Këtë të premte në qytetin e Pogradecit u organizua një protestë, ku peshkatarët e kësaj zone pretenduan se nuk janë lejuar të peshkojnë në liqen për shkak të periudhës së shtimit të peshkut llojit Klen.
Ata theksojnë që ky ndalim ka qenë shkak për të mos ju lejuar atyre të peshkojnë edhe specie të tjera si korani për të cilat nuk ka kufizime në këtë sezon.
“Në këtë periudhë bëhet shumimi i Klenit, po ajo bëhet në anë të gjolit, ndërkohë që ne rrimë 300 m larg dhe gjuajmë koranin. Këtë punën e Klenit e nxori si justifikim kreu i shoqatës”, thotë një peshkatar.
Ndër të tjera peshkatarët kanë drejtuar gishtin nga organizata e menaxhimit të peshkimit që sipas tyre është vetë kjo organizatë që po vendos këto kufizime në mënyrë arbitrare.
“Ne peshkatarët me rregull e kemi të ndaluar një muaj, vetëm dhjetorin. S’ kemi asnjë sqarim na thonë vetëm ata, po kush janë ata. Ne jemi 60 peshkatarë që kemi investuar. ne specien e ndaluar nuk e duam, ne duam koran. Kam punuar gjithë jetën, tani doli ky ligj”, thekson një peshkatar.
“Ne vetëm këtë punë bëjmë dhe kur ndalohet kleni në rregull, po jo të gjithë peshqit e tjerë”, u shpreh një tjetër.
Për të sqaruar situatën kryetari i OMP-së Adriatik Dokollari dhe sekretari i bashkisë Pogradec zhvilluan një takim me peshkatarët ku pati edhe debate të shumta.
Në përfundim të takimit Dokollari u shpreh se përveç species së klenit nuk ka kufizime për specie të tjera por e ndaluar është vetëm metoda e peshkimit me rrjeta sipërfaqësore ndërsa shtoi se ka kontaktuar edhe më herët me ministrinë e bjqësisë për këtë problematikë por nuk ka marrë përgjigje mbi ndryshimin e kufizimeve.
“Nuk ka ndalesë peshkimi, peshkimi vazhdon. Kriteret janë të përcaktuara për të gjithë peshkatarët. Ligjet nuk i bëjmë ne, por Ministria”, tha Adriatik Dokollari.
Peshkatarët e pranishëm firmosën edhe një peticion me kërkesat e tyre për t'ja drejtuar ministrisë. Në vijën liqenore të Pogradecit ushtrojnë këtë aktivitet mbi 60 peshkatarë.
Komente











