Presidenti serb Aleksandër Vucic nuk e fshehu sot 'panikun' ndaj aleancës mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes
Gjatë një vizite në selinë e Gardës së Republikës në Beograd, ku u bë një analizë e detajuar e gjendjes dhe kapaciteteve operacionale dhe funksionale të ushtrisë serbe për vitin 2025, presidenti serb Aleksandër Vuçiç përdori aleancat ushtarake që po formohen kundër Serbisë në Ballkanin Perëndimor si justifikim për rritjen drastike e kapaciteteve ushtarake të vendit.
"Jemi shumë të shqetësuar për formimin e aleancave ushtarake kundër Serbisë këtu në rajonin tonë, dhe rrjedhimisht po veprojmë me përgjegjësi, seriozitet dhe pa provokuar askënd. Megjithatë, ne duam të zbrapsim këdo që mund të kryejë aggression kundër vendit tonë. Forcat tona ajrore dhe kapacitetet tona të mbrojtjes janë rritur në mënyrë drastike dhe dramatike. Në vitet që vijnë do të kemi sisteme të tjera, në të gjitha segmentet e ushtrisë serbe dhe degëve të saj” u tha Vucic reporterëve.
Serbia, sipas tij ka vënë në dispozicion të mbrojtjes dhe sigurisë 2.65% të PBB-së
Aleanca mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë u nënshkrua me 18 mars të vitit 2025 në Tiranë dhe synon të rrisë bashkëpunimin mes tre vendeve në fushën e mbrojtjes.
Kjo aleancë synon gjithashtu të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta. Të tre vendet e kanë bërë të qartë se aleanca mes tyre nuk përfaqëson një pakt ushtarak, por një angazhim për një bashkëpunim më të thellë mes tre vendeve.
Por duket se këto deklarata nuk e bindin presidentin Vuçiç, i cili nuk i ka për herë të parë sulmet ndaj aleancës në fjalë.
Më herët në shtator të vitit të shkuar, gjatë një vizite në Pekin të Kinës ku kishte shkuar për blerjen e avionëve dhe helikopterëve shumë funksionalë, Vucic tha se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë është formuar kundër Serbisë.
Sipas tij, aleanca nuk u formula rastësisht.
“ Ato nuk e krijuan këtë aleancë kundër Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por kundër Serbisë. Serbia nuk do të prekë askënd, por do të forcojë ushtrinë e saj për të mbrojtur integritetin e saj territorial,” tha Vuçiç asokohe.
Por, për ministrin shqiptar të mbrojtjes, Pirro Vengu, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes.
Pak ditë më parë, ai tha për mediat se pavarësisht sensit të panikut në Beograd, ftesa për këtë marrëveshje i ishte bërë edhe Serbisë.
“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ iu them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ja u merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese. Mund t’iu them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, tha Vengu.
Komente










