Lëvizja Socialiste për Integrim u shfaq e tërhequr në këtë protestë të thirrur nga Lulzim Basha për të kërkuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt.

Ndryshe nga protesta e 27 janarit, mëngjesi i kësaj të shtune e gjeti selinë e LSI-së thuajse të zbrazur,  përveç disa të rinjve të forumit të kësaj partie që mbanin vetëm disa bluza të bardha me shënime kundër Edi Ramës.

Asnjë simbolikë apo pankartë kundër Xhafajt, sikundër ndodhte me aleatin e madh të selisë blu. Kryemadhi u nis nga partia e saj e shoqëruar nga një numër i vogël mbështetësish, dhe ju bashkua protestës pa ndonjë rol protagonist.

Rrugës për në bulevard,  e pyetur nga Report TV, Kryemadhi u shpreh se nuk mendonte se Xhafaj ishte e keqja më e madhe e kësaj qeverie.

Unë nuk mendoj që kjo çështje është më e rëndësishmja, e as e keqja më e madhe në tërësinë e këtyre zullumeve. Unë mendoj që këto janë paketë, me ikjen e Ramës. Shqipëria duhet të hapë negociatat, qofshin këto edhe me kushte shumë të rënda

Monika Kryemadhi

Ndryshe nga Basha i cili i thirri protestuesit të marshonin drejt sheshit Skënderbej, Kryemadhi nuk u pa më mes protestuesve, por u shfaq në selinë e partisë së saj për të thënë sërish se e keqja më e madhe është Edi Rama.

I bëj thirrje Edi Ramës që të dalë nga tuneli i krimit ku ka hyrë. Të dali dhe ti thërrasë ndërgjegjes së tij nëse i ka ngelur ndopak ndërgjegje , të tërhiqet, të largohet nuk e ndjek më njëri nga mbrapa.

Shqiptarët e kanë lënë vetëm përfundimisht. Por jo vetëm shqiptarët, por tashmë duket hapur që e kanë lënë vetëm ministrat e tij, drejtorët e tij, kabineti i tij. Prandaj nuk ka zgjidhje tjetër vetëm të largohet. Të largohet për t’i dhënë mundësi dhe shans Shqipërisë për të hapur negociatat me Bashkimin Europian.

Monika Kryemadhi

Xhafaj dje sfidoi Bashën për audio-përgjimin, por çfarë mendon Kryemadhi? Shefja e LSI shprehet se ekspertiza të bëhet në prani të Bashës dhe Xhafajt. Kujtojmë që materiali audio është dërguar në Itali për ekspertizë nëse është i vërtëtë apo i manipuluar.

Unë nuk jam eksperte e kësaj gjeje, por video është e qartë, përsa i përket zërit e kanë Xhafajn dhe personin që kanë përgjimin dhe ta bëjnë ekspertizën në praninë e Bashës dhe Xhafajt.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi

Zyra e shtypit e LSI raportoi se nga strukturat e kësaj partie ishin nisur 24 mijë protestues në kryeqytet, shifër e cila duhet marrë me shumë rezerva, duke marrë parasysh totalin e pjesëmarrësve.