Ajo që po ndodh menjëherë pasi e ashtuthirrura nismë anti-KÇK po bën hapat e parë, lë pa fjalë këdo që në gjithë këto vite ka dëshiruar një Shqipëri pa kriminelë e të fortë. Eshtë i natyrshëm skepticizmi, janë mëse njerëzore kritikat dhe dëshira për të pasur një ligj korrekt dhe të drejtë, por "ulërimat" dhe talljet  e kundërshtarëve edhe të uniformave OFL nuk tingëllojnë të tilla.

Reaksioni, për fat të mirë i një pakice të shpallur tashmë antigjithçka që mendon të ndërmarrë qeveria aktuale, është total. Janë hedhur në sulm frontal dhe pa kushte për të kundërshtuar nismën (jo për prishjen e shtëpive, jo për prerjet e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe ujit, jo për ndotjen e mjedisit, jo për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, grave, të moshuarve, jo për administratë të drejtë dhe efikase, jo për arsim të mirë, jo për barazi në pagesën e detyrimeve fiskale etj), por për mbrojtjen e të drejtave të eksponentëve më të njohur të krimit të organizuar në Shqipëri. Këta individë të politikës, medias, apo shoqërisë civile, po bërtasin se mos preken të drejtat e njeriut dhe të pronës të të dënuarve, të akuzuarve apo të dyshuarve për krime të rënda e trafiqe, që janë me pasuri gjigande, të dukshme, të shpallur, në sytë e të gjithëve, të pacënuar deri më tani.

Në vend që të pyesin veten nëse me këtë ligj të posaçëm më në fund Shteti do të mund të fitojë betejën e parë kundër kriminalitetit, të cilën e ka shpallur pikërisht opozita gjashtë vjet më parë si një emergjencë kombëtare, pyesin të habitur se “ku është emergjenca” që justifikon Aktin Normativ të qeverisë kundër pasurive të kriminalitetit.

Kriminelët gjejnë tek opozita një avokat mbrojtës, që u kthehet në garant deri në atë pikë, sa nuk beson as edhe në vlerën e një vendimi të SPAK-ut dhe pretendon që, para se të konfiskohet pasuria e një bosi, duhet të kalohen tri shkallë të gjykimit, duke përfshirë këtu edhe një vendim të Gjykatës së Lartë. E çuditshme që po kjo opozitë dhe analistët e saj mjaftohen edhe me akuza anonime të qytetarit dixhital në faqen e Berishës në Facebook, apo me një thashethem online, për të dënuar publikisht kundërshtarët e tyre. E çuditshme që një politikan, një qytetar apo një gazetar, i cili konsiderohet si rival politik, mund të masakrohet publikisht me shpifjet e tyre dhe për ata nuk kanë vlerë të drejtat e njeriut, që, në të kundërt, opozita papritur kërkon që të respektohen për kriminelët, të cilëve ligji anti-KÇK synon t’u sekuestrojë pasuritë e paligjshme.

Në gjithë këto vite njihen bashkëpunimet e njerëzve të politikës, medias, shoqërisë civile me segmente të krimit të organizuar, ose më mirë me "arkat" dhe financimet e tyre. Një pjesë e mirë e opinionbërësve asnjëherë nuk ka dashur ta dijë apo nuk iu ka interesuar të mësojë se nga ç'prejardhje vinte rroga e tyre disafish më e lartë se rrogat normale të tregut të punës në Shqipëri.

Janë këto interesa të vogla ekonomike që i bëjnë sot të bërtasin kaq shumë kundër nismës së parë (ndoshta ende jo perfekte) për sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar, apo thjeshtë, për inat të Ramës, flirtojnë me të drejtat e njeriut... të kriminelëve?