Qindra efektivë janë angazhuar në atë që rezulton të jetë operacioni më i madh i ndërmarrë këtë vit, kundër kultivimit të kanabisit. Prej më shumë se 24 orësh kontrollet kanë përfshirë Malësinë e Krujës, një zonë e konsideruar problematike vitet e fundit.

Të ndarë në 15 grupe, kryesisht në fshatrat përreth njësisë administrative Cudhi, rezulton të jenë zbuluar afro 100 parcela. Deri më tani të paktën 5 mijë bimë cannabis sativa janë asgjësuar përmes djegies.

Kryesisht, parcelat e kultivuara me kanabis kanë rezultuar në sipërfaqe shtetërore, pa pronarë. Disa persona janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim, por ende nuk ka të arrestuar. Rezultatet e plota pritet të bëhen publike në përfundim të operacionit.

Në ndihmë të policisë janë 10 dronë inteligjentë, të cilët bëjnë të mundur identifikimin në zona të thella, ku është e vështirë lëvizja me mjete të tjera.

Por për të arritur këtu, të dhënat janë ofruar nga helikopterët e Guardia di Finanza-as italiane. Report Tv ka mundur të sigurojë pamje satelitore të kontrollit nga ajri paraditen e 19 qershorit mbi zonën ku po kryhet operacioni. Vijat jeshile në hartë tregojnë trajektoren e fluturimeve mbi zonë.

Më herët, policia asgjësoi më shumë se 7400 bimë kanabis në Reç të Ri të Velipojës në Shkodër, operacion i cili po ashtu u parapri prej kontrollit nga ajri të helikopterëve italianë të pajisur me tekonologji moderne identifikimi nga lartësitë.

Kontrollet nga ajri do të vijojnë nëpër zonat me probabilitet të lartë për kultivim të kanabisit, deri në fund të verës. Në vitin 2025, vetëm me ndihmën e skuadrës italiane u konstatuan dhe asgjësuan gati 107 mijë bimë dhe u monitorua 61% e territorit. Për këtë vit janë planifikuar më shumë orë fluturimi dhe zonë më e zgjeruar e kontrollit në territor.

Nga ana e saj policia vijon verifikimet në territor. Vëlla e motër, 33 dhe 44 vjeç, u arrestuan në Vaun e Dejës, për kultivimin e 308 bimëve dhe fidanëve narkotikë në fshatin Kroni i Madh. Në gjendje të lirë nisi hetimi edhe për kryeplakun e fshatit dhe vrojtuesin e pyjeve, për shpërdorim detyre.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë