Pjesë nga biseda e Kryetarit të PS, Edi Rama
me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Vlorës

Pjesë nga biseda e Kryetarit të PS, Edi Rama<br />
me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Vlorës
Përshëndetje!

Faleminderit shumë që keni ardhur kaq të shumtë në numër. Në fakt, dëshira ishte ta bënim në universitet, por ju e dini se universiteti është pak si me grip këto kohë dhe e bëmë këtu këtë bisedë.

Besoj se e keni ndjekur pjesën e këtyre bashkëbisedimeve, nuk është një miting, as një mbledhje për të mbajtur një fjalim dhe ju vetëm dëgjoni, por është një bashkëbisedim.

Unë me shumë kënaqësi do t’u përgjigjem pyetjeve që ju mund të bëni, me shpresën se do mund të ezaurojmë kuriozitetin lidhur me programin tonë, pozicionet tona në raport me çështjet që lidhen me shkollën, por jo vetëm me shkollën. Sigurisht që, bashkëbisedimi është i lirë e ju mund të pyesni edhe për gjëra tjera që ju duken me interes, për qytetin, qarkun dhe vendin. Shkurt është një bisedë krejt e lirë kështu që le ta fillojmë pa u zgjatur.

Pyetje: Përshëndetje të gjithëve. Unë jam student i inxhinierisë mekanike dhe do të doja t’u bëja një pyetje. Ne që diplomohemi për shkenca si do të vazhdojmë më vonë, do punojmë kamerier e banakier apo qeveria juaj do të ketë ndonjë zgjidhje?

E kemi nisur me pyetje të vështira. Dakord. Problemi i vlerës së diplomës, sot, në fakt lidhet me një kuadër kompleks gjërash që fillon besoj unë që nga masivizimi përtej çdo lloj logjike përveçse çdo lloj standardi e kriteri i universiteteve. Ky masivizim në këndvështrimin tim e ka burimin tek një zgjedhje tërësisht e gabuar dhe hileqare e qeverisë për të mos u përballur me papunësinë rinore, duke blerë qetësi për disa vite përmes joshjes së të gjithëve drejt universitetit, duke u thënë të rinjve e prindërve se ja ku është universiteti, dyert janë të hapura, dritaret janë të hapura, edhe nga çatia mund të hyni, shkoni. Kjo e shoqëruar me katastrofën e madhe të licencimit pa asnjë karar të universiteteve private që po i afrohen numrit 100. Vende të zhvilluara europiane ka në një numër shumë të kufizuar universitetesh private. Shqipëria e ka numrin më të madh në Bashkimin Europian, madje, ne kemi aq universitete private sa ndoshta mund të kenë shumë vende të marra së bashku. Përtej kësaj, qëndron ajo që ju e dini mirë, mungesa e plotë e standardeve që vjen si pasojë edhe e mungesës së një sistemi të besueshëm të akredimit të universiteteve. Kjo do të thotë se nga kjo anë jemi të papërgatitur për të nesërmen dhe politikat e sotme s’kanë një përgjigje për gjithë ata të rinj që studiojnë nëpër universitete dhe pas studimeve, pasi kanë shpenzuar një pjesë të madhe në mos të gjitha kursimet e familjes, gjenden me një diplomë në dorë dhe pa punë. Kamerier është fat i madh, sepse nuk është se është e sigurt. Nga ana tjetër është lidhja e ekonomisë me universitetin, lidhja e tregut të punës me universitetin, lidhja e programeve të zhvillimit me universitetin, çka sot nuk ekziston. Për shembull ne kemi dëgjuar, ju keni dëgjuar, se bëhen fjalime të mëdha dhe është ndërmarrë një aksion i madh edhe ai me probleme të mëdha, por nuk është kjo tema këtu, për të dhënë koncesione për vepra hidroenergjike dhe ndërkohë që prej vitesh tanimë ka një politikë të hapur për koncesionet, pa i hyrë se si është, nuk ka asnjë masë që të lidhi këtë politikë me politikën arsimore. Çfarë dua të them? Po ndërtohen disa vepra energjetike dhe nuk ka krah të kualifikuar të punës, nuk ka teknikë të mesëm, nuk ka as kuadro të larta për t’u përfshirë në këto projekte. Aq e vërtetë është kjo saqë në një nga këto vepra, kompania që po investon po hap edhe një shkollë profesionale për t’i trajnuar dhe për t’i bërë gati teknikët që i duhen që nesër të mund të funksionojë investimi. Çfarë do të bëjmë ne?

Do të bëjmë atë që duhet të ishte bërë me kohë dhe që nuk është shpikje, por është ajo që ndodh në çdo vend normal. Për nxënësit e shkollës së mesme duhet të ketë dy rrugë; universiteti për ata që e meritojnë dhe që duan të bëjnë studime të larta dhe zanati për të tjerët.

Sot ne kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në Europë, por po të kërkosh një elektricist zor se e gjen, hidraulik as nuk diskutohet, me radhë teknik në bujqësi, teknik në naftë, teknik në sistemin energjetik dhe me radhë mungojnë. Para pak ditësh isha në Portin e Durrësit në një takim me komunitetin e peshkatarëve. Praktikisht aty janë tretur të gjitha ato zanate që lidhen me peshkimin dhe ata që kanë mbetur të fundit aty si dinozaur në port janë praktikisht në moshë pensioni. Pyetja lidhet me faktin se me mbarimin e shkollës, struktura ekonomike e vendit nuk është e ndërtuar në mënyrë të atillë që të thithë këto burime njerëzore që dalin nga universiteti. Sfida është kjo se si të bashkojmë këto të dyja duke e lidhur edhe universitetin me tregun e punës dhe me ekonominë dhe me programin tonë të zhvillimit të ekonomisë. Kjo është sfida.

Pyetje: Përshëndetje zoti Rama, jam pedagoge pranë departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Së pari profesorati gjendet përpara auditorëve tejet të mbushura dhe duke qenë tejet të mbushura, detyrimisht që në fund të studimeve të këtyre viteve studentët pajisen me diploma, ka edhe nga ata studentë që nuk vijnë të interesuar për atë që dëgjojnë, por vijnë për të marrë diplomën. Në mometin që marrin diplomën, si rrjedhoje e sasisë së madhe të studentëve, kur dalin në jetë, koordinimi i politikave të institucioneve mësimdhënëse me ato punëdhënëse janë të dështuara. Si e tillë ne kemi studentë të cilët janë tejet të dobët, por janë të punësuar dhe ka studentë mjaft të mirë e të pjeku,r por janë të papunësuar. Si është menduar t’i jepet një zgjidhje kësaj të cilën e kemi diskutuar vazhdimisht, thjesht për një bashkërendim të institucioneve arsimdhënëse dhe punëdhënëse?

Kjo prek një aspekt tjetër të strukturës sonë shoqërore sot që nuk lidhet me meritën, por lidhet me korridoret që nuk hapen falë meritës, por falë të tjera mekanizmash. Këtu sfida është ende më e madhe sepse unë besoj se ne kemi nga njëra anë studentë të aftë dhe të reja e të rinj që mbarojnë universitetin e janë plotësisht të përgatitur për t’i shërbyer këtij vendi në administratën publike, në sistemin arsimor, dhe me radhë, duke garantuar standarde më të larta shërbimi për vendin e qytetarët, ndërkohë që, fatkeqësisht, kjo nuk do të thotë asgjë pasi burimet njerëzore që thithen nga shteti siç e thashë çmohen mbi të tjera kritere.

Por, duke ardhur tek gjuha dhe letërsia, unë besoj se edhe në këtë aspekt ne kemi një sfidë shumë të madhe. Ne po humbasim vit pas viti, cilësisht në përdorimin e gjuhës sonë dhe po humbasim vit pas viti në mësimdhënies e gjuhës dhe letërsisë në shkollë. Ashtu sikurse po humbasim, dhe nëse nuk marrim masa emergjente brenda pak vitesh ne mund të gjendemi pa mësues matematike, pa mësues fizike, pa mësues të këtyre shkencave ekzakte, që sot kanë gjithmonë e më pak prodhimtari nga universiteti për shkak se përgjithësisht prirja është në fusha të tjera. Sfida është nga njëra anë të ndërtojmë një administratë meritokratike. Për shembull unë besoj se ndryshimi i metodës së rekrutimit të mësuesve në sistemin parauniversitar do të jetë një mekanizëm që do të ndihmojë. Ne duam që mësuesit në sistemin parauniversitar, për shkollat nëntë vjeçare dhe të mesme të mos rekrutohen më pa pjesëmarrjen e prindërve.

Pra, në qoftë se një shkollë 9 vjeçare do të fillojë vitin shkollor, do të duhet që vlerësimi për çdo mësues të bëhet nga një bord ku të marrin pjesë përfaqësuesit e qeverisë, ekspertët përkatës dhe përfaqësuesit e prindërve. Pa miratimin e përfaqësuesve të komunitetit të prindërve, mësuesit nuk do të mund të marrin vlerësimin e tyre për të vazhduar normalisht punën e tyre. Kjo do të bëjë që kërkesa për të rritur cilësinë do të jetë më e garantuar dhe partia nuk do të ketë më asnjë lloj vetoje për të vendosur se kush do të jetë drejtori dhe kush do të jetë mësuesi i fëmijëve. Sa më larg partia nga shkolla aq më shumë garanci për cilësinë e burimeve njerëzore që rekrutohen si mësues apo si drejtues besoj.

Pyetje: Përshëndetje, në universitetin e Vlorës kemi degët parashkollor dhe cikël i ulët. Unë do të doja të ndaja një shqetësim, nëse hedhim një sy listave të studentëve që vijnë në vitin e parë në këtë degë, nuk dua të bëj ndonjë gabim këtu, por mesatarja e shkollës së mesme nuk shkon më shumë se sa 6. Unë e kam diskutuar sa herë më është dhënë mundësia këtë problem dhe do të doja që një formë sugjerimi do duhet të shihet për një politikë të fortë në këtë drejtim. Ne e dimë se pasi mbarojnë shkollën e mesme, në zonat rurale, por edhe në qytetet urbane ku ka probleme sociale, mund të ketë vajza e djem që të përfundojnë shkollën e mesme me 7.5, 8 apo më lart, por nuk kanë mundësi të vazhdojnë një shkollë më të lartë. Atëherë nuk e di se sa do të ishte e mundur që në formën e bursave të fillojë të zhvillohet një politikë pasi këto janë degët ku nuk futen ata që siç e thamë shkojnë tek ato degë për të cilat për metër katror jua kemi kaluar të gjithëve. Nuk e di se sa do të vonojë që të bien serenat e alarmit për ciklin e ulët dhe atë parashkollor pasi çdo teori i konsideron si bazat. Cikli i ulët ma merr fëmijën në qafë pasi m’i jep bazën e letërsisë, matematikës, pra unë jam shumë e ndjeshme në këtë pikë.

Aq më tepër që sot ndeshemi me faktin tronditës që 57% e 15 vjeçarëve sipas raportit të Bankës Botërore janë analfabetë funksionalë. Domethënë një në dy ka mësuar shkrim e këndim por nuk e vë dot në funksion. Kjo, sigurisht, vjen nga rrënimi i sistemit të shkollës fillore dhe 9 vjeçare. Tani, ne nuk mund të shkojmë dot më tutje kështu pa e filluar nga një operacion që është shumë i vështirë, por shumë i rëndësishëm, që është akreditimi i universiteteve dhe pastaj edhe i shkollave të mesme. Në radhë të parë duhet të kemi universitetet dhe shkollat e mesme të akredituara dhe me nivele vlerësimi që ta dinë prindërit, nxënësit, studentët që po shkoj këtu dhe këto janë standardet, ky është niveli këtu e aty. Ose, që të jetë e qartë se këtu nuk shkohet, sepse nuk ka asnjë standard dhe asnjë lloj niveli. Paralelisht me akreditimin ne duhet të ndryshojmë komplet sistemin e hyrjes në universitet, por ama duke hapur korsinë tjetër, që kush nuk ka mundësi të vazhdojë universitetin ose nuk ka dëshirë të vazhdojë ka mundësi të marri një zanat e jo të ngelet krejtësisht në rrugë pa asnjë alternativë tjetër. Duke rikthyer kështu konkurencën për futjen në universitet, duke vendosur meritën në gjithë procesin e konkurencës, pastaj shteti duhet të marrë përsipër mbështetjen e të gjithë atyre që meritojnë të vazhdojë universitetin, por nuk kanë mundësi ta paguajnë. Këtu është roli i domosdoshëm i politikës arsimore. Ne e kemi këtë në programin tonë, ne do të mbështesim çdo talent dhe çdo individ të aftë e të vlerësuar në procesin e ndjekjes së studimeve që nuk ka mundësi financiare për ta bërë këtë vet.

Pyetje: Përshëndetje zoti Rama. Pyetja ime lidhet me skemën e financimit të universiteteve në të ardhmen. Në të gjitha universitetet sot ne kemi një pagë të fiksuar, kemi një numër studentësh aq sa kërkojmë madje na jep shteti edhe më shumë, kemi fonde që na jep shteti për kërkimin shkencor. Nuk e di cili është vizioni juaj për të ardhmen dhe skemën e financimit të universiteteve?

Sa më shumë të zgjerohet dhe të hapet për kaosin dhe rrëmujën universiteti, në kuptimin jo një universitet, por gjithë sistemi, aq më për lumë shkojnë edhe burimet financiare. Ndërkohë që, ne e para jemi kundër disa ideve dhe disa propozimeve që paratë publike të shkojnë për të financuar universitetet private. Kjo nuk mund të bëhet! Ndërkohë që nga ana tjetër jemi absolutisht pro, që ti japim autonomi financiare më të madhe universiteteve, ti krijojmë kushte dhe të hyjmë me universitetin në marrëdhënie partneriteti edhe në funksion të studimit dhe realizimit të ideve, por edhe më tutje se kaq. Universiteti duhet që të lidhet me tregun e punës. Universiteti duhet të funksionojë si një burim mbështetjeje për kompanitë, si burim mbështetjeje për aktivitetet e ndryshme në sipërmarrje, si burim mbështetje për aktivitete të caktuara të vetë qeverisë. Ju e dini shumë mirë se në botën normale, qeveria, agjenci të ndryshme shtetërore, ministri të ndryshme, projekte ia porosisin universitetit. E financojnë universitetin indirekt duke përfituar shërbime nga universiteti. Sot, universiteti jeton i shkëputur nga i gjithë bota reale, është vetëm një territor i mbyllur në vetvete, që përballohet me një problematikë shumë të rëndë që lidhet me atë që e prekët edhe ju, mbingarkesën në njerëz, në volum orësh pune, mbingarkesën në gjithë procesin e vet të brendshëm çka sigurisht e ul shumë cilësinë. Ndaj, ne do të synojmë që universitetit t’i japim cilësi dhe jo sasi. Ndërkohë, jo me atë idenë se sa më shumë sasi aq më shumë cilësi, por përkundrazi duke e filluar këtë që nga sistemi i maturës shtetërore që duhet të ndryshojë në funksion të një procesi që duhet të jetë shumë më rigoroz e selektiv për hapjen e dyerve të universiteteve.

Pyetje: Në vazhdimësi të çështjes që u prek, ju folët për mënyrën e financimit, por edhe sigurisht problematika e studentëve të cilët marrin një diplomë dhe nuk janë në tregun e punës varet nga mekanizmat që janë në këtë treg të punës. Lidhja e universitetit këtu është vetëm kërkimi shkencor që ai të orientojë përmes kërkimit shkencor të mirëmenduar, të orientojë në ato sektorë ku duhet orientuar tregu i punës. Si është menduar të orientohet ky kërkim shkencor për të kontribuar në ekonomi, kur e dimë se pedagogët për marrjen e gradave shkencore bëjnë kërkime ku janë të pa orientuar nga politika që ka nevojë vendi.

Unë besoj që, kjo lidhet edhe me mungesën e një lloj profilizimi të universiteteve. Ne kemi universitete kudo, po nuk kemi profile. Për çfarë arsyesh duhet universiteti i Vlorës dhe çfarë bën universiteti i Vlorës. Për çfarë arsyesh duhet universiteti i Shkodrës dhe çfarë bën universiteti i Shkodrës, në funksion të një territori dhe në funksion të një prirje të caktuar, që mund të lidhet edhe me ekonominë kombëtare. Nëse, për shembull, flasim për zhvillim të turizmit, atëherë, zhvillimi i turizmit ka një kompleksitet gjërash, nuk është vetëm në Vlorë po në të gjithë Shqipërinë, por ama e rëndësishme është që ne hartën universitare të kemi të qartë se çfarë profilesh kanë universitete të ndryshme, çfarë arsyesh kanë për të ekzistuar universitete në një pjesë të territorit dhe jo në një pjesë tjetër, si mund t’i shërbejmë drejtpërdrejtë territorit dhe nevojave të territorit në planin ekonomik dhe social. E, nga kjo vjen vetvetiu edhe orientimi i kërkimit shkencor nuk është diçka që mund të bëhet me direktiva. Është diçka që e lidh vetvetiu universitetin me territorin, e lidh vetvetiu me ato sektorë të ekonomisë, që lidhen me fakultetet dhe me orientimin që ka universiteti. Ndërkohë që, këtu te ne e vërteta është që s’ka asnjë universitet që të jetë me një profil. Të gjithë universitetet janë të përgjithshme. Të përgjithshme janë edhe privatët, fabrikat e diplomave. Para ca kohësh takova një grua që ka punuar me nënën time në stomatologji dhe pas shumë vitesh tani është pedagoge. E kishte ftuar një nga këta ustallarët e fabrikave të diplomave për të hapur një fakultet stomatologjie. Rroga ishte e mirë, kishte nisur punën me entuziazëm. Pas pak muajsh e kishte thirrur ai dhe i kishte thënë më fal se kemi një keqkuptim bashkë. Çfarë keqkuptimi. Se ju ngatërroni universitetin publik me universitetin privat. Se në universitetin publik ka studentë, këtu ka klientë. Këtu jemi në shërbim të klientit. Ju nuk mund t’i mërzisni duke i thënë mëso, mëso, mëso, kur ai nuk s’do të mësojë. Ne kemi klientë që duan të mësojnë kemi klientë që s’duan të mësojnë. Ata janë klientë dhe ne i respektojmë. Si t’ia bëjmë, i tha kjo, se këta klientët kam hall se kur të mbarojnë do të thyejnë nofullat e dynjasë se janë dentistë. Po ekonomi tregu është kjo, i tha, do hapi një klinikë, do thyejë 5 nofulla do hapet fjala dhe nuk do shkojë më njeri. Kështu që ta ndajmë këtë punë, ti merru me klientët që duan të mësojnë, ata që s’duan të mësojnë mi lër mua, i tha pronari. Lum kush ia lë nofullën në duar atyre pastaj.

Pyetje: Në programin tuaj ju keni parë me vëmendje arsimin. Duke ditur se jemi vend i vogël, arsimi duhet të jetë në vëmendjen e çdo partie politike. Unë jam pedagoge në universitetin e Vlorës, doja të dija a ka ndonjë model mbi të cilin jeni bazuar për të bërë reformë? Kam parasysh këtu sisteme të zhvilluara evropiane si ai anglez apo gjerman.

A do ketë politika pak më shumë seleksionuese për studentët, do ndihmonte që çdokush të gjente drejtimin e tij?

Unë hyj tek ata që besojnë se ne nuk jemi të dytët pas Gjermanisë. Duke qenë se unë nuk e besoj këtë dhe nuk besoj se jemi rrotë më rrotë me Anglinë me Francën, besoj që jemi më mbrapa, kështu që, duke u nisur nga kjo dhe nga eksperiencat e këtushme dhe nga eksperienca e vetë procesit të qeverisjes së arsimit në 20 vjet unë besoj që ne nuk jemi në kushtet kur thjesht duhet të marrim një model. Ne i jemi referuar për problemet që kemi identifikuar; se gjëja e parë që është bërë me programin ka qenë një diagnozë përgjithshme dhe pjesore. Kjo diagnozë është bërë në komunikim me grupet e interesit, shoqërinë civile, universitetet. Kemi bërë një analizë se si ka shkuar në vite sistemi. Kemi parë se si brenda një mandati të së njëjtës forcë politike kemi parë se ministra të ndryshëm edhe të kësaj partie, edhe të partisë sonë, kanë ndërruar sistemet, ndërkohë që bota një strategji të arsimit nuk e ndërron 20-30 vjet. Nuk ndryshon në boshtin e vet, ndryshon në elementë nga një qeveri në tjetrën. Ne kemi ndryshuar boshtin brenda për brenda. Dikush, po t’i pyesësh, të thotë kur isha ministër e mora nga Skocia, një tjetër thotë jo mua më pëlqeu më shumë sistemi gjerman, një tjetër thotë mua mu duk se ne me italianët jemi më afër dhe e mora nga Italia. Këto na kanë sjellë këtu ne.

Ne mbi bazën e kësaj analize kemi marrë elementë të caktuar dhe i kemi trajtuar duke iu referuar modeleve të caktuara. Dy elementë mendoj unë janë për t’u nënvizuar në aspektin e asaj që do të ndryshojë. E para, që do të ndryshojë është se ne nuk do t’i lëmë të hapura universitetet ditën dhe natën dhe le të hyjë kush të dojë dhe të vijë kushdo, madje duke u imponuar universiteteve përveç këtyre që të kanë ardhur merr edhe këta të tjerët që po të sjellim ne. Nuk do të jetë kështu. Ne do ta ndryshojmë këtë sistem duke e bërë më shumë konkurrues dhe më shumë selektiv, duke synuar cilësinë.

E dyta, ne do ta ndryshojmë sistemin e maturës shtetërore. Matura shtetërore duhet të vlejë për të vlerësuar se sa ka marrë në vitet që kanë shkuar nxënësi, ndërkohë që hyrja në universitet është një proces tjetër. Nuk është i njëjti proces. Kështu e shohim ne këtë punë. Në të kundërt nuk mbetet gjë tjetër veçse të rrënojmë përfundimisht dhe pa kthim një gjeneratë të tërë dhe me pasoja edhe në gjenerata të tjera. Sepse ajo që preku profesoresha e cilësisë së mësimdhënies në shkollat fillore e 9 vjeçare sot pasojat i ka nesër. Pra, digjet sot një gjeneratë dhe digjet një gjeneratë tjetër nesër. Digjet sot gjenerata e atyre që duhet të jenë mësuesit e më të vegjëlve dhe digjen edhe ata më të vegjlit.

Pyetje: Universiteti i Vlorës po vete te 10mijë studentë. Degë të reja po hapen. Politikat dhe strategji jo të drejta  arsimore po bëjnë që të dalin studentë e të mbeten pa punë. Unë mendoj që është e domosdoshme që universiteti i Vlorës të ketë hapësira më të mëdha në infrastrukturë. Leksioni nuk është leksion po është miting. Me 120 vetë nuk mund të jetë leksion. Së dyti, duke pasur parasysh fakultetin e shëndetit publik, të rritet kujdesi shëndetësor ndaj popullatës, stundentët të kenë praktika, pranë cdo komuniteti të ketë më shumë infermierë e mjekë? Ia kemi ngritur edhe vetë doktorit, Sali Berisha që është sferës se shëndetësisë.

Kjo e mitingut në vend të leksionit është, në fakt, thelbi i problemit. Ai i sferës është, por është në orbitë tjetër ai, dhe ky është problemi. Ngado që ta rrotullosh mbetet fillesa e mbrapshtë e kësaj që kemi sot dhe duhet bërë fillesa e mbarë e asaj që duam të kemi nesër, është ta bëjmë sistemin universitar shqiptar konkurrues. Konkurrues për ata që duan të hyjnë, konkurrues për ata që duan të vazhdojnë dhe konkurrues dhe midis universiteteve.

Ne nuk jemi kundër universiteteve private të jemi të qartë. Ne mendojmë që universitetet private janë një instrument i volitshëm për të nxitur shtetin që të rrisë cilësinë dhe të universiteteve publike. Problemi është që universitetet private nuk mundet dot të funksionojnë siç funksionojnë sot dhe të jenë siç janë sot, të pa kontrolluara dhe të paakredituara dhe akreditimi me të njëjtat kritere qoftë i publikut, qoftë i privatit, do të bëjë një seleksionim të domosdoshëm për të ndryshuar komplet platformën mbi të cilën zhvillohet gjithë bota dhe jeta universitare. Pa bërë këtë të gjitha të tjerat janë përralla që nuk na çojnë asgjëkundi. Ne na duhet konkurrencë, konkurrencë, konkurrencë dhe meritë, meritë, meritë, mes universiteteve dhe mes studentëve, por edhe mes pedagogëve, po ashtu. Në mënyrë që, të rritet cilësia të rritet edhe aftësia e universiteteve, që përmes cilësisë të arrihet në një fazë tjetër në fazën e gjenerimit të fondeve përveçse e marrjes së fondeve dhe e administrimit të fondeve që marrin nga shteti. E gjenerimit të fondeve duke u bërë pjesë integrale e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Përsa i përket, konkretisht, pastaj fushës së shëndetit publik, qendrave shëndetësore, spitaleve sistemi ynë shëndetësor është i falimentuar, s’ka diskutim. Sot Shqipëria harxhon në vit rreth 800 mln usd për kujdesin shëndetësor; 7% dalin nga sistemi i sigurimeve, 33 % nga taksimi i përgjithshëm dhe 60% dalin nga xhepat. Nga xhepat e kujt? Shumica dërrmuese nga xhepat e atyre që s’kanë lekë dhe si dalin, duke shitur shtëpinë, bagëtinë, duke marrë borxhe për të mbajtur gjallë fëmijën me leucemi, bashkëshortin me kancer apo për të kuruar një njeri të familjes. Ky është një sistem komplet i falimentuar dhe për më tepër pastaj është një sistem tërësish i korruptuar për shkak se funksionon mbi paranë e thatë.

Ndryshimi i sistemit, duke kaluar në sistemin e mbulimit universal, duke e hequr sistemin e sigurimeve me angazhimin që të jetë shteti që ta blejë shërbimin për të gjithë dhe ta ofrojë për ata që kanë nevojë siç sot çdo individ blen shërbimin për vete kur ka mundësi, sepse është i punësuar, nesër shteti ta blejë për të gjithë. Kush ka nevojë e merr nëpërmjet Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, dhe kështu ulet në mënyrë shumë të ndjeshme edhe niveli i korrupsionit dhe pastaj krijohen kushtet për ta rindërtuar gjithë sistemin e shërbimit shëndetësor.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit