionet, indeksohen edhe pensionet suplementare, edhe pensionet e zakonshme të pleqërisë. Vlera e pensioneve të plota të pleqërisë, bashkë me vlerën e pensioneve suplementare, nuk mund të kalojë dyfishin e vlerës së pensionit të pleqërisë. Në qoftë se një punonjës ka tituj shkencorë dhe vlera e pensionit të pleqërisë i ka dalë, p.sh. 30.000 lekë të rinj në muaj, pensioni suplementar, pavarësisht nga titulli shkencor që punonjësi ka dhe nga vitet që ka punuar me këtë titull shkencor, nuk mund të jetë më shumë sesa vlera e pensionit të pleqërisë. Pra, vlera maksimale është sa shuma e dy pensioneve pleqërie. sa herë që indeksohen pensionet, rriten që të dy pensionet dhe kur i mbledhin së bashku, nuk tatohen, pavarësisht nga shuma e tyre.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar