Kol Menga 48 vjeç si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka rënë në përroin që kalon përmes qytetit në vendin e quajtur "Kodra e Bushit" në Laç duke u mbytur.
Sipas të dhënave të para të policisë, 48-vjeçari ka rënë në mënyrë aksidentale duke gjetur vdekjen nga prurjet e mëdha të ujit nga reshjet e dendura të shiut.
Por sipas Prefektit të Lezhës, 48-vjeçari po tentonte që të shpëtonte biznesin e tij nga përmbytjet në momentin që e ka rënë duke gjetur vdekjen.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:40 të mbrëmjes së djeshme te "Kodra e Bushit".
Në Kurbin janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak.
Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qenë më e vështirë sepse dalja e ujërave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.
Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuar 6 familje, më të rrezikuarat.
Në Mirditë në fshatin Lurth për shkak të reshjeve intensive ka pasur dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore, ndërsa janë evakuuar 2 familje, por niveli i ujërave më pas ka rënë.
Në qarkun e Dibrës në Njësinë administrative Komsi, bashkia Mat, për shkak të reshjeve intensive ka ndodhur një rrëshqitje dheu duke dëmtuar një banesë.
Gjithashtu, në këtë njësi për shkak të daljes së ujërave të përroit nga shtrati ka pasur edhe në zonën përreth Uzinës rrezikim të banesave. Bashkia Mat ka evakuuar vetëm 1 familje.
Nga përmbytjet në Kurbin janë përmbytur më shumë se 300 hektarë tokë bukqësore.
Në operacion për përmbytjet në Kurbin, Mirditë dhe në Dibër janë angazhuar 152 punonjës, 30 mjete dhe 10 motobarka.
Në ndihmë të banorëve të prekur nga reshjet kanë shkuar strukturat e Emergjecave Civile, forca zjarrfikësve, policore, ushtarake dhe të njësive vendore.
(48-vjeçari Kol Menga)
Zhvillimet nga përmbytjet në Shqipëri
13:33 Ministria e Bujqësisë: U mbytën 110 dhi, 300 hektarë në ujë
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave njofton se, situata në Qarkun e Lezhës, pas përmbytjeve të fundit, deri në orën 13.00 të ditës së sotme është si më poshtë:
Në rrethin e Lezhës, reshjet e fundit kanë pasur ndikime të vogla, kryesisht në territorin e Pllanës, Njësia Administrative Zejmen.
Në rrethin Kurbin, nga dendësia e madhe e reshjeve të shiut, janë përmbytur rreth 300 hektarë të mbjella me kultura bujqësore, konkretisht në fshatrat Gjorm, Fushe-Gjorm, Sanxhak dhe Shullaz.
Në Laç, në zonën e quajtur “Kodra e Bushit”, janë të përmbytura 9 shtëpi. Vërshimi i prrenjëve ka marrë 15 koshere bletesh, një hangar me 60-70 kv misër, si dhe dëmtime të bazës ushqimore të blegtorisë.
Gjithashtu, sipas raportimeve që vijnë nga Drejtoria e Bujqësisë Lezhë dhe Shtabi i Emergjencës, në Mal të Bardhë, nga vërshimi i prronjëve, është dëmtuar një stallë bagëtish të imta dhe uji ka rrëmbyer rreth 110 krerë dhi.
Hidrovorët janë në punë me kapacitet të plotë, ndërsa probleme me energjininë nuk ka pasur.
Specialistët e bujqësisë po monitorojne gjëndjen në terren, ndërkohë që për çdo situatë, MBZHRAU do të informojë mediat dhe publikun.
13:33 Kryetari i bordit të kullimit: Problem inertet nga përrenjtë
13:32 Banorët tregojnë tmerrin: Lagja më shpëtoi fëmijët
Banorët që u prekën nga përmbytjet në Lezhë shprehen se situata ka qenë shumë e vështirë, ndërsa natën e kanë kaluar jashtë për shkak se banesat janë dëmtuar.
Njëri nga banorët është shprehur se me ndihmën e komshinjve arriti që të shpëtonte fëmijët që ishin në rrezik nga uji që përfshiu banesat.
"Fëmijët erdhën duke bërtitur 'Babai hajde na shpëto'. Hyrja brenda kishte një metër ujë, çava dritaren dhe kërkova ndihmën e komshinjve që shpëtuan fëmijët. Uji ka bërë shumë dëme".
Një natë e vështirë ka qenë edhe për të moshuarën 100-vjeçe.
"Kemi qëndruar gjithë natën jashtë. Nuk kemi cfarë të bëjmë, kam edhe nënën 100-vjeçe" shprehet një banore e Lezhës.
Banorët thonë se mbi 10 banesa janë përmbytur dhe kjo vjen nga mos pastrimi i kanaleve.
Një tjetër banor thotë se uji dhe përmbytjet kanë shkaktuar shumë dëme materiale.
[gallery]19032[/gallery]
13:30 Situata dhe masat pas përmbytjeve në zonën e Kurbinit, Dibrës e Mirditës
Rreshjet intensive të rëna kryesisht në orët e pasdites së djeshme kanë shkaktuar përmbytje në zonën e Kurbinit. Një shtetas ka humbur jetën aksidentalisht, si dhe ka patur dëme në banesa, bagëti dhe prodhime bujqësore.
Në ndihmë të banorëve të prekur nga reshjet kanë shkuar strukturat e Emergjecave Civile, forca zjarrfikësve, policore, ushtrake dhe të njësive vendore.
Në operacionin në zonën e Laçit janë angazhuar 152 punonjës, 30 mjete dhe 10 motobarka:
• 12 punonjës të strukturave të Emergjencave
• 20 forca të FNSH, Shkodër
• 30 forca zjarrfikëse të Laçit, Lezhës, Mirditës
• 60 forca ushtarake
• 30 forca të Policisë lokale.
Bashkia Kurbin. Si pasojë e rritjes së prurjeve të përroit, pati dalje të ujërave nga shtrati. Dje rreth orës 19:00 pati stuhi me intesitet shumë të lartë duke u krijuar gjendje kritike për banorët e qytetit, kryesisht në lagjen nr.4, tek Konviktet dhe përgjatë unazës së qytetit.
Për shkak të reshjeve intensive dhe daljes së ujrave të përroit shtetasi Kol Mënga, 48 vjeç ka humbur jetën duke u përfshirë nga rryma e fuqishme e ujit.
Forcat e MZSH-së, në bashkëpunim me forcat e ndërmarrjeve të Bashkisë Kurbin, u gjendën të parat në vendngjarje dhe dhanë ndihmën për evakuimin e banorëve të zonës, si dhe largimin e ujrave nga banesat.
U ngrit Komisioni i Emergjencave Civile të Bashkisë dhe u organizua puna për përballimin e emergjencës së krijuar.
Për pasojë janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak.
Në oborret e banesave poshtë kanalit të ujrave të larta ka pasur prezencë uji, kurse në tokat bujqësore ka dëme të kulturave bujqësore të stinës.
Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qënë më e vështirë sepse dalja e ujrave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.
Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuar 6 familje, më të rrezikuarat.
Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.
Edhe në këtë Njësi Administrative forcat e ushtrisë dhe të policisë janë angazhuar intensivisht për të ndihmuar komunitetin dhe largimin e ujërave nga banesat.
Në të gjithë qarkun e Lezhës hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Bashkia Mirditë. Në fshatin Lurth, për shkak të reshjeve intensive ka patur dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore. Janë evakuuar 2 familje, por niveli i ujrave më pas ka rënë.
Qarku Dibër. Në Njësinë administrative Komsi, bashkia Mat, për shkak të reshjeve intensive ka ndodhur një rrëshqitje dheu duke dëmtuar një banesë.
Gjithashtu, në këtë njësi për shkak të daljes së ujrave të përroit nga shtrati ka patur edhe në zonën përreth Uzinës rrezikim të banesave. Bashkia Mat ka avakuuar vetëm 1 familje.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi gjatë gjithë natës dhe sot ka monitoruar situatën e krijuar duke koordinuar veprimet e forcave operacionale.
Situata ditën e sotme është drejt përmirësimit për shkak të ndërprerjes së reshjeve intensive dhe masave të marra.
11:30 Prenci: Përmbytjet, kambanë alarmi, situata në rrezik
Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prenci deklaroi se përmbytjet janë një kambanë alarmi, pasi në ditët në vazhdim pritet që të ketë reshje të tjera shiu që mund të sjellin përkeqësimin e situatës.
Shemsi Prenci fajësoi pushtetin vendor për situatën e përmbytjeve në Laç, ndërkohë që kërkoi bashkëpunim më të madh mes institucioneve dhe banorëve për të ndihmuar banorët e përmbytur.
11:15 Mot me reshje shiu sot dhe nesërme 14 tetor pritet të rikthehet dielli
Reshjet e dendura të shiut do të vijojnë edhe për të paktën dy ditët e ardhshme në të gjithë vendin ndërkohë që pasnesër pritet të rikthehen rrezet e diellit pasdite.
Sipas shërbimit Institutit të Gjeoshkencës dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit rajoni i Ballkanit do të qëndrojë nën ndikimin e periferisë së një fushe me presion atmosferik të ulët.
Sot do të mbizotërojë mot me vranësira dhe shira të përkohshëm dhe era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga veriperëndimi.
Temperaturat ekstreme të ajrit pritet të luhaten: Në vendet malore temperaturat minimale nuk do të zbresin poshtë 7 gradës ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 110C.
11:00 Profil/ Kush ishte tregtari që e mori përroi
"Kodra e Bushit" është kthyer në një vend të mallkuar për të gjithë banorët e qytetit të Laçit, pasi brenda dy viteve ka marrë tre jetë.
Pas vdekjes së mësuesit me vajzën e tij para dy vitesh, mbrëmë gjatë natës rrjedhja e lumit ka marrë edhe tregtarin 48-vjeçar.
Kol Menga punonte prej disa vitesh në tregun e Laçit duke treguar rroba të përdorura, ndërsa mbrëmë, pasi filluan reshjet e dendura të shiut dhe rreziku ishte potencial që prurjet e përroit të përfshinin edhe biznesin e tij të vogël ai shkoi për të zhvendosur mallin.
Gjatë tentativës për të hequr mallin, 48-vjeçari është përpirë nga dallgët e përroit që kalon përmes qytetit.
Trupi i viktimës është gjetur 300 metra nga vendi ku e mori rrjedhja e lumit. 48-vjeçari Kol Menga ishte babai i dy fëmijëve.
10:00 Basha: Papërgjegjshmëri qeveria duhet të marrë situatën në dorë
Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas përmbytjeve në Laç duke akuzuar qeverinë për cilësinë e investimeve.
Kryeopozitari shprehet se qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t'ju marrë votën.
Basha i shpreh ngushëllimet familjes së 48-vjeçarit që humbi jetën, ndërsa i bën thirrje qeverisë që të marrë situatën në dorë.
"Ndërkohë që Edi Rama rrihte gjoksin për suksese imagjinare, qindra familje te Lacit dhe Fushë Krujës u lanë në mëshirë të fatit.
Këto janë investimet e rilindjes: me shiun e parë qytetet përmbyten, shtëpitë e bizneset po ashtu.
Qytetarët janë braktisur nga kjo qeveri e papërgjegjshme që kujtohet për ta vetëm për t'ju marrë votën.
Fatkeqësisht përmbytjet mbrëmë shkaktuan një tjetër viktimë, ashtu si edhe një vit më parë.
Duke shprehur ngushëllimet për familjen e Kol Mengës që humbi jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve, i bej thirrje qeverisë të lerë propagandën dhe të marrë në dorë situatën për të ndalur cdo fatkeqësi tjetër dhe për t'ju ardhur në ndihmë banoreve të goditur" shprehet ai.
09:30 Prefekti i Lezhës: Kol Menga tentoi të shpëtonte biznesin, humbi jetën
Prefekti i Lezhës, Eduard Ndreca deklaroi për Report Tv se viktima, Kol Menga po tentonte që të shpëtonte biznesin e tij nga përmbytja në momentin që ka rënë në përrua duke humbur jetën.
Sipas prefektit të Lezhës, rreziku është akoma prezent, ndërsa po punohet me forcat e ushtrisë, që janë vendosur në pikat më delikate.
"Ka një rënie të vogël të ujit dhe situata është qetësuar, por jemi në gatishmëri.
Rreziku është akoma prezent, po punojmë me forcat e ushtrisë. Janë evakuuar familjet që kanë qenë në situatë delikate.
Familjet e rrezikuara janë vendosur te të afërmit e tyre pas përmbytjeve të banesave.
Përsa i përket viktimës, Kol Menga po mundohej që të shpëtonte biznesin në momentin që ka rënë në kanal.
Ndërsa forcat e ushtrisë janë të pranishme për të ndërhyrë në pikat më delikate.
Hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, nuk ka pasur asnjë stakim energjie" deklaroi ai.
09:00 Panariti: Ciklon, ishte situatë dramatike
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti në një lidhje telefonike për Report Tv nga Laçi deklaroi se situata është qetësuar, ndërsa pasdite dhe nesër pritet që të ketë sërish reshje shiu.
Panariti theksoi se po punohet për heqjen e inerteve që sollën bllokimet dhe daljen e përrenjve nga shtrati, ndërsa përmbytje sipas tij janë regjistruar vetëm në Laç, pasi në të gjithë qytetet e tjera nuk ka pasur nga shirat.
"Në mëngjes situata është drejt përmirësimit, po pastrohen grykat e përrenjve, ujërat po kullojnë.
Edhe brenda Laçit ka tërheqje të ujit, përrenjtë malorë sollën inerte, eskavatorët po i largojnë.
Shtabi i Emergjencës po ndjek situatën nëse do të evakuohen familje të tjera, përpos atyre 7 që u evakuuan dje.
Hidrovorët janë në punë. Ngushëllime familjes për humbjen, situata dje dramatike, ka qenë duke na përfshirë uji me gjithë makinë.
Ka qenë një fenomen në trajtë cikloni, por në qytete të tjera situata është e qetë.
Sot pasdite dhe nesër do të ketë reshje shiu"deklaroi Panariti.
08:28 Reshje shiu edhe në Tiranë, por nuk ka përmbytje
Edhe kryeqyteti është përfshirë nga moti i keq në 24 orët e fundit, ku gjatë natës ka pasur reshje të dendura shiu, por nuk raportohet për probleme.
08:25 Mot i keq në disa qytete
Reshje shiut ka pasur në disa qytete nga Jugu në Veri, ndërkohë që nuk ka pasur probleme.
08:20 Përmbytjet në Kurbin, 150 ha tokë nën ujë
Nga reshjet e shiut në 24 orët e fundit janë përmbytur rreth 150 ha tokë bujqësore.
08:00 Panariti: Edhe sot shi, vazhdojnë evakuimet
Nga Laçi gjatë njohjes nga afër me situatën e përmbytjeve, ministri Panariti u shpreh se "Për fat të keq tendenca është që të kemi reshje.
Sot dhe pasnesër do të kemi përsëri shi. Kështu që do të përgatitemi për evakuim të popullatës.
Ndërkohë kanali i ujërave të larta është plot. Ka tendencë për të derdhur ujin edhe në tokat përreth duke rrezikuar edhe vendbanimet.
Do të tentojmë të zhbllokojmë grykat e kanaleve. Do të vëzhgojmë situatën dhe do të ndërhyjmë" tha ai.
07:00 Gjashtë familje janë evakuuar në Laç
Në Laç kanë mbërritur forcat e ushtrisë për t'u ardhur në ndihmë banorëve. Mjetet e bordit të kullimit kanë nisur punën për riparimet e pjesëve të dëmtuara të përroit që doli nga shtrati.