Pezullimi i fluturimeve në Rinas, reagon Meta: Ndërprerja e punës nuk është zgjidhje! Siguria e hapësirës ajrore, është çështje e sigurisë kombëtare

Pezullimi i fluturimeve në Rinas, reagon Meta: Ndërprerja e punës nuk është zgjidhje! Siguria e hapësirës ajrore, është çështje e sigurisë kombëtare

Presidenti Ilir Meta në një reagim zyrtarë në rrjetet sociale thekson se është shumë i shqetësuar në lidhje me situatën që po zhvillon ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore.

Meta thekson se ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje dhe se siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare

‘Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre.

Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje.

Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.

I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.

Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gadishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që:

- Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar;

- Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;

- Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore;

- Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.

Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare. ‘- shkruan Meta.

Pak ditë më parë presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti me kërkesë të tyre një përfaqësi të “Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror”, të cilët në mënyrë të vazhduar kanë përcjellë pranë institucioneve shtetërore, shqetësimin lidhur me vendimmarrjet e Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë “Albcontrol” sh.a, që sipas tyre ju kanë cenuar të drejtat legjitime si punëmarrës.

Sipas përfaqësuesve të kësaj Sindikate, vendimmarrjet e Këshillit kanë shkelur një sërë rregulloresh dhe manualesh, që lidhen me ruajtjen e sigurisë së operimit të trafikut ajror në hapësirën ajrore shqiptare, duke vënë në rrezik individualisht dhe kolektivisht të gjithë trupën e kontrollorëve të trafikut ajror, shoqërinë “Albcontrol” sh.a. por njëkohësisht dhe sigurinë e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.

 


Lajmi kryesor:

Rama: Bojkotimi i punës në Rinas vepër penale, frymëzuesit janë Saliu dhe Iliri! Basha: Rama të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve! Meta: Të rinisë puna


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë