PRISHTINE - Një aksion i nisur sot në orën 5 të mëngjesit në Vushtrri ka rezultuar me dhjetë të arrestuar, të dyshuar për fajde, zhvatje, shmangie të tatimit dhe tregti të ndaluar.
Sipas EULEX-it shumica e të arrestuarve janë të së njëjtës familje, ndërsa zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur para gazetarëve detajet e këtij aksioni, duke treguar edhe për numrin e të arrestuarve.
Zahiti ka treguar se janë bastisur gjashtë lokacione dhe tani më të arrestuarit janë duke u intervistuar.
"Bëhet fjalë për një operacion policor i cili është realizuar mëngjesin e hershëm të ditës së sotme. Operacioni është realizuar në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë këtu në Mitrovicë. Zona e veprimit ka qenë zona e Vushtrrisë, në këtë rast Policia e Kosovës në mbështetje edhe të njësive të EULEX-it kanë bastisur 6 lokacione të ndryshme. Si rezultat i operacionit deri tash janë arrestuar 10 persona të cilët dyshohen për vepër penale të fajdes. Të arrestuarit tashmë ndodhen në hapësirat policore në Mitrovicë dhe u janë nënshtruar procedurave intervistuese", ka thënë Zahiti.
Aksioni ka nisur në orën 5 të mëngjesit në fshatin Rropicë të Vushtrrisë, dhe ka vazhduar deri në orën 09:05.
Në aksion sipas burimeve të KosovaPress-it janë përfshirë rreth 100 policë./ATSH/