Vlerësimet në Progres Raportin e Komisionit Evropian për periudhën e  veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit(KLSH) gjatë vitit 2012 dhanë një sintezë të performances së këtij institucioni, pa llogaritur arritjet e vitit 2013 të cilat janë po aq, apo dhe më të mëdha. Sidoqoftë, rëndësi ka qëndrueshmëria e vazhdimësia në rrugën e reformimit. Meritë për këtë ka, pa asnjë dyshim, Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj, si dhe stafi i KLSH. Kjo meritë qëndron, ndër të tjera në faktin se u detyrua ta fillonte punën nga fillimi.

Mbasi e gjeti istitucionin, që i ngjante një anije të mbushur plot me inspektorë, në vend që të ishin auditues, dhe që prej tre vjetësh shëtiste në det të hapur. Për këtë qëllim, puna u fillua nga zbatimi i Kodit Etik që përmban ndër të tjera parimet e integritetit, pavarësisë, paanësisë e profesionalizmit. Qëndrueshmëria, vazhdimësia e uniformiteti në punën e bërë kërkojnë një kohë për t’u evidentuar si arritje. Kjo kohë tashmë prej dy vjetësh, është e mjaftueshme për të pasur garancinë e nevojshme se nuk do të ketë pika këputje apo ndërprerje. Garancia nuk qëndron vetëm tek koha por dhe tek platforma filozofike që ky institucion tashmë e ka dhe po punon fuqishëm për ta zbatuar.

Misionin e KLSH, me gjuhën popullore do ta përktheja për çdo lloj “peshku” në institucionet publike: “Harrojeni KLSH-në e kaluar. KLSH-së mund t’ja grisni rrjetën vetëm në gjykatë!”. Puna nuk ka përfunduar. Në këtë institucion,  punohet me moton: “E ardhmja kërkon vazhdimisht të shkruhet”. E shkrimi është vetëm puna në zbatim të ligjit. KLSH tashmë është duke kontribuar fuqishëm në luftën ndaj korrupsionit si fenomen të gjithëpranuar, që ka kapur pothuaj të gjitha institrucionet e shtetit.

Sigurisht, kur mungojnë investimet në sektorin publik për mungesë likuiditeti (lekësh) në këtë kohë krize e borxhesh edhe korrupsioni duhet të ketë rënie, sipas llogjikës. Në shoqëritë si e jona, ku korrupsioni nuk është vetëm një sëmundje lëkure apo që ka kapur pothuaj çdo qelizë të trupit por më e keqja se tashmë ka kapur edhe shpirtin duke u kthyer në moral shoqëror, llogjika nuk shërben. Ekziston rreziku që korrupsioni të transformohet e shtohet në një tip “korrupsion kleringu”. Shenjat e para janë shfaqur tashmë në disa nga institucionet shtetrore. Me “korrupsion kleringu” do të kuptoja formën: “më bëj një nder të të bëj një tjetër, pa qarkulluar lekë nën dorë”.

Për shembull: A nuk kemi një administratë ku punësohen tek njëri-tjetri anëtarët e familjeve reciproke e miqtë e tyre? Duke ju shmangur kështu ligjit për nepotizmin. Më e bukura është se po këto njerëz të punësuar tek njëri-tjetri në administrate, përdoren si mburoja njerëzore nga vetë punëdhënësit.  Ky lloj korrupsioni është njëlloj mbytës. Ndryshe nuk ka si shpjegohet se pse vrapojnë për të marrë drejtimin e institucioneve persona që as kanë njohuri nga administrata dhe as kanë nevojë për rrogën që do të përfitojnë në atë vend pune. Kjo i ka bërë në përgjithësi institucionet shtetrore shqiptare të pushtetit qëndror e vendor, t’i ngjajnë rezervateve ku shëtisin dhe peshq që mbajnë “gradën” “piranja”, në pritje për të shqyer çdo fond apo çdokënd që do t’i bjerë në dorë. Disa nga këto lloj institucionesh janë ndërtuar me sukses të plotë, disa janë në process ndërtimi. Tani do të shohim ristrukturimin e tyre.

Pretendohet se do të pastrohen, por ngelet për tu pare. Peshku i madh han të voglin e piranja rri e qetë. Vjen nga rezervati i parties, që e bën reformën vetë. Pastrimi thonë, do të fillojë tani në Janar. Mendoj se kanë të drejtë nuk fillohet punë pa ngrënë bukë. Nuk i ngarkoj me faj. Po e thonë vetë, po shohin një herë të kuptojnë se ku janë!. Kanë kujtuar se do drejtojnë institucione firmato, e jo Gabi. Çudi !!
Në një gjendje jo më të mirë u gjet dhe Auditimi i Brendshëm në këtë vend. 

E ngrenë nga gjumi vetëm kur vjen partia tjetër në pushtet. Me  qëllim që një gjë e tillë të mos ketë mundësi të përsëritet, si deri tani dhe me synimin e forcimit të kësaj strukture auditimi të brendshëm në kuadër të bashkëpunimit reciprok profesional, nga ana e KLSH është hartuar një plan veprimi, i cili do të gjejë zbatim, shpresoj, shumë shpejt.
 
Sot dihet e pranohet nga të gjithë se garancia për funksionimin e qëndrueshmërinë e reformave në institucionet e një Shteti, në luftën ndaj korrupsionit, nuk është “koha”, në kuptimin e parë të fjalës, por një sistem drejtësie i pa korruptueshëm, i besueshëm e funksional. Por si mund të realizohet kjo gjë, kur vetë sistemi i drejtësisë po vuan nga e njëjta sëmundje?

Të pretendosh sot, sipas një teorie, se sistemi i drejtësisë pavarësisht problemeve me korrupsionin që ka vetë, korrigjon e rregullon vetveten, ngjan si e huazuar nga Darvini. Rrimë e presim sa të kthehet majmuni në njeri! Për të patur një sistem drejtësie me parametrat e kërkuara i cili është sistemi më kryesor, për mua i vetëm, në garantimin e qëndrueshmëris së luftës së Shtetit ndaj fenomenit të korrupsionit duhet patjetër që nëqoftëse nuk mund ta ndërtosh, atëherë ta importosh. Ta importosh atë, edhe nëse kjo do të quhej lëshim sovraniteti. Kjo do të ishte utilitare, dhënie e të tillë sovraniteti, me qëllim për të krijuar ( siguruar ) Shtetin. Kjo për mua do të kuptonte që, në pamundësi për të importuar të gjithë sistemin e drejtësisë të ndonjë vendi perendimor europian, atëherë duhet patjetër që në këtë që ne i themi sistem drejtësie, të rekrutoheshin me çfarëdo lloj kosto, njerëz nga fushat e sistemet e drejtësisë së shteteve perendimore europiane apo të SHBA. Kjo është e domosdoshme, përsa i përket gjyqësorit dhe prokurorisë. 

Fakti se në këtë sistem vërtetë të korruptuar, ka dhe njerëz me integritet nuk shërben për gjë tjetër, vetëm për të mos e hedhur tej gjithë sistemin. Po përpiqem të them pak a shumë vetëm se disa “Tony Bler” në fushën e tyre, nga shtetet e zhvilluara perendimore, të injektohen në system, por jo si këshilltarë falas, por si rrogëtarë. Vetëm atëherë mund të presësh që sistemi të rregullojë vetveten.
 
Ndërtimi i gjykatave e prokurorive me emra të ndryshëm, pa injektuar këtë lloj tharmi në to, rrezikon që të rezultojë se nuk jemi duke bërë gjë tjetër,  veçse duke shkruar në rërë.
Unë nuk kam parë deri më sot, që të lësh qumështin e të presësh të kthehet në kos, pa i hedhur farë. E vërteta është se juristet e derisotem nuk janë budallenj por nuk tregojnë që po presin se, për farë, si në çdo institucion, kanë futur kalmajte e racën e vet. Në asnjë mënyrë “pa meritë”. Rroftë kleringu! Kuvendi e Presidenti i Republikës, duke qenë përpara një presioni të fortë popullor dhe ndërkombëtar, për krijimin e një shteti modern i kanë të gjitha mundësitë për të realizuar një luftë reale ndaj korrupsionit.

Të orvatesh me teorinë e “rilindjes” apo “ringjalljes” duhet të pranosh se po pret rezultatin. Por kush është rezultati? Kur dihet se në këtë shtet nuk mbahet mend në të gjithë kohën që nga krijimi, se kur ka pasur sistem drejtësie të drejtë e që pritet të “rilind” dhe nga kush? Koha ka kaluar dhe e ka treguar se të gjitha haraçet e çdo qeverie në shtetin e sotëm janë depozituar. A nuk po kalon një çerek shekulli në tranzicion? Nostalgjikët flasin për sistem drejtësie në kohën e Diktaturës, por një gjë e tillë nuk ka ekzistuar. Ajo ka qenë vetëm një sistem juridik, për t’u kujdesur që në karriken e pushtetit të qëndronte sa të kishte jetë mbreti. Unë nuk di kur ka qenë ky i joni, një shtet normal.

Mjafton që në çdo periudhë kohore që të zgjedhim që nga krijimi i tij, do të konstatojmë se për shtetin Shqiptar, formula: “dy plus dy”, nuk ka dale kurrë katër. Kaq e vërtetë është kjo, sa dhe sot kur nga KLSH thuhet katër, nga strukturat e tjera shteterore nuk pranohet. Pretendohet se ajo është e dyshimtë, mund të jenë pesë, mund dhe ka shumë mundësi të jenë dhe gjashtë. Për këtë qëllim, në vend të merret me ndërtim sistemi, merret pikërisht vetëm me nxjerrjen e llogarisë. Merret FMN-ja, dhe, të jemi të sigurtë se ajo, patjetër do ta nxjerrë shtatë.

Do ta nxjerrë aq sa duan struktura shtetërore përkatëse, por do të shtojë dhe njëlekëshin që ka futur vetë. E përfundimisht do ta nxjerrë tetë(njëlekëshi është në mënyrë figurative sasia e borxhit që FMN pritet të na japë).Sigurisht unë sinqerisht  nuk besoj se drejtuesit e shtetit tim nuk e dinë një gjë të tillë. Por se ju është dashur shumë borxhi. Migjeni do ta kishte dëshiruar të jetonte në këtë kohë. Kushedi, mund ta kishte rishkruar poemën e mjerimit.

Tashmë duket si e padyshimtë se ka vetëm dy rrugë: ose, duke rritur borxhin pafundësisht, sovraniteti në kuptimin tërësor të fjalës nuk do të ketë asnjë kuptim. Ose, si domosdoshmëri, sa nuk është vonë, duhet dhënë vetë një pjesë e sovranitetit, për të realizuar sistemin e kërkuar të drejtësisë, si guri i parë i themelit, me qëllim për të bërë shtetin. A nuk lajmëroi KLSH për mostejkalim borxhi?...Po u vazhdua të vonohemi, edhe në qoftë e vërtetë “rilindja” siç pretendohet, ajo do të kërkojë të vdesë, kur të marrë në dorë faturën e borxhit. Dua të tërheq sado pak vëmendjen e drejtuesve të Shtetit tim, duke uruar me gjithë shpirt ta kem gabim. Se nuk ka kohë për të humbur, në të kundërt, as suksesi i institucionit të KLSH, as edhe i ndonjë institucioni tjetër të veçuar, nuk do të kishte  kuptim. Njëlloj si motorri i Titaniut, ishte i sukseshëm, por Titaniku u mbyt.
 
*Kryetar i Shoqatës “Lidhja e Audituesve Shqiptarë”