Në përfundim të mandatit të tij si President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në fjalimin e tij të fundit ka bërë thirrje për progres të prekshëm në përmirësimin e Klimës së Investimeve. Jaço foli gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të AmCham në praninë e 256 kompanive anëtare ku deklaroi se, duhet ende shumë punë që Shqipëria të bëhet ‘magneti i Ballkanit’ për investitorët e huaj. Ai u bëri thirrje bizneseve anëtare të përfshihen sa më shumë që zëri i tyre të dëgjohet ndërsa drejtuesve të AmCham të “zhvishen nga kostumi individual i korporatës” që përfaqësojnë dhe të mbrojnë të drejtat e gjithe komunitetit te biznesit.
“Rruga jonë nuk është pa sfida. Dikush një herë tha që nëse keni rritje 250% të Investimeve, çfarë doni më shumë? Përgjigja ime është ne nuk duam thjesht më shumë. Ne duam shumë më shumë. Ne vleresojmë se potenciali i Shqiperise është për të 5-fishuar investimet amerikane - për t’i bërë ato nga $220 milion në mbi $1 miliardë. Kjo do e krahasonte Shqipërinë me ato vendet që thithin më shumë investime në Ballkan. Por për të arritur këtë na duhet një klimë biznesi që mundëson konkurrencën e ndershme dhe lufton të pandershmen, me paketa ligjore që parandalojnë korrupsionin. Gjithashtu kërkojmë reformimin e prokurimeve publike në platforma reale dhe transparente ku investitorët e huaj të konkurrojnë lirshëm krahas bizneseve lokale, përcaktimin e incentivave dhe standartizimin e kritereve automatike për marrjen e lejeve të investimeve në mënyrë që Shqipëria të merret seriozisht nga investitorët e huaj”.
"Fakt është se bizneset në Shqipëri vijojnë të operojnë në labirinthe burokratike dhe praktika të vjetëruara. Dhe në një kohë kur progresi drejt integrimit duhet të jetë i shpejtë - Shqipëria nuk e ka luksin të ecë me “baby steps” - i duhet të bëjë hapa të mëdha në një kohë të shkurtër. Por reforma mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim real mes sektorit privat dhe administratës publike", theksoi ai.
![]()
“Pavarësisht këtyre sfidave, ose ndoshta për shkak të tyre, tani më shumë se kurrë është e rëndësishme që të sigurojmë të ardhmen e tregtisë, bizneseve – hapjen drejt investimeve të reja dhe hapjen drejt investimeve të vërteta strategjike ku Dhoma Amerikane ka një rol të rëndësishëm për të luajtur” u shpreh Jaço.
Enio Jaço drejtoi Dhomën Amerikane për dy mandate. Jaço u shpreh optimist për trajektoren e AmCham dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE. “Unë do të vazhdoj të bashkëpunoj me përkushtim për të ndihmuar në zhvillimin dhe rritjen e komunitetit te bizneseve. Besoj se ne kemi një të ardhme të ndritur përpara nesh, dhe jam i gatshëm të kontribuoj në mënyrë të vazhdueshme” tha Jaço në fund të fjalimit.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)