Një 21-vjeçare shtatzënë nga Fushë Kruja është dërguar me urgjencë në maternitet para 10 ditësh, pasi kishte konsumuar 44 kokrra paracetomol me qëllim për të abortuar, ndërsa pas komplikacioneve ka humbur fëmijën para 2 ditësh.
 
Sipas policisë së Durrësit pas ndërhyrjes së mjekëve në maternitet në Tiranë foshnja është nxjerrë në gjendje të vdekur.
 
21-vjeçarja është dërguar nga familjarët në maternitet, ndërsa mësohet se nuk ishte e martuar.
 
Policia e Durrësit deklaron se janë njoftuar nga salla operative Tiranë një ditë pas ngjarjes.

Aktualisht 21-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. 

Njoftimi i policisë
Më datë 13.10.2016, rreth orës 17:30, jemi njoftuar nga Salla Operative Tiranë, se më datë 12.10.2016, rreth orës 18:00, ka shkuar në spital, për lindje shtetësia S.Z. 21 vjeçe, banuese Fushë-Krujë, ku pas ndërhyrjes është bërë e mundur nxjerrja e fëmijës në gjendje të vdekur, ndërsa shtetësia e mësipërme ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
 
Vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.



dy.b/shqiptarja.com