Një nga kampionatet më të bukur në botë, Seria A, u rikthyer këtë fundjavë për të zhvilluar javën e parë të sezonit, por krahas magjisë së futbollit të dielën më shumë se gjithçka vëmendjen e mori trajneri i Bologna-s, Sinisa Mihajlovic. Serbi 6 javë më parë u diagnostifikua me leucemi dhe si rrjedhojë prej disa ditësh po kryen kimioterapi intensive, por edhe pse mjekët bënë gjithçka për ta mbajtur në spital ai udhëtoi drejt Verona-s me një makinë private për të mos e lënë vetëm skuadrën e tij në ndeshjen debutuese.
Edhe pse shmangu hyrjen ne dhomat e zhveshjes, por edhe këshillën e drejtuesve të klubit për të ndjekur takimin në një dhomë veçmas pranë gazetarëve, Mihajlovic zgjodhi të shkonte në pankinë. Ky veprim sigurisht që solli edhe reagimin e tifozëve, të cilët në këmbë duartrokitën për një kohë të gjatë trajnerin.
Reagimet kanë qenë të shumta për atë që Mihajlovic bëri të dielën, por mbi të tjera dallonte ajo e gruas së tij, Arianna. Në rrjetet sociale ajo postoi një foto me bashkëshortin e saj ku shkruante: “Luftëtarit njihen që nga larg, dashiria ime.”
Për të lënë Bologna-n dhe për të shkuar në Verona trajnerit iu nevojit të merrte përgjegjësi për veprimin, pasi nuk u përkrah absolutisht nga mjekët. Ai u largua nga ndeshja pak minuta para vërshëllimës përfundimtare dhe u shoqërua jashtë stadiumit, aty ku mori një makinë për t’u rikthyer direkt në spital, natën vonë.