Përse e dorëzoi mandatin e deputetit Saimir Tahiri?

Përse e dorëzoi mandatin e deputetit Saimir Tahiri?

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

Saimir Tahiri, përmes një dalje publike, bëri të ditur se, që nga dita e sotme, ai nuk do të jetë më deputet i parlamentit shqiptar dhe se do hetohet, gjykohet si çdo qytetar i zakonshëm. Ishte një dalje disi e papritur e tij, megjithëse, pas kulisave, ishte thënë se mund të kishte një lëvizje të re politike nga ish ministri i brendshëm.

I lodhur nga gjithë vala e akuzave që përplaset çdo ditë mbi të, nga një rreth i ngjeshur opozitarësh, të cilët tash sa kohë e kërkojnë me ngulm kokën e tij, duke e parë si një rrugë drejt pushtetit; i mënjanuar nga jeta politike nga të djeshmit e tij, tashmë deputet i pavarur, pra në një tokë të askujt; i vënë në shenjë edhe nga qarqe jashtë Shqipërisë, predikimi i të cilëve lidhet me emrin e tij të ngjeshur pas integrimit evropian të vendit; në një fazë të re hetimi për figurën e tij, ku tashmë po zgjerohet rrethi duke bërë një qark të madh, që nga shoqëruesit e tij dhe deri tek ata që kanë kultivuar apo shitur lëndë narkotike, ai gjti rrugën e përshtatshme, ndoshta të vetmen, për të dalë në një ring politik e hetimor, krejt i vetëm, i bindur se ka të drejtë, çka koha do e saktësojë, do apo nuk do ai.

Fjala e tij e ndarjes nga jeta parlamentare, e ndërtuar në dy pjesë, njëra e pritshme dhe tjetra e menduar,por jo e ditur, do të sjellë hipoteza nga më të ndryshmet, njëra nga të cilat, ndoshta më e rëndësishmja do të jetë për shumë kohë: përse e dorëzoi ai mandatin e tij; pse pikërisht në këtë kohë; cilat forca ndikuan në tërheqjen e tij politike për të ndërtuar një mbrojtje thjeshtë juridike; kush qëndron pas aktit të tij të dorëheqjes; është një pakt i tij i heshtur me drejtësinë; është një marrëveshje e fshehtë mes tij dhe Edi Ramës; ka pasur një premtim për të ardhmen për të bërë këtë veprim të sotëm; ndjehet ai aq i sigurtë sa që mund të mbrohet edhe jashtë imunitetit që i është dhënë; ka forca nga jashtë Shqipërisë që kanë ndikuar tek ai…

Janë shumë pyetje që do të shtrohen marramendshëm shpejt, bile, kanë filluar të shtrohen. Saimir Tahiri është njëri ndër figurat politike më të njohura të socialistëve dhe, nga shumëkush, deri para largimit të tij nga posti i ministrit të brendshëm, numërohej si njëri nga zëvendësuesit e mundshëm të Edi Ramës në drejtimin e PS-së.

Ai ishte krahu i tij i djathtë, njëri nga drejtuesit e fondacionit “Qemal Stafa”, që tani më duket se është një gjë e harruar, figura që mund të ngrinte lart rolin e Policisë shqiptare dhe që në fillimet e punës së tij, e bëri këtë. Harresa e emrit të tij nuk mund të vijë nga tërheqja e mandatit të deputetit. Përkundrazi ata do të lidhen bashkë, sido që të jetë fundi i kësaj historie.

Asnjëri e as tjetri nuk mund të shkëputen, dhe, pavarësisht se ai nuk është më pesë e strukturave të socialistëve, duart në politikë nuk lahen kaq shpejt si Pons Pilati i fillimit të erës së re. 

Saimir Tahiri, në pjesën e parë, më të gjerë, të fjalës së tij, si ishte pritur, u ndal tek ata që po e gjykojnë. Shpërthimi i tij është i natyrshëm, pasi lukunia që është në pjesën tjetër të barrikadës që kanë ngritur vetë, janë aq të përmjerrur, sa që do të ishte gjëja më normale të mos ishin fare në atë parlament.

Përqendrimi i fjalës së tij në dy figura, të cilat, megjithë krimet e ndodhura, nuk janë gjykuar kurrë, Berisha e Basha, ishte gjetja e tij për të dhënë mesazhin se ai po ndeshet me baltën dhe akuzat e një race të politikës, e cila në mëkatet e saj të mëdha ka vjedhjet, shpërdorimet, vrasjet dhe zhdukjen e njerëzve.

Në pjesën e dytë, ai, duke parathënë se qenka akuzuar edhe si pengesa më e madhe e integrimit të shqiptarëve drejt Evropës, shkurt deklaroi se tërhiqet nga mandati i tij dhe se, që tani e tutje, si çdo njeri i zakonshëm në Shqipëri, pret vazhdimin e gjithë procesit që është ngritur kundër tij.

Pyetja e parë: Pse tani?
Ka gjashtë muaj që ai ndjen mbi vete gjithë akuzat e mundshme, që nga më hileqari i opozitës dhe deri tek figurat pushtuese të saj. Ka gjashtë muaj që nuk është më pjesë e grupit parlamentar të P-së, i larguar pa dashjen e tij nga strukturat e partisë, i linçuar nga një pjesë e madhe e mediave. Pra, nuk është punë një a dy javësh, por gjashtë muajsh.

Si duket e shtynë dy gjëra të mëdha: ai kishte kërkuar të flasë në seancën parlamentare, por nuk i është dhënë fjala.

Kjo do të ndodhte edhe kësaj here. Fjala e tij nuk ishte parashikuar dhe do të mënjanohej. Së dyti, kupa që mund të derdhej kërkonte një pikë të fundit: dhe si duket ishte furtuna e ngritur nën akuzën se ai po bëhet pengesë e rrugës sonë evropiane.

Jo pikë bëri të mundur edhe shpërthimin. Pyetja e dytë: a ka një marrëveshje të heshtur mes tij dhe strukturave të drejtësisë, si një lëvizje politike e gjetur në këtë moment dhe një heshtje e shtyrë në kohë në strukturat hetuese.

Po të kishte ndodhur kjo dy apo tre vite më parë, do të ishte gjëja më normale të mendohej. Koha dëshmoi se prokuroria e shtetit ishte qelbur në kokë dhe, në vend të njerëzve të përkushtuar, kishte sekserë tokash, përvetësues pronash, pronarë të mëdhenj të objekteve të banimit apo të punësimit.

Por, në këtë kohë, një Pazar i tillë, kur gjithçka është nën dy sita të ngjeshura: Vetingu dhe syri i ndërkombëtarëve, është thuajse i pamundur.

Pak kush do të mund të merrte përsipër riskun e një veprimi të tillë. Pak kush mund të ngrinte një ngrehinë të tillë marrëveshje, ku shembja e të cilës do të groposte jo vetëm Tahirin, por edhe “ ustallarët” e tjerë.

Nga ana tjetër, në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme është tashmë një zonjë, që shumë shpejt, edhe vetë socialistët në pushtet nuk do të ndjehen të qetë me të, Arta Marku.

E mbështetur nga të gjitha strukturat ndërkombëtare dhe e vendosur për të bërë aktin e madh të ndryshimit, ajo, si më thotë një koleg i saj, edhe mund të thirret nga Rama, por nuk do të mund të nënshtrohet kurrë e nuk do të bëjë asnjëherë pazare që do e rëndonin emrin e jetën e saj.

Arta Marku, shumë shpejt, do të jetë krejt ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim një prokuror llallian.

Pyetja e tretë: A qëndron Edi Rama pas aktit të dorëzimit të mandatit të Tahirit?
Kjo është pyetja që do të bëhet më shumë se gjithçka tjetër. Duan apo nuk duan socialistët, Rama dhe Tahiri, jo vetëm në sytë e opozitës, janë dy emra të lidhur, për vetë të shkuarën politike të përbashkët.

Divorci, jo vetëm politik, mes Ramës dhe Tahirit, është bërë gjashtë muaj më parë. Miku i ngushtë u bë një dru i shtrembër dhe sado të jetë i qetë Tahiri në logjikën e tij, përsëri ajo çështja e drurit të shtrembër mbetet. Aq më shumë ajo tjetra “e zhgënjimit më të madh”.

Alibia se Rama kërkon një njeri, si kokë turku, për të marrë rekomandimin për fillimin e hapjes së dyerve të bashkimit Evropian, tashmë është një temë e largët, pasi, as Tahiri, në qoftë fajtor, dhe askush tjetër, fajtor a jo, nuk mund të marrë mbi vete rrezikimin e një jete për hir të një inati politik.

Edhe para se të shkonte në Gjermani, shefi i qeverisë, Rama, e ka ditur mirëfilli se në takimet me miqtë e opozitës, do të flitej, deri diku, ashtu si flet opozita. Ishte një tregim i paralajmëruar. Nëse do të kishte bërë një pakt të tillë me Tahirin, ai do të synonte para se të trokiste në dyert e zonjës Merkel, pra do të kishte një as të fortë në dorë.

Pyetje e katërt: a qëndrojnë ndërkombëtarët pas aktit të Tahirit?
Do të ishte gjëja më normale që, në rrugë të tërthorta, përfaqësues të huaj në Shqipëri, të dërgonin mesazhin e tyre të kuptueshëm se, do të ishte më normale, nëse Tahiri do të hetohej e ndoshta gjykohej, pa patur imunitetin e tij parlamentar.

Diplomacia e vendosur në Shqipëri e di fare mirë se jo pak krime janë fshehur pas imunitetit. Një krim flagrant, me 36 viktima, në Gërdec, kishte fshehur pas imunitetit dy deputetë të qeverisë së kohës: Mediun, si ish ministër i Mbrojtjes dhe, Aldo Bumçin, si ish ministër i drejtësisë që e kishte vënë institucionin e tij nën urdhrat e Shkëlzen Berishës.

Ky precedent kishte shkuar më tej me Bashën, por edhe zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, e cila, me urdhrin e shefit të qeverisë, u bë pjesë e një mini-grusht shteti, duke refuzuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme në aktet e saj.

Ndaj, do të ishte e arsyeshme nëse ndërkombëtarët, që në fakt po trazohen më shumë se sa vendorët për drejtësinë, të bënin një ndërhyrje të tillë, qoftë edhe si shenjë nga larg. Nuk ka ndodhur. Asnjë e dhënë e tillë nuk do të shfaqet, por, fare mirë e di se ata janë ndjerë të liruar nga një ngërç, që erdhi si një kumt i gëzuar kur pak e prisnin.

Pyetja e pestë: ndjehet aq i sigurt Tahiri në qëndrimin e tij ndaj gjithë akuzave të ngritura, aq më tepër në kohën e fillimit të një komisioni parlamentar, i cili kërkon me ngut kokën e tij dhe nuk lejon të shikohet problemi në gjerësinë e shtrirjen e tij.

Si duket, ai ndjehet i sigurt. Informacionet që vijnë nga shtetet fqinje, deri tani, nuk e ngarkojnë atë me asnjë akuzë konkrete. Nuk ka, deri tani, asnjë provë që mund të rëndojë në pozitën e tij juridike dhe, ai e di këtë fare mirë.

Saimir Tahiri bëri sot një akt lirie, në radhë të parë, ndaj vetes. Por, edhe për të tjerët, që janë marrë e po merren me rastin e tij. Askush nuk e ka ndër mend të bëjë rastin e tij si të një viktime të pafajshme, por edhe askush nuk mund ta bërë atë fajtor të pafaj, vetëm për hir të pushtetit.

Koha po tingëllon ndryshe e shumë shpejt do të ketë kambanat e saj. Kush do i dëgjojë? Vetëm ata që kanë veshë./Dita/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 04/05/2018 11:02

    Z. Bedri, nje keshille miqesore. Duhet t'i shkruani me shkurt analizat tuaja me 5-6 paragrafe, s'ka nerva kush te lexoje kaq gjate.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Makinisti hidhet nga treni me shpejtësi të lartë! Bllokohen mijëra udhëtarë

Francë/ Makinisti hidhet nga treni me shpejtësi të lartë! Bllokohen mijëra udhëtarë