Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës mbeten të larta, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e ka cilësuar Groenlandën si territor që i  duhet SHBA-ve për arsye sigurie.

Për herë të parë, Shtëpia e Bardhë ka pranuar sot publikisht se po zhvillohen diskutime konkrete për marrjen e ishullit.

Zëdhënësja e presidencës, Karoline Leavitt, deklaroi se “diplomacia është gjithmonë opsioni i parë i Trump për Groenlandën ” dhe se për këtë arsye administrata po diskuton “në mënyrë aktive' marrjen e territorit, i cili i pwrket Mbretërisë së Danimarkës.

Në një deklaratë të mëparshme për Reuters, Leavitt përmendi disa alternativa që po shqyrtohen për përvetësimin e Groenlandës dhe një prej opsioneve mbetet “natyrisht, përdorimi i forcave të armatosura amerikane”. 

Mediat amerikane raportojnë se ideja e përvetësimit të ishullit është diskutuar edhe në nivele të larta politike.

Wall Street Journal raportoi se sekretari i Shtetit Marco Rubio ka folur për këtë mundësi me disa ligjvënës amerikanë.

Përveç përvetësimit ose përdorimit të forcës, në tryezë janë edhe skenarë të tjerë. Sipas The Economist, zyrtarët amerikanë kanë diskutuar edhe mundësinë e ofrimit të një marrëveshjeje të tipit Compact of Free Association (Cofa), e cila do t’i lejonte ushtrisë amerikane të veprojë lirshëm në Groenlandë, në këmbim të mbështetjes ekonomike dhe aksesit tregtar.

Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje të ngjashme edhe me Ishujt Marshall, Mikronezinë dhe Palau. Kjo do të thotë se SHBA-të i njohin këto shtete si të pavarura, por nga ana tjetër ka akses strategjik dhe luan rol vendimtar në mbrojtjen e tyre.