Policia e Shtetit 104 mln lekë për të prekurit nga tërmeti! Veliu: Po mbledhim prova për hetimin mbi ndërtesat që u shembën

TIRANE- Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka bërë një bilanc të forcave të rendit pas tërmetit të 26 Nëntorit. Veliu falënderoi të gjitha forcat e policisë, që siç tha ai rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish nën rrënoja, prej ku arritën të nxirrnin 39.

Ai tha se Policia e Shetit 104  milion e 350 mijë lekë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Veliu deklaroi se tashmë forcat e rendit po mbledhin provat që i shërbejnë hetimit  për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze.

Deklarata e plote

Jam sot këtu për të komunikuar me ju dhe nëpërmjet jush me qytetarët, për angazhimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, menjëherë pas rënies së tërmetit të datës 26 nëntor, si dhe për solidaritetin me familjarët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete, duke nis nga:
-përfshirja në operacionet e kërkim-shpëtimit; 
- dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë;
- garantimi i rendit dhe sigurisë;
- disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve;
- sigurimi i pronës së qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie.

Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat special Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës ,Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit. 

Falë ndërhyrjes së tyre, në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Më pas, duke  bashkëpunuar edhe me grupet speciale të vendeve mike, u bë i mundur edhe shpëtimi i disa personave të tjerë.

Forcat Renea dhe FNSH-ja në kushte të vështira dhe të rrezikshme për sigurinë e jetës së tyre vijuan operacionet për nxjerrjen e trupave nga rrënojat dhe për këtë ata sot meritojnë mirënjohjen dhe respektin e gjithë organizatës së Policisë, por edhe të gjithë qytetarëve.

Strukturat policore të DVP Durrës, Tiranë e Lezhë, mbas përfundimit të fazës së parë të operacioneve të kërkim-shpëtimit e deri tani vijojnë të kryejnë shërbim me orë të zgjatura vetëm e vetëm që të garantojnë rendin e sigurinë, paprekshmërinë e pronës, duke rritur prezencën policore në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.

Policia e Shtetit  është organizatë ligjzbatuese, por është humane dhe solidare.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu sikundër nuk morën parasysh rrezikun për jetën e tyre gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, po me këtë ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti nisën të parët grumbullimin e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti.

Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104  milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne platformën e-Albania. 

Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi.   

Së treti, dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit  për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë  apo nëpunës të administratës). 

Së fundmi, dua të garantoj qytetarët se Policia e Shtetit është një organizatë me frymë dhe organizim hierarkik me disiplinë në punë e në jetën e përditshme, por mbi të gjitha është një organizatë që mbron jetë me jetë dhe në këtë kontekst çdo kontribut nga punonjësit tanë ka qenë krejtësisht në baza vullnetare .

Prandaj apeloj për të gjithë ata që duan të bëjnë politikë apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin, pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Joe Biden i gatshëm për debat me Donald Trumpin

Joe Biden i gatshëm për debat me Donald Trumpin