Është e vështirë në Shqipëri, që me këtë shtresëzim shumë të dobet social, të bësh fushata sondazhesh, pasi rrallë gjen në vendin tonë një familje, që të ketë tipologjinë e një familjeje tjetër. Në gjykimin tim, ndërsa futja e taksës progresive sjell disa benifite për pjesën dërrmuese të popullsisë, që do të thotë se rriten të ardhurat, pra mundesia për konsum do të jetë më e madhe, rritja e disa taksave të tjera për një shtresë më të kufizuar të popullatës do të bënte që ai kursim nga taksa progresive të kompensohej potencialisht nga kjo rritje, që do të thotë se në fund mund të kishim të njëjtin nivel konsumi ose një rritje të tij.
Sigurisht që investimi prej 750 milionë USD nga buxheti dhe donatorët është një pjesë e vogël e zgjidhjes, pasi këtu hyn në lojë biznesi dhe investimet e huaja e shumë e shumë faktorë të tjerë. Dhe kur flasim për investimet e huaja, ato janë parashikuar rreth 1 miliardë USD për vitin që vjen, që së bashku me rreth 1.1 miliardë USD të tjera që injektohen nga buxheti i shtetit, përbëjnë një premisë të mirë për kalimin e krizës.
Dhe në mënyrë të natyrshme në këtë analizë i vjen radha biznesit. Është e vërtetë që biznesi mban sot peshën e rreth 80% të PBB. Sigurisht që rritja e tatim-fitimit nga 10% në 15% apo dhe akcizës së naftës do të ketë një impakt negativ, por a nuk ishin po këto biznese që (siç e ka thënë një ish-zv/Ministër i Transportit në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese) po ndërtonin me paratë e tyre për patriotizëm!! E përse këto biznese, që sot ngrenë zërin se nuk qenkërkan dakort me sistemin e taksave, nuk tregokërkan pak patriotizëm real sot me këtë Qeveri, që po u shlyen një borxh që në themel nuk ua ka pasur atyreve? A jemi të gjithë shqiptarë? Në fund të fundit, a duhet që gjithsekush të kontribuojë me mënyrën e vet, që kjo anije që po shkon drejt mbytjes të mos mbytet e të na marrë të gjithëve?
Dhe tek e fundit, a ka marrë përsipër kjo Qeveri që do ta luftojë informalitetin, evazionin fiskal, kontrabandën, do t’i luftojë monopolet për të ulur çmimet e shitjes dhe kostot e prodhimit dhe shërbimit, dhe që do t’i krijojë të gjitha lehtësirat këtij biznesi, duke bërë që edhe atë taksë që po ua rrit t’ua kompensojë nëpërmjet këtyre formave të tjera, të cilat në kohën e shkuar me siguri e çonin tatim-fitimin mbi 15%? Unë e kuptoj shumë mirë se duke qenë pjesë e kësaj shoqërie, biznesi i rregullt (vendas dhe i huaj) ka qenë edhe i terrorizuar për gjobat e shumta, për trajtimin klientelist, për arrogancën e qeverisë së shkuar, për monopolet që nuk e linin të ngrinin kokë, për informalitetin e gjerë, ku një biznes i rregullt mezi ka arritur të mbijetojë kurse dikush i ngjashëm aty afër vetëm se nuk ka paguar taksat, energjinë etj, ka bërë çudira, për borxhet që iu akumuluan dhe nuk iu paguan asnjëherë dhe që bënë që Shqipëria të thyejë dhe një rekord tjetër botëror, atë të futjes për herë të parë në një buxhet shtetëror të detyrimeve të prapambetura që një qeveri i lë një tjetre, për qindra e qindra vështirësi që atij i jane krijuar qysh nga problemet me pronësinë e tokës, korrupsioni, qëndrimi me vite në dyert e gjykatave, mungesa e energjisë, mungesa e akseseve etj, ashtu siç kuptoj edhe problematikën e madhe që ka patur ky biznes kur paguante qindra mijëra dollarë para viteve 2005 për naftën e gjeneratorëve, radhët që mbante për të nxjerre liçensat etj.
Po a nuk do të çonte shlyerja e detyrimeve të prapambetura (për punët e kryera dhe TVSH e tatim-fitimin e parapaguar) në deduksion logjik, se bizneset që do t’i merrnin, do te shlyenin kreditë që ato kanë marrë tek bankat, duke ulur kështu ndjeshem përqindjen e kredive të këqija dhe duke i krijuar kështu, jo vetëm bankave besueshmëri më të madhe për të kredituar më shumë, por për të zgjuar edhe interesin veçanërisht të biznesit shqiptar për të dalë nga gjumi letargjik i shokimit nga borxhi dhe për të investuar? Unë dëshiroj të besoj se po. Por në fund të fundit, biznesi duhet të mendojë një herë në mënyrë proaktive, duke arsyetuar: a nuk janë gjithçka unë përmenda kosto që padyshim i kanë kushtuar biznesit në Shqipëri qysh nga vitet ’98, jo 5% të tatimit mbi fitimin që po e rrit kjo qeveri, por shumë e më shumë se kaq. A janë ato reforma që une përmenda (duke shpresuar se ato do të kryhen me përpikmëri) më siper një risi dhe premisë njëkohësisht për një fillim të ri edhe për biznesin?
Sigurisht që me këtë nuk dua absolutisht të abuzoj duke marrë rolin e një profeti dhe duke thënë se qysh nga 1 janari 2014 çdo gjë do të shkojë perfekt ose çdo gjë do të shkojë keq e mos me keq. Thjesht, po kërkoj që të tregohemi më luajal, jashtë ndikimeve politike. Mos të harrojmë se raporti i fundit i Bankës Botërore e renditi Shqipërinë në vendin e 146 për indikatorin e pagesës së taksave, nga më të këqijat në botë. Dhe është pikërisht faji i një pjesë jo të ndershme të biznesit që na rendit këtu dhe padyshim qeveria që iku, që mbyllte sytë. Unë vetë do të parashtroj disa shqetësime më poshtë në lidhje me taksat që kjo Qeveri (mund) mundte t’i bënte më mirë (në gjykimin tim). Gjithsesi, ne jemi dhe jetojmë këtu; do të jemi përsëri ne dhe ky popull që pas 1 viti do të gjykojmë Qeverinë dhe performancën e buxhetit.
Nëse realisht biznesi do të lihet të punojë dhe nuk do t’i merret fryma dhe nëse reformat do të fillojnë të jetësohen duke krijuar hapësira më të mëdha e të sigurta për biznesin, të gjithë do të themi sa mirë. Po kështu FMN e deklaroi se, nëse ky sistem i rishikuar taksash dhe buxheti nuk performojnë siç pritet, ai do të mund të riformatohet. Në fund të fundit, Qeveria e dëgjoi biznesin dhe vendosi për buxhetin. Është kosto e saj politike që të mbajë mbi shpatulla realizimin e asaj që ka premtuar dhe do të jemi ne ata që do të gjykojmë se në fund të ditës gjithçka Qeveria po bën do të sjellë më shumë kosto për ne apo benifite. Por, gjithnjë mos të harrojmë. Kjo Qeveri trashëgoi një situatë tejet të rënduar nga çdo këndvështrim i jetës shqiptare.
Është e qartë që shqetësimi i bizneseve është i drejtë dhe legjitim. Në kushte të tjera normale dhe reagimi do të kishte qenë i drejtë, por fatkeqësisht nuk e kemi këtë luks të një normaliteti për shkaqet që unë u përpoqa të shtjelloj më sipër. A do të kishte qenë më mirë që taksat në rritje të kishin qenë futur në mënyrë progresive në kohë, duke bërë dhe një testim të sjelljes së tregut në përgjithësi? Sigurisht që po. Gjithsesi, jetojmë në një ekonomi tregu që vetë e zgjodhëm, ku biznesi privat ka si synim kryesor rritjen e fitimit dhe ku qeveria ka si synim ruajtjen e parametrave fiskalë dhe një ekuilibri social dhe që në rastin tonë udhëheq një e majtë, që si në çdo vend të botës në themel të premtimeve dhe politikave të saj ka shtresën e jo të pasurve. A do të ndikoje sistemi i taksimit progresiv që po bëhet realitet në ekonominë e vendit?
Sigurisht që po. Them po, si për taksat në ulje ashtu dhe për ato në rritje. Për taksat në ulje nuk ka nevojë për ndonjë shpjegim, pasi dihet dhe pritet impakti pozitiv. Dhe ky ishte një premtim i realizuar. Problemi qëndron kur diskutohet për taksa në rritje dhe që Qeveria në mënyrë direkte dhe indirekte po e pranon se është e detyruar ta bëjë, pasi fatkeqësisht në këtë derexhe e gjeti situatën.
Nëse të gjithë elementet ekonomiko-financiar-territorial (treguesit fiskalë, ata ekonomikë, lufta kundër kontrabandës, monopoleve, evazionit fiskal, lufta kundër korrupsionit, krijimi i lehtësirave për biznesin për të rritur kapitalin dhe produktivitetin, rritur eksportet e ulur importet, zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i territorit etj) nuk studiohen të integruar dhe lidhur me njëra-tjetrën dhe me një synim të vetëm rritjen ekonomike, uljen e varfërisë, uljen e papunësisë, kriza do të kthehej përfundimisht në një realitet të zi. Mjafton ta ilustroj çka thashë me një analizë të thjeshtë. Në vitet 1995-1996 në një nga zonat e vetme të industrisë minerare të Gjermanisë të quajtur Nord-Rein-Westfalien (Land), që për disa arsye prodhimi filloi të binte dhe papunësia po rritej, sigurisht filloi të shoqërohej me greva fillimisht sporadike e më tej të organizuara që po shqetësonin jo vetëm qeverinë e Landit përkatës por edhe atë Federale.
Në të gjitha mediat shqetesimi i vetem që ngrihej nuk ishte pamundësia e Gjermanisë për të mbajtur me bukë 10 apo 20 mijë të papunë, në kohën që ajo mbante ndoshta dhe miliona me ndihmë financiare, përfshirë dhe shumë të huaj e azilantë. Në të kundërtën, ai ishte se rritja e papunësisë dhe fillimi i trazirave do të çonin në rritjen e vjedhjeve, vrasjeve dhe veseve të tjera sociale që mund të kishin një efekt domino. Sigurisht masat e duhura u morën dhe sot ai problem nuk ekziston më.
E thënë kjo në kontekstin shqiptar dhe pse punësimi është mëse i rëndësishëm. Jetojmë në kushte kur po synohet të luftohet informaliteti dhe shumë fenomene të tjera negative të trashëguara (por që për hir të së vërtetës mbajnë shumë njerëz me bukë). Jetojmë në kohën kur edhe pse çdo ditë numri i të arrestuarve për korrupsion po kap shifrën e 5-10 vetëve, të nesërmen kush e di se sa bëjnë korrupsion dhe vetëm 5 a 10 e kanë radhën të kapen e arrestohen. Një gjë është fakt; askush nuk korrupton apo korruptohet për qejf; ose do të mbijetojë ose do të pasurohet. Nëse numrit të mësipërm i shtojmë dhe ata që arrestohen nga vrasjet e kryera, aksidentet e veprat e tjera penale, i bie që ne në 3-4 vitet e ardhshme, jo vetëm që burgjet ekzistuese do të jenë të mbipopulluara, por do të lindi nevoja për burgje t tjera dhe Shqipëria do të bëhet si një kamp përqëndrimi.
A do të ndihmonte kjo në zgjidhjen e problemeve tona? Absolutisht jo. Punësimi dhe vetëm punësimi do të minimizonte problematikën. Aty ku krijohen insentiva për biznesin, sigurisht duhet të vihen edhe kushte në kompensim si për shembull një pjesë e fitimit të investohet në Shqipëri dhe jo të transferohet jashtë. Prandaj këtu duhet dhe Qeveria të përqëndrohet më shumë dhe biznesi të tregohet me luajal dhe bashkëpunues për të gjetur ato mekanizma që sot mungojnë, por që me vullnet të shumanshëm mundte të gjenden dhe implementohen.
A do të ishte normale që në kushtet e rritjes së akcizës së naftës Qeveria të subvencionojë rritjen e naftës për linjat urbane, që të mos rritet çmimi i biletave? Sigurisht që po. A do të ishte e udhës që të futet në masë koncepti i specializimit të njerëzve, kapitalit dhe tokës dhe kjo të shoqërohet me reforma? A nuk duhet bërë dhe regjistrimi i të gjithë të punësuarve (dhe ata në të zezë) me një “social security number” si në SHBA apo Itali, që të gjithë të paguajnë mbi baza të barabarta?
Vijon...
*) Master në planifikim infrastrukture
Shkrimi u publikua sot (27.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)