Pjetrushi ka bere komentet e tij mbi deklaratat nga ish-drejtuesi i policisë së Shkodrës, Mit’hat Havari sot në një media, i cili e etiketonte "bandit" dhe së bashku me bandën e tij dogjën Shkodrën”
Ish-shefi i krimeve në Shkodër, Prel Pjetrushi për A1 Report tregon pse ishte kundër emërimit të Havarit, në 1998, në krye të policisë së Shkodrës.
Lidhur me plagosjen në Suedi, Pjetrushi mohon të ketë lidhje familja e tij dhe se fisi i tij s'ka asgjë të përbashkët me një fis kriminelësh si ai i Admir Tafilit.
“Përsa i takon nipit të Tafilëve, unë dhe fisi im nuk ka dorë në këtë veprim dhe këtë e kemi thënë botërisht”- thotë ai.
Ai thotë se nëse hapet dosja e vrasjes së Arben Zylyftarit në vitin 2000 për të cilën ndodhet në burg Genc Tafili, ai është gati të përgjigjet para çdo organi.
Ndërkohë që ky i fundit deklaron se autori i vrasjes është Prel Pjetrushi. Ky i fundit ka premtuar bashkëpunimin e tij me drejtësinë nëse dosja hapet.
Si e komentoni dhunën ndaj 12-vjeçarit në Suedi dhe konfliktin me Admir Tafilin?
Për sa i përket ngjarjes i kam shpjeguar të gjitha me detaje në një media tjetër. Më shqetëson fakti se si ish-zyrtar i policisë së shtetit dhe herë pas herë në këtë ngjarje po dalin drejtues të lartë të policisë së kohës janë përfshirë në këtë ngjarje. Kjo më shqetëson. Dua të sqaroj deklaratën e ish-drejtuesit Mithat Havari. E kam thënë se për sa i përket nipit, djalit, se nuk e di a nipi a djali, sipas mediave, unë dhe fisi nuk kemi gisht në këtë punë. E kam sqaruar një herë e mirë. Unë kam 3 muaj që s’kam qenë në Shqipëri. Dhe me sa di nga komunikimet e fisit, kurrkush nuk thotë se kemi lidhje. Nuk kam asnjë vëlla, asnjë nga fisi im që ka lidhje me këtë ngjarje.
I keni lexuar deklaratat e ish-kreut të policisë, Mit'hat Havari sot në media dhe ç'komente keni?
Me deklaratën e Havarit jam njohur 8 orë pasi ka dalë atje, se isha në gjumë, këtej janë orare të tjera. Është bërë një emision në “Xhungël”, ku ka folur Sokol Koçiu, që e ka manipuluar atë ngjarje, pasi ai ka qenë në burg me Tafilin. Koçiu ka qenë arrestuar për drogë dhe ka vuajtur në burg 9 muaj me Genc Tafilin. Në datën 7 shtator në orën 1 pas mesnate më ka marrë në telefon Agim Tafili, unë isha shef në Malësinë e madhe. Pas një atentati që më kishin bërë me plagosje, Tafili më ka kërkuar falje për atentatin ndaj meje, ku akuzonte me emër Sokol Koçiun dhe Sokol Koçiu provon të gjitha thëniet. Tani na del një zyrtar tjetër, një mik i ngushtë i Sokol Koçiut, ish-drejtori i policisë së Shkodrës në 1998. Në 1998, Neritan Ceka, ministër i asaj kohe ka ardhur për të propozuar Mithat Havarin. Pas disa ngjarjesh Mithat Havarin populli i Beratit e kishte marrë peng. Të gjitha mediat kanë shkruar për ngjarjen e Berartit. Kur ka ardhur në Shkodër, si drejtor policie Havari ka thënë se do çarmatos Shkodrën. Kur jemi futur në mbledhje ai tha se do u shqyejmë dyert e do të hyjmë t’i çarmatosim. Ti vjen nga një qark tjetër jo me emër të mirë, s’mund të futesh..
Jeni dakord të rihapet dosja e Zylyftarit?
Jam i gatshëm të përgjigjem para çdo organi.
Havari kur pyetet për ju thotë se keni pasur prapavijë politike dhe keni pasur mbështejte politike?
S’është e vërtetë. Jo unë, por gjithë policia kriminale ishim kundër idesë së drejtuesit të polcisë Havari. Ai tha se duhet të shpërthejmë dyert. Ne s’kemi qenë dakord. Ne thamë që duhet të kontrollojmë vetëm kontigjentin kriminal. Aty do godasim. Nisi grindja, derisa i thamë që s’jemi dakord të punojmë nën drejtimin tënd. Gjithë kupola e ministrisë pati ballafaqimin; unë dhe Mithat Havari. Jemi ballafaqur unë me idetë e mia, që kisha 9 vjet në policinë e Shkodrës dhe ai për një javë. Dhe konkluzioni ishte se Mithati u hoq nga Shkodra unë vazhdova punën.
Çfarë ndodhi kur u vra Zylyftari?
Kemi pasur një informacion për shtetasin Bahri Tafili, i cili ishte në kërkim për gjobëvënie ndaj një personi dhe vrasje, i dënuar me 22 vjet burg. Një ditë më parë patëm informacion për vjedhje të peshkut dhe të rrjetave të peshkut. Ngritëm pika sekrete bashkë me komisar Arben Zylyftarin. Ishim në pritje të informacionit për të vazhduar operacionin. Zylyftari më tha "do iki më një mik për një drekë në Shirokë". Pas gjysmë ore më ka ardhur informacioni. Shkuam në shtëpinë e Bahri Tafili. Kur hipi një polic në terracë, Tafilët hapën zjarr kundër policisë. Ne morëm gra e fëmijë në një dhomë. Mora drejtorin e policisë dhe kërkuam ndihmë nga forcat e FNSH se ata ishin agresivë dhe me armë. Thanë se do vijmë shpejt në vendngjarje.
A është e justifikuar frika e familjes Tafili për hakmarrje nga ju?
Ne s’jemi fis kriminelash. Ne s’kemi asgjë të përbashkët me familjen Tafili. Ata janë kriminelë si shumë të tjerë. Kësaj po i jepet më shumë bujë prej. Unë akuzoj Sokol Koçiun si organizator, si fryma. Sokol Koçiu dhe Mit’hat Havari janë anëtarë të bandës së Admir Tafilit. Kam prova të pakundërshtueshme. Ja tani doli dhe Mithat Havari. Kam pritur që ky emër të shfaqej. Një drogaxhi dhe një drejtues i Policisë së Shtetit-një punonjës që tradhëton gjithë strukturat e Policisë së Shtetit. Nëse policia, prokuroria kanë nevojë për dëshminë time unë jam i gatshëm të dëshmoj dhe përballem me çdo akuzë.
Keni frikë? A mund të vini nga SHBA-të ku gjendeni?
Që kur janë vrarë vëllezërit e mi kam ardhur 20 e ca herë në 10 vjet që kam ikur nga Shqipëria. Unë s’kam frikë se jam i pastër, nga kriminelët s’kam pasur kurrë frikë. Edhe pse s’jam më në punë jam më i fortë se më parë.
(Në foto: Prel Pjetrushi duke folur për A1 Report nga Nevada e SHBA)
Redaksia Online
(mag/ac/shqiptarja.com)