Juristi Kreshnik Spahiu ka reaguar në lidhje me pezullimin e fluturimeve në Rinas për shkak se kontrollorët ndaluan punën duke shpallur paaftësi, me arsyetimin se janë të stresuar si pasojë e shkurtimit të pagave.

Me një shënim në Facebook, Spahiu sjellë disa raste nga vende të ndryshme të botës, ku kompanitë ajrore u detyruan të shkurtonin personel, apo edhe u mbyllën, si pasojë e krizës që solli pandemia e COVID.

 E ndërsa kontrollorët shqiptarë janë të pakënaqur që rroga 4000 euro, ju shkurtua disa muaj në 2400 euro.

“Lufthana ka nxjerrë 60% personelit pa punë, Alitalia ka shkarkuar 30% personelit, në Berlin u mbyllën 2 aeroporte: Tegel dhe Schönefeld. 100% e kontrolleve gjerman dolën papunë.British-Airëay ka shkurtuar 28% punonjësit.Afro 20 kompani fluturimi kanë shpall falimentin.Zyrtarisht fluturimet në 2021 janë ulur 50% për shkak të Pandemisë.Kontrollorët shqiptar janë të pakënaqur që rroga 4000 euro, ju shkurtua disa muaj në 2400 euro”, shkruan Spahiu.

Paraditen e sotme kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet  në Aeroportin e Rinasit. Ulja e pagave nga 4500 dollarë në 2400 dollarë të kontrollorëve të trafikut ajror ka ndodhur si pasojë e rënies së fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të pandemisë që ka sjellë pezullimin e tyre në të gjithë botën. Nga prilli 2020 paga e tyre ka pësuar ulje pasi vetë trafiku ajror ka rënë me -57 % ose thënë ndryshe aeroporti i Rinasit gjatë viti 2020 ka punuar me 43 % të trafikut ajror krahasuar me 2019.