Ish-zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni, ka kritikuar sot nismën e presidentit amerikan Donald Trump për ngritjen e një Bordi të Paqes për Gazën, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të duplikuar Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë një interviste me Denis Mingën në emisionin “Bota Report” në Report TV, Gjoni tha se shqetësime të tilla janë shprehur edhe nga diplomatë dhe udhëheqës perëndimorë.

“Prapa kuintave, ky ka qenë një nga shqetësimet e shprehura edhe nga diplomatë të huaj dhe udhëheqës perëndimorë ndaj administratës Trump. Mendoj që plani për një Bord Paqeje, ku Shqipëria po trumbeton kënaqësinë e ftesës, është një tentativë për të duplikuar OKB-në dhe nuk ka asnjë garanci që do të funksionojë”, u shpreh Gjoni.

Sipas tij, ka shumë pikëpyetje mbi këtë nismë, duke nisur nga përbërja, mandati dhe pranueshmëria në terren.

“Ka shumë pikëpyetje sot mbi këtë Bord Paqeje, mbi përbërjen, mandatin, pranueshmërinë e popullatës lokale në Gaza dhe asaj përreth. Pa përfshirjen e palestinezëve, rindërtimi i Gazës do të jetë shumë i vështirë”, theksoi ai.

Duke komentuar përfshirjen e Shqipërisë, Gjoni u shpreh se kryeministri Edi Rama ka arsye për të qenë krenar për ftesën, por paralajmëroi për rreziqe afatgjata.

“Nëse ky entitet ndërkombëtar e shtrin mandatin përtej 3, 4, 6 apo 10 viteve, për të operuar jo vetëm në Gaza por ndoshta edhe në Ukrainë, Venezuelë apo gjetkë, atëherë këtu kemi të bëjmë de facto me vdekjen e OKB-së dhe rindërtimin e një strukture të re ndërkombëtare nën udhëheqjen e Trump. OKB ka vite që është bërë e panevojshme”, tha Gjoni.

Ai u ndal edhe te retorika dhe nismat e Trump lidhur me Groenlandën, duke i cilësuar ato si destabilizuese për aleancat perëndimore.

“Po shkojmë drejt një çmendurie. Argumenti për Groenlandën është që nuk dua të kem rusët dhe kinezët fqinj, por në fakt nga Amerika mund të shkosh me not në Rusi përmes Alaskës. Duke pasur NATO-n, aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, Trump me ‘brilancën’ e tij hedh ide që kalojnë në elementë të psikopatisë politike”, u shpreh ai.

Sipas Gjonit, çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në Groenlandë do të kishte pasoja katastrofike për NATO-n.

“Në momentin që forcat amerikane shkojnë në Groenlandë, kërcënimi i Trump është real. Imagjinoni nesër 200 trupa amerikanë zbarkojnë me helikopter. Kjo është rënia e NATO-s. De facto kemi një luftë mes anëtarëve të NATO-s”, tha ai.

I pyetur nëse kjo situatë mund të shënojë fundin e aleancës euroatlantike, Gjoni u përgjigj prerazi:

“Nëse pushtohet Groenlanda, NATO ka mbaruar”.

Ai kritikoi gjithashtu idenë e Trump për rritje të tarifave doganore ndaj vendeve europiane aleate.

“Të shantazhosh Europën dhe Danimarkën për t’i marrë Groenlandën me dhunë dhe më pas të vendosësh tarifa doganore ndaj vendeve që historikisht kanë qenë besnike të SHBA-ve është çmenduri. Të tarifosh Anglinë apo vendet skandinave është dalje totale nga binarët e marrëdhënieve ndërkombëtare”, theksoi Gjoni.

Sipas tij, sjellja e Trump nuk gjen shpjegim në asnjë koncept klasik të politikës ndërkombëtare.

“Nuk ka asnjë koncept në fjalorin politik që mund ta shpjegojë sjelljen e Trump. Ai e ka shkundur botën e marrëdhënieve ndërkombëtare, por këtë duhej ta bënte përmes negociatave dhe jo kërcënimeve. Ti mund të kërkosh ta blesh, por nëse unë nuk e shes, ti nuk mund ta marrësh me forcë. Ky është parimi i aleancave ndërkombëtare . A ia vlen që Amerika të humbasë NATOn dhe aleatët për Groenlandën?”, tha ai.

Gjoni e lidhi qasjen e Trump edhe me përllogaritjet e brendshme politike në SHBA, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.

“Jemi para zgjedhjeve të Kongresit. Nëse demokratët marrin kontrollin, ky president do të gjendet përballë një rreziku real për shkarkim. Prishja e NATO-s do të ishte një nga aktet më të forta antikombëtare amerikane dhe një arsye e mjaftueshme që Kongresi të nisë procedurat e shkarkimit”, përfundoi ai.

Gjoni e sheh situatën gjeopolitike si një moment kyç për Europën. 

"Bravo i qoftë Keir Starmerit që i doli kundër Trumpit. Sot Evropa duhet të jetë më e bashkuar se kurrë dhe të shpëtojë Aleancën Euro Atlantike duke u thënë hapur amerikanëve jo. Forca e Amerikës deri më sot, ka qenë falë aleancave që ka ndërtuar dhe jo falë armiqve. Amerika ishte e respektuar në kohën e Klintonit. Nëse Trump i shkon rrugës së armiqësive dhe humbet NATOn, Amerika do të jetë më e dobët seç ka qenë deri më sot" argumentoi Gjoni.