Në Galerinë e Arteve në Pogradec është çelur mbrëmjen e së premtes ekspozita "Qyteti i Dehur" e piktorit Anastas Kostandini. Rreth 50 punime në pastel janë ekspozuara si copëza jete nga qyteti i Pogradecit.

Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, artdashës, artistë dhe personalitete të kulturës, të cilët vlerësuan ciklin më të ri të autorit.

Sipas piktorit, "Qyteti i Dehur" lidhet me atmosferën dhe emocionet që i ka përcjellë Pogradeci ndër vite. Punimet sjellin në qendër njeriun e thjeshtë, detaje të qytetit të dikurshëm dhe elemente të trashëgimisë artistike e kulturore.

“Kjo është një temë që lidhet me intimitetin e qytetit. Doja të tregoja tepër nejrëzore, mënyrën si e përjetojnë njerëzit qytetin e tyre. Ky është një qytet pa kohë, s’ka rëndësi nëse është në kohën e diktaturës a të sotme sepse vetë jeta është pa kohë. Është ‘qyteti i dehur’ sepse unë jam i dehur nga qyteti”, thotë piktori.

Autoritete të letërsisë, kulturës dhe artiti e konsiderojne krijimtarinë e piktorit Anastas Konstandini si një dëshmi të pasur artistike dhe njerëzore.

“Balzaku do të thoshte skena të jetës pogradecare. Ka brenda një ngut të madh për t’i fiksuar disa skena të cilat nga përparimi i teknologjisë dhe industrializimi, po humbasin”, thotë shkrimtari Primo Shllaku.

“Dal nga kjo ekspozitë me një emocion të jashtëzakonshëm sepse më pëlqen jo vetëm arti i tij madhështor, por edhe tematika që ka kapur. Ai ka zgjedhur njeriun e thjeshtë dhe nuk ka kohë, s’mund të thuash është mesjetë apo tani”, shprehet kompozitori Jani Papadhimitri.

“Nëse deri dje thoshim që Pogradeci ka një shpirt dhe ishte Lasgushi me poezinë e tij, sot simotër e saj është piktura. Një shpirt të madh që ka Pogradeci është e Anastas Kostandinit ose Taso Pogradecit”, thotë shkrimtari Skënder Demolli.

Ekspozita "Qyteti i Dehur" do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve në Pogradec deri më 1 gusht. Ky cikël vjen në vazhdën e dy ekspozitave të mëparshme me motive të ngjashme.