Piktura e punuar nga artisti Francez Henri Matisse në vitin 1925, e cila mendohet se vlen rreth $3 milionë dollarë, është rikthyer në Venezuelë një dekadë pasi u vodh nga një muze në Caracas.

Piktura quhet “Odalisque me pantallona të kuqe” dhe mendohet se është vjedhur nga sektori i Artit Bashkëkohor në vitin 2002 ndonëse lajmërimi për vjedhjen e saj u bë kohë më vonë pasi hajdutët ishin kujdesur të vinin një pikturë fallco në vend të saj.

Piktura u prit nga vetë Ministri i Kulturës së Venezuelës, Fidel Barbarito i cili u shpreh se piktura ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte dëmtime në strukturë. Ministri tha se pas kalimit në procesin e “klimatizimit” restaurues prej 72 orësh piktura do të ekspozohet sërisht në muze pas dy javësh.

Piktura ishte e mbështjellë në një kuti të bardhë dhe u soll në aeroportin e Caracas pas autorizimit për kthimin e saj nga një gjykatë në Florida.

Marrja e pikturës u bë e mundur pas një aksioni policor të FBI-së në vitin 2012-të, për vjedhjen e të cilës u arrestuan mjaft persona. Ajo ishte blerë nga Muzeu i Caracas në vitin 1981 për $400,000 dollarë në një galeri në New York.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)