Policia e Durrësit rezulton se ka falur në një rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor Nikoll Radaçin, shoferin 57-vjeçar i cili dje përplasi me makinë 3 fëmijë, duke i marrë jetën në vend 2 prej tyre, e duke plagosur rëndë të tretin.

Në komunikatën zyrtare të publikuar sot nga blutë e Durrësit, historiku si shofer i Nikoll Radaçit është i njollosur me shkelje të shumta të Kodit Rrugor, sidomos me parakalim të gabuar dhe tejkalim të shpejtësisë. Për këtë të fundit, vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të automjetit, me nga 1 muaj brenda të njëjtit vit.

Dhe këtu del në pah shkelja e ligjit nga Policia e Durrësit.

Sipas Nenit 140 të Kodit Rrugor, pezullimi 1-3 mujor i patentës caktohet vetëm kur shoferi është kapur për herë të parë në këtë shkelje, por nëse ajo përsëritet sërish brenda 2 viteve, atëherë periudha e pezullimit zgjatet nga minimalisht 8 muaj, në 18 muaj.

Por, në rastin e Nikolla Radaçit nuk ka ndodhur kështu. Policia e Durrësit duket se ka favorizuar 57-vjeçarin duke i pezulluar patentën 1 muaj edhe në herën e dytë që është kapur në tejkalim shpejtësie, brenda vitit 2022, në kundërshtim të masës që parashikon neni 140 i Kodit Rrugor

Kodi Rrugor
Neni 140 
Kufizimet e shpejtësisë
9. Kushdo që tejkalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me më shumë se 30 km/orë, por jo më shumë se 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 20 km/orë, por jo më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje, aplikohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejes së drejtimit nga një deri në tre muaj, si dhe e heqjes së pikëve sipas përcaktimeve të legjislacionit të fushës në fuqi.
12. Kur zotëruesi i lejedrejtimit në një periudhë dyvjeçare ka kryer shkelje të përsëritura të pikave 9 dhe 9/1 të këtij neni, lejedrejtimi pezullohet për një periudhë nga tetë deri në tetëmbëdhjetë muaj.


Lajmi kryesor:

Përplasi për vdekje 2 fëmijët, shoferi me skedë të ‘zezë’ shkeljesh! U ‘fal’ kur u kap 2 herë me shpejtësi brenda vitit! Pezullohet zinxhiri drejtues në Policinë e Durrësit