"ExportON” është platforma më e re kombëtare e prezantuar nga Agjencia shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, si një hapësirë e përbashkët dialogu mes shtetit dhe sipërmarrjes për të vendosur eksportet në qendër të zhvillimit ekonomik.
I pranishëm në këtë aktivitet, kryeministri Rama theksin e vuri tek fuqizimi i produkteve vendase “Made in Albania” me qëllim rritjen e eksporteve me standardeve europiane.
“Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në BE dhe për këtë arsye, ne do të mbështesim fuqimisht dhe gjithmonë e me shumë të gjithë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte. Nga ana tjetër, mbështetja direkte që ne do të japim për certifikime ndërkombëtare është diçka që ne e shohim si një investim strategjik të shtetit jo thjesht për t’i kursyer biznesit disa lekë, por për ta ndihmuar biznesin që të futet më shpejt në tregun e përbashkët europian”,- tha Rama.
Ministrja e Ekonimisë dhe Inovacionit paralajmëroi miratimin e një ligji “Made in Albania”, ndërsa për eksportuesit tha se do të eliminohen pengesat burokratike duke digjitalizuar plotësisht procedurat doganore dhe tregtare.
"Gjatë këtij viti, ne do të hartojmë dhe miratojmë ligjin për “Made in Albania”, i cili do të ndihmojë ndërtimin e markës, marketingun brenda dhe jashtë vendit, si dhe njohjen dhe mbrojtjen e produktit, duke krijuar standarde në përputhje me ato të Bashkimit Europian. Po punojmë me një projekt të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë, kryesisht në pikat kufitare dhe në doganat shqiptare. Së shpejti do të çelet dritarja e vetme unike, ku të gjithë operatorët shtetërorë dhe bizneset do të kenë një pikë të vetme kontakti, pa qenë nevoja të kalojnë nga institucioni në institucion",- tha ministrja Delina Ibrahimaj.
Synimi ambicioz, sipas Ministrit të Bujqësisë Andis Salla është arritja e 1 miliard dollarwve eksporte brenda vitit 2030, duke u fokusuar te agropërpunimi dhe rritja e vlerës së shtuar brenda vendit.
Ministrja Delina Ibrahimaj mori pjesë në konferencën “Eksport On”, ku prezantoi vizionin dhe politikat e qeverisë për nxitjen e eksporteve dhe forcimin e prodhimit vendas, si shtylla kyçe të modelit të ri të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme vitet e fundit, me rritje të prodhimit të brendshëm bruto, investimeve, punësimit dhe pagave, duke reflektuar një klimë pozitive për biznesin dhe sektorin privat. Megjithatë, ajo vuri në dukje nevojën për transformimin e strukturës ekonomike, duke kaluar nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në shërbime dhe konsum vendas, drejt një modeli të bazuar në investime, eksporte dhe rritje të produktivitetit.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se, pavarësisht rritjes së eksporteve shqiptare në vitet e fundit, struktura e tyre dominohet nga shërbimet, ndërsa eksportet e mallrave kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit. Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur, se gjatë vitit 2026 do të miratohet një politikë e re industriale për nxitjen e prodhimit vendas.
"Ekonomia shqiptare në vitet e fundit ka ardhur në përmirësim. Ne kemi pasur një rritje të qëndrueshme të prodhimit të brendshëm bruto, rritje të qëndrueshme të investimeve, të numrit të bizneseve, të punësimit dhe të pagave. Të gjithë këta janë tregues të një klime biznesi që ka nxitur sektorin privat dhe ekonominë vendase.
Nga ana tjetër, nëse shohim strukturën e ekonomisë, ne vijojmë të mbetemi kryesisht një ekonomi e mbështetur në shërbime dhe në konsum vendas. Ne duam ta ndryshojmë modelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Duam të krijojmë potencial dhe të mbështesim një ekonomi që bazohet në investime, në eksporte dhe, mbi të gjitha, që shërben për rritjen e produktivitetit.
Po si do ta bëjmë këtë? Si është struktura e eksporteve sot? Në të vërtetë, eksportet shqiptare janë rritur në pesë vitet e fundit, por kemi parë një zhvendosje të strukturës. 85% e eksporteve përbëhen nga shërbimet, ku turizmi, siç e njihni dhe e ndjeni, po zë gjithmonë e më shumë peshë. Nga ana tjetër, pesha e eksporteve të mallrave ka ardhur në reduktim. Për hir të së vërtetës, eksportet e mallrave, si në vlerë ashtu edhe në vëllim, janë rritur në pesë vitet e fundit, por shërbimet janë rritur shumë më shpejt se mallrat. Për këtë arsye, ne jemi të kujdesshëm dhe synojmë të hartojmë politika që mbështesin veçanërisht eksportet e mallrave, të lidhura drejtpërdrejt me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit", tha Ibrahimaj.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ka deklaruar në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues se brenda vitit 2026 pritet të rritet kontrolli ushqimor dhe të vendosen stadarde përmes digjitalizimit cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm.
Sipas Sallës, Bashkimi Evropian kërkon standarde për të hapur derën e tij.
“Në BE hapet dera vetëm kur kemi standarde, kontrolle, dokumentacion dhe produkt të sigurt. Aktualisht ne po punojmë në disa drejtime paralele me përafrim të legjislacionit me atë të BE-së me synim finalizimin e transpozimit ligjor deri në 2027-n dhe konsolidimit e kontrollit zyrtar në nivelin qendror dhe rajonal brenda 2026-s si dhe digjitalizimi i kontrollit ushqimor, i cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm, standardizim të dhënash në kohë reale që i shërben njëkohësisht konsumatorit dhe eksportuesit”, tha Salla.
Ai vuri në dukje se do të ketë investime në rrjetin laboratorik dhe modernizim të laboratorëve si dhe forcimi i pikave të inspektimit kufitar në mënyërë që të rritet monitorimi dhe kontrolli ushqimor dhe më pas të lehtësojë edhe eksportin.
“Në këtë linjë investimet në rrjetin laboratorik, modernizimi i laboratorëve rajonalë dhe forcimi i pikave të inspektimit kufitar të cilat janë thelbësore për besueshmërinë e analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit”, u shpreh Salla.
Ministri shtoi më tej se “synimi ynë në bujqësi është që eksportet bujqësore të shkojnë në 1 miliard dollarë deri në vitin 2030”.
“Prandaj përmes skemave kombëtare dhe së shpejti nëpërmjet IPARD-it ne do të mbështesim modernizimin e fermave dhe kapacitetet e përpunimit. Për vitin 2026 janë planifikuar 2 miliardë lekë investime me grante deri në 50 për qind të vlerës së investimeve, si dhe instrument financiar përmes fondit të garancisë sovrane për subjektet agropërpunuese”, theksoi Salla.
Sipas kryeministrit Edi Rama, eksoportuesit shqiptarë nuk duhet të humbin kohë me burokraci në dogana, por të mbështeten te digjitalizimi.
Rama shtoi se edhe pse janë vendosur instrumenta financiare për ndërmarrjet eksportuese, uke ulur rriskun e tyre përballë bankave tregtare, thithja e këtyre fondeve është e ulët.
"Sa më shumë të fusim lëndë të parë të përpunuar në vend, aq më shumë do mbajmë vlerë të shtuar në kufijtë tanë. Sidomos kur vjen puna te bujqësia, hapi tjetër është agro përpunimi. Shqipëria të ketë rrjet të konsoliduar dhe të fuqishëm të grumbullimit të standardeve të larta. Një nga çështjet që janë adresuar, është çështja e barrierave dhe logjistikës, e procedurave eksportuesve, për të ulur kohën dhe kostot e transportit. Të shkojmë pa humbur shumë kohë, me zero burokracinë e doganave, duke u mbështetur te digjitalizimi. Kemi vendosur instumenta të rinj financiarë, posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, duke ulur rriskun e tyre përballë bankave tregtare, thithja e këtyre fondeve është e ulët. Qoftë për linjën e kredimit të BSH, duhet të kuptojmë ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë. Linja e kreditimit të BSH është pa limit, po të kemi parasysh sa larg jemi ne, nga thithja e pjesës së parë që është në dispozicion.", theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se prodhimet Made in Albania, janë markë cilësie dhe një pasaportë për rrugën e integrimit në BE.
Rama u shpreh se qeveria do të mbështesë bizneset që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte.
"Për ta vendosur eksportuesin në qendër dhe për ta çuar në nivel tjetër marrëdhëniet e eksportuesit me shtetin shqiptar. “Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për BE. Ne do të mbështesim fuqimisht ata që do e synojnë marrjen e kësaj pasaporte, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar me standarde të certifikuara nga BE, për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar, në cilësi dhe jo sasisë. Mbështetja direkte që do të japim për certifikimet ndërkombëtare, ne e shohim si investim strategjik të shtetit, jo për t’i kursyer disa lekë, por për ta ndihmuar biznesin të integrohet më shpejt BE-së. Ashtu sikundër, edhe për të mbrojtur markën dhe pronësinë intelektuale të çdo prodhimi. Besojmë shumë tek manifaktura, te ata që po ecin në rrugën e transformimit dhe krijimin e vlerës së shtuar, duhet të bëjmë më shumë në ndihmë të sipërmarrjeve që do përfaqojnë transformimin.", theksoi ai.
Kryeministri Edi Rama është sot i pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku po prezantohet platforma e re ExportOn.
Rama tha se Shqipëria tashmë do të përballet me mundësi të jashtëzakonshme nga BE në momentin e anëtarësimit, sfida të cilat do të nxjerrin fitues këto që do të arrijë të adaptohet. Kryeministri u shpreh se qeveria mbështet avancimin e marrëdhënies me eportuesit.
“Të gjitha kompanitë tona janë një proces transformimi të vazhdueshëm, është e domosdoshme që të mbajmë sytë dhe nga çfarë i pret në një të ardhme jo shumë të largët kur Shqipëria të jetë anëtare e BE. BE është një hapësirë mundësisht të jashtëzakonshme por është dhe në prag sfidash të jashtëzakonshme. Ata që do të jenë të gatshëm për tu adaptuar, do të jenë fitues.
Sot jemi në nisje të një vit të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe ndërkohë jemi këtu për të mbështetur të gjithë së ashku një nismë të AIDA e cila tani është kthyer në një mbështetje që monitoron, asiston dhe që orienton të gjitha ata të cilët i adresohen.
Një nga gjërat më të rëndësishme për ekonominë tonë është domosdoshmëria për të rritur vlerën e krijuar në vend dhe një nga sfidat e objektivat të Aida është mbështetja e eksporteve duke mbështetur prodhimet Made in Albania. Për këtë arsye e shoh me shumë simpati dhe qeveria është këtu dhe do të jetë në vijimësi për të mbështetur dhe për ta vendosur eksportuesin në qendër dhe për të çuar marrëdhënien në nivel tjetër mes qeverisë dhe eksportuesve”, tha Rama.
Komente












Ja ku kaluan 50vite dhe akoma nuk pata mundesine te gjej nji prodhim made in Albania por e di qe burgjet e Evropes jan mbushur me Shqipetare.
Përgjigju