Të shkosh dy herë në ditë në një plazh publik, në një nga zonat më të bukura dhe të mbrojtura të Salentos në Puglia është një eksperiencë jete. Dunat rënore të zonës së Maruggio-s, mes Tarantos dhe Galipollit janë një spektakël për syrin dhe për nuhatjen: ngjyrat e rërës së bardhë, aromat e bimësisë mesdhetare me sherebelë, rigon, trumzë, rozmarinë si dhe ngjyrat e Jonit që kalojnë nga jeshilja në blu sa hap e mbyll sytë, janë dehëse për këdo. Komunat e Tarantos në këtë pjesë të Puglias nuk janë edhe aq të pasura, madje, janë vërtetë shumë modeste dhe kjo duket  me sy të lirë pasi, asgjëkundi nuk ka luks. Nëse të gjithë dynden në plazhet e famshme të Porto Cesareo dhe Gallipolit, në këtë kënd të bregdetit jonian nuk ka shumë turistë të huaj, vetëm pushues lokalë. Por pikërisht kjo gjë e ka shpëtuar dhe e ka lënë shumë të veçantë. Pesë ditë mes tyre, në plazhin e lirë mes dunave me rërë e bimësi, kuptuam se çdo të thotë ta duash vërtetë mjedisin që të rrethon pa rrahur gjoksin se je patriot.

Bashkia e zonës ka krijuar disa pasarela prej druri bërë bukur e thjeshtë për të shkuar nga rruga në plazh pa shkelur e dëmtuar bimësinë, por kryevepra e vërtetë janë njerëzit. Në gjithë plazhin nuk ka asnjë kosh plehrash për be, por, në fund të ditës, në rërë nuk sheh të lënë asnjë copë letër, asgjë, shishe e kanoçe jo e jo! Sado herët të dalësh në plazh, sado afër detit të mendosh se e ke vënë çadrën apo shezlongun tënd, do të vijnë patjetër ose të rinj, ose të moshuar që do të ta kalojnë; me çadrat apo karriget e plastikës e shijojnë detin vërtetë direkt në det. Por ky fenomen nuk është shkas për sherr nga askush. Fillimisht, kur nuk i njeh, frika plluskon në ajër se mos dikush nxehet se një tjetër i është ngjitur tepër, por jo! Ekziston një kod paprepkshmërie gati në perfeksionin e një koshreje blete. Edhe kur një familje me 4 anëtarë, mes tyre tre superobezë, u vendosën para të gjithëve, u duk qartë se askush nga “të parakaluarit” nuk e vuri në diskutim se të sapoardhurit e meritonin këtë akses të kollajtë në det.

B&B ku qëndruam 5 ditë ishte një vilë familjare e shndërruar me dhoma për akomodim. Pronari, një ish-drejtor banke, na bënte kafen përditë e kujdesej vetëm që mëngjesi të ishte i mire dhe nuk lodhej duke dhënë informacionet më të sakta për zonën. Njësoj si vlonjatët tanë, janë të lindur buzë detit, por hanë dhe preferojnë gatimet me mish. Duke shkuar me një çadër dhe dy shezlongë, më vonë kuptuam se shoqëri dhe familje të tëra ishin profesionistë të stërvitur të plazhit të lirë: deri në 8 çadra, karrige, termusë për pije e ushqim, kalonin fundjavën nga mëngjesi në perëndim mes bisedash, notit, lojërave, ushqimit pa bërë pis dhe pa bezdisur njeri. Në këtë pjesë të thjeshtë të Puglia-s në Itali, banorët e kanë shndërruar në një kryevepër njerëzore eksperiencën në plazhin e lirë publik. Një pakt harmonie me bukurinë që i ka falur Natyra dhe me njëri-tjetrin, sidomos.