Përplasjet për mënyrën e menaxhimit të zjarrit tragjik në Elbasan u zhvendosën edhe në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes.
Deputeti i opozitës, Isuf Çela, kritikoi ndërhyrjen e strukturave zjarrfikëse, duke e cilësuar të papranueshme që flakët në pallatin ku humbën jetën dy persona të shuheshin me një zorrë uji, ndërsa për protestat përdoren mjete që hedhin ujë me presion në distanca deri në 300 metra.
“Javën e kaluar ndodhi një situatë e rënies së zjarrit në një pallat në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Mënyra e menaxhimit të asaj situate linte shumë për të dëshiruar. Tregon filozofinë e kësaj qeverisjeje në 13 vite, vetëm pjesën e fasadës. Fikja e zjarrit atje bëhej vetëm me një zorrë uji, sikur po ujit lulishten, ndërkohë që në shesh makineritë e hedhjes së ujit, për të shtyrë studentët, për të shtyrë protestuesit, e çojnë në 200 m, 300 m, në antitezë me atë që ndodhi në Elbasan”, tha deputeti demokrat.
Në përgjigje të akuzave, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, pranoi se ndërhyrja në momentet e para ishte shoqëruar me vështirësi, duke evidentuar mungesën e përvojës për përballimin e një ngjarjeje të kësaj përmase.
“Për zjarrin në Elbasan, sigurisht që zjarri është një fenomen që në momentet e para ka efektet e panikut edhe për qytetarët, por në momente të caktuara edhe për strukturat operacionale. Ne kemi angazhuar të gjitha kapacitetet, deri te autoshkallët, qoftë në Tiranë dhe në Elbasan. Ka pasur një risk të shtuar për banorët e pallatit, mbase edhe përvoja për një aksident të tillë, se është një aksident që sjell pasoja të konsiderueshme, ka qenë e munguar nga ekspertët, specialistët në momentin e parë, se shkaqet dalin pasi menaxhohet një situatë e tillë”, u shpreh Çako.
Çako theksoi se për shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e banorëve u angazhuan të gjitha kapacitetet në dispozicion, ndërsa operacioni përfundoi me gjetjen e viktimës së fundit në mesnatë.
“Njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura dhe të Mbrojtjes ndaj Zjarrit kanë operuar gjatë gjithë natës dhe kanë siguruar jetën e banorëve të pallatit dhe kanë siguruar në mesnatë edhe kanë gjetur viktimën”, theksoi kreu i emergjencave.
Zjarri në Elbasan, i cili dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja i bombolës së gazit i mori jetën 2 të moshuarve, pronarit të banesës ku ndodhi shpërthimi dhe një gruaje në katin sipër. Si pasojë, dhjetëra familje kanë mbetur pa strehë, pasi godina është shpallur e pabanueshme dhe mund të prishet.






