Për kolegët e mi, për të cilët Basha deri dje ishte 'engjëll' dhe sot 'djalli'

Për kolegët e mi, për të cilët Basha deri dje ishte 'engjëll' dhe sot 'djalli'

Lulzim Basha

Ka gazetarë (kolegë të mi) dhe intelektualë publikë, që në harkun e tetë viteve të fundit – që nga viti 2013 – është dukur se nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër veçse të marrin në mbrojtje e të mbështesin Lulzim Bashën. Nuk i kanë bërë asnjëherë ndonjë kritikë publike, sido që ka pasur një sërë arsyesh që Lulzim Bashës t’i bëheshin kritika publike.

Lulzim Basha ka qenë ai që pothuajse e armiqësoi Partinë Demokratike me partnerët ndërkombëtarë të botës perëndimore; ka qenë ai që ka humbur zgjedhje pas zgjedhjesh; ka qenë ai që mori vendimin e paprecedentë për të djegur mandatet e deputetëve; ka qenë ai që mori vendimin tjetër, gjithashtu të paprecedentë, për të bojkotuar zgjedhjet lokale; ka qenë ai që humbi edhe zgjedhjet e fundit parlamentare.

Dhe ka qenë ai që, menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, sido që i humbi në mënyrë dramatike, organizoi në mënyrë të rrufeshme zgjedhjet në parti, madje organizoi edhe zgjedhjet për kryetar, të cilat ai i fitoi në mënyrë spektakolare.

80% e anëtarëve të Partisë Demokratike votuan për Lulzim Bashën. Ishte “shpërblimi” që i dhanë Lulzim Bashës për faktin që Edi Rama fitoi një mandat të tretë.

Pra, në të gjitha këto momente, kolegët e mi nuk i kanë bërë asnjë kritikë Lulzim Bashës. Mesa duket ata kanë pritur që të vinte një moment tjetër, në të cilin Lulzim Basha ta bënte baltë fare, të bënte ndonjë gafë të pafalshme.

Dhe për ta, ai moment erdhi: Lulzim Basha mori vendimin për ta përjashtuar përkohësisht nga grupi parlamentar Sali Berishën, pas ndëshkimit që i erdhi nga administrata amerikane (kjo e fundit e shpalli atë “persona non grata”).

Që nga ai moment, Lulzim Basha u shndërrua në macen e zezë të Partisë Demokratike. Lulzim Bashën nisën ta shihnin si budalla e të lig.

Pas këtij momenti, të njëjtët kolegë – pothuajse të njëjtët – janë vënë në mbështetje të Sali Berishës. Kanë filluar të na e shesin Sali Berishën si një ofertë interesante, si një rreze drite, si një rreze shprese. Kanë filluar t’i bëjnë jehonë tezave të tij.

Për shembull, tezës se është George Soros strumbullari i konspiracionit të madh ndërkombëtar që ka synuar diskreditimin publik të Berishës, që u finalizua me shpalljen e tij “non grata”.

Ata kanë filluar t’i bëjnë jehonë edhe tezës tjetër, e cila është gjithashtu e Berishës, e që thotë se: “Sali Berisha është ndëshkuar ngaqë është patriot me demek i madh, që e do shumë Shqipërinë dhe Kosovën, dhe ndëshkimin ia kanë bërë armiqtë e Shqipërisë, të shqiptarëve, dhe sidomos armiqtë e Kosovës, që janë George Soros, Joe Biden – i cili na qenka një vegël në duart e George Soros-it – por edhe Partia Demokratike amerikane e Bill Clintonit, e cila është po ashtu, një vegël në duart e George Soros-it.”

Kolegët e mi – të cilët më çudisin me këtë fakt – një njeri që është mobilizuar thjesht prej hallit të tij personal, dhe prej hallit të familjes së tij biologjike (dhe kjo dihet edhe nga fëmijët në Shqipëri), po e marrin për shpëtimtar, dhe lëvizjen e tij, të ngjashme me lëvizjen dumbabiste të Haxhi Qamilit, po e marrin si një lëvizje shpëtimtare.

Kolegët e mi po bëjnë gjithashtu një ngatërresë banale. Ata po ngatërrojnë problemin me zgjidhjen. Sali Berishën, që është problemi i Partisë Demokratike, që është edhe problemi i këtij vendi, e jo vetëm në këtë moment, po e marrin për zgjidhje.

Unë i kam parë prore kolegët e mi si një barrë për opozitën. I kam parë si këshilltarë të këqij për tetë vite me radhë. Madje, i kam parë si këshilltarët më të këqij që mund të ketë pasur ndonjë opozitë shqiptare në dekadat e fundit.

Në vitin 2013 (ishte viti kur Partia Demokratike humbi zgjedhjet, teksa u refuzua masivisht nga votuesit shqiptarë), ishte një moment dhe mundësi historike për t’u ndalur dhe për ta reformuar atë parti. Dhe reformimi i asaj partie, në atë moment, apo në çdo moment tjetër, do të ishte baraz me deberishizimin e saj.

Mirëpo askush nuk foli për reformim dhe deberishizim të Partisë Demokratike. Asnjëherë. Të gjithë menduan se Partia Demokratike do të mbetej “business as usual”, që do të thotë se Berisha do të shtirej se nuk do të kishte asnjë rol në Partinë Demokratike; Basha duhej të shtirej sikur i kishte gjërat nën kontroll; dhe kolegët e mi do të shtireshin sikur do të besonin se edhe Berisha ishte larguar, edhe Basha ishte kryetar partie.

Në këtë rrethanë, ata i kanë mëshuar tezës se Basha është i vetmi lider perëndimor në Shqipëri, në një kohë që s’e kishin për gjë që këtij lideri perëndimor t’i jepnin këshilla të natyrës destruktive.

Ata e këshillonin që të merrte molotovë e të dilte nëpër sheshe; e këshillonin që të dilte në protesta të dhunshme dhe të mos i ndalte asnjëherë ato, për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës, që nuk mund të rrëzohej me vota, dhe të dilte jashtë sistemit.

Dhe ai doli jashtë nga sistemi me shpresën dhe synimin se pozita e Edi Ramës do të vështirësohej. Ai nuk do të kishte më një shteg shpëtimi.

Kolegët e mi i janë gëzuar kësaj situate, në të cilën lideri i opozitës zbatonte pikë për pikë këshillat që ata i jepnin. Në fakt, ato nuk ishin këshilla, por marrina.

Unë, sidoqoftë, gjithçka kisha besuar, por jo se do të vinte një moment në të cilin këta kolegë të mi do ta kryqëzonin Lulzim Bashën për shkak të këtyre marrinave, që nuk ishin të Bashës. Por ajo ditë tashmë ka ardhur. Shijojeni spektaklin, i cili fillon sot e nuk dihet kur do të mbarojë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 11/12/2021 11:00

    Problemi i kolegeve te tu dhe nahijes "politike" qe ata mbeshtesin eshte dhe do mbetet me shumicen e cilesuar te shqiptarve,jo me Edi Ramen. Sado t'i bishtnojne kesaj te vertete perveluese,sado skema dhunuese dhe destabilizuese te prodhoje mendja e tyre e mbrapshte,nuk mund t'ia dalin zgjidhjes se ketij problemi. Nuk shoh asnje cudi ne sjelljen imorale te kolegeve te tu,Muc Nano.Kane tri dekada qe bejne te njejtat zanate,kunder Shqiperise dhe ardhmerise europeiste te shqiptarve.

    Përgjigju
    • Lukupapashta: 11/12/2021 11:07

      Mic Nano nje plehre qe se ka shokun. Tellai Rames ka te drejte se bashkejetuesen e tij Gjobevenesen Migena Laska e e shpetoi nga vetingu vellaRamuti. Gaz Bardhit qe sot e mbron Muç Nano ti ktheje pergjigje per vilen ne Gjiri Lalzit qe e akuzoi para ca kohes ne opinion

  • gjergji: 11/12/2021 10:23

    Bashkombes te nderuar: Shkullaku eshte gazetari e perkrahesi me i madhe i Berishes e natyrisht edhe i Bashes bile kte te fundit e quajti bilez lider prendimor. Ai eshte perkrahesi me i madhi nder te gjithe gazetaret i Berishes se sotem,natyrisht ishte edhe perkrahesi me i madhi e patjeter edhe ndimesi politik i Bashes,perkrahes e pjesmarres ne te gjitha aksionet politike e patjeter keshilluesi kryesor i Bashes qe mbeshteste e keshillonte qe te rritej dhuna sa me teper te ishte e mundur(me te gjitha format)ne protestat e opozites kunder qeveris legjitime sepse vetem me dhune kjo qeveri e Rames rrezohet.Dhuna ne protesta eshte shprehje logjike e pamundesis per te arrit qellimin tend e qe ka per rezultat shkatrrime te pronave e natyrisht te gjitha llojet e demtimeve qe nje njeri normal nuk i ben dot.Shkullaku o Nanon eshte pikerisht shembulli me negativ i gazetaris shqiptare.Nuk e kuptoj se si punedhenesi i tij nuk e largon ate nga puna ?????!!!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli