SARANDË- “Copacabana” e famshme në Sarandë u shemb këtë të hënë nga fadromat e IKMT-së. Aksioni vjen një javë pas arrestimit të kryepolicit të Sarandës dhe vartësve të tij, që kishin lejuar ndërtimin pa leje, nën dyshimet për ryshfet.

Report Tv sjell pamjet me dron nga zona në Kanalin e Çukës, ku fadromat kanë nisur prishjen e platformës dhe strukturës metalike që po ndërtohej në prag të sezonit.

“Beachbar-i” është në pronësi të Arjola Dhrami Bajos e cila është shpallur në kërkim prej 14 majit. Megjithatë, avokati i saj, pretendon se stacioni i plazhit disponon dokumentacion të rregullt dhe ka leje nga KKTU.

“Vendim i paligjshëm. IKMT ka pretenduar se ndërtimi është pa leje. Sjell në vëmendje që bari ka qenë ekzistues, me dokumente pronësi në emër të Arjola Dhrami Bajo për të cilën kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionet përkatëse. Stacioni është me leje, me vendim të KKTU-së dhe në mënyrë abuzive po kërkohet të prishet një biznes i ndershëm. Di bëj kallëzim për procedurën që është mbajtur, një stacion plazhi që e ka dhënë qeveria. I bie, që çdo bar këta të vijnë ta prishin. Si mund ta prishin një biznes të ndershëm, ekzistues”, thotë avokati Rigels Dervishi.

Këtë pretendim e rrëzoi IKMT, e cila sqaroi se terren u konstatuan platforma betoni dhe druri, konstruksione metalike, mure mbajtëse, shkallë dhe një objekt betonarme. Sakaq, në tetor të 2025-ës, subjekti kishte kërkuar vetë nga Agjencisë Kombëtare të Bregdetit zgjidhjen e kontratës së qirasë për stacionin e plazhit. IKMT thekson se në kushtet kur kontrata nuk ishte më në fuqi dhe punimet e konstatuara në terren tejkalonin dukshëm parametrat e lejes, ndërtimi konsiderohet tërësisht pa leje. Për këtë arsye “Copacabana” u shemb dhe biznesi u gjobit me 11.7 mln lekë.  

Copacabana Beach’ është beach bar-i dhe stacioni i plazhit në Kanalin e Çukës në Sarandë, i hapur prej disa vitesh përgjatë vijës bregdetare, ku ndodhen gjithashtu disa nga hotelet dhe resortet më të njohura dhe luksoze të qytetit. E njëjta pronë, në zonën më të lakmuar të bregdetit Jon, ka qenë më herët objekt konfliktesh, dhe dyshohet se lidhet edhe me vrasjen me tritol në makinë ndaj Isuf Jaçajt, në tetor të vitit 2025 në Sarandë. 

Hetuesit dyshojnë se pas këtij atentati qëndron një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili ka dyshime se fshihet edhe pas ndërtimit të plazhit privat dhe në të tjera ngjarje kriminale në Sarandë. I njëjti grup, në vitin 2025, vetëm 3 muaj para atentatit të Isuf Jaçajt, dyshohet se organizoi edhe planin për t’i vrarë të birin, po me tritol në makinë, në korrik të 2025-ës, por i riu, Klaus Jaçaj shpëtoi.

Ndërtimi pa leje u konstatua pas një denoncimi që mbërriti në adresën e kryepolicit Skëndër Hita, i cili vuri në lëvizje Policinë duke çuar në arrestimin e shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari si edhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj. Të gjithë janë pezulluar nga detyra dhe Hita po përgatit edhe përjashtimin e tyre nga radhët e Policisë. Ata dyshohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”.

 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:52
Shembja e ‘CopaCabana’ në Sarandë, IKMT sqaron procedurat e ndjekura: Subjekti kishte kërkuar zgjidhjen e kontratës së qirasë! U gjobit me 11,7 milionë lekë

1779091128_ikmtcopacabana.jpg

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka reaguar lidhur me shembjen e beach-barit CopaCabana Saranda, duke sqaruar procedurat që çuan në ndërhyrjen për prishjen e objektit.

Sipas njoftimit zyrtar, subjekti “CopaCabana Saranda” kishte kërkuar vetë më 25 tetor 2025 zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e hapësirës së plazhit, si edhe heqjen dorë nga përdorimi i saj në vijim.

IKMT thekson se gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar punime pa leje, duke hedhur poshtë pretendimet e avokatit të subjektit për ekzistencën e një lejeje të vlefshme ndërtimi.

Institucioni sqaron se edhe në rast se leja e përmendur nga subjekti do të ishte e vlefshme, ajo nuk kishte lidhje me situatën e evidentuar në terren dhe me volumin e punimeve të kryera, përfshirë ndërhyrjet në hapësirën detare.

Sipas IKMT-së, leja e miratuar nga KKTU në vitin 2025 parashikonte ndërtim me materiale të lehta dhe pa shtrirje në det, ndërsa strukturat e ngritura kishin tejkaluar parametrat e miratuar.

Nga kontrollet e IKMT-së në terren janë evidentuar të ndërtuara pa leje:
konstruksion metalik mbi platformë betoni prej 340 m²;
platformë betoni me sipërfaqe totale 390 m²;
brez dhe mure mbajtëse me sipërfaqe totale 12 m²;
shkallë dhe sheshpushim betoni 53 m2;
platformë dërrase e vendosur mbi konstruksion metalik; tuba me sipërfaqe 407 m²;
strukturë metalike me tuba të pambuluar me sipërfaqe 66 m²;
objekt 1-katësh me konstruksion betonarme, i mbuluar, me sipërfaqe 22.8 m²;

Përveç shembjes së objektit, IKMT ka bërë të ditur se ndaj subjektit “CopaCabana Saranda” është vendosur edhe një gjobë prej 11,680,054 lekësh.

Njoftimi i IKMT:

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) përmbylli sot në Sarandë ekzekutimin e vendimit për prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje në breg të detit.

Bazuar edhe në referimin e bërë nga agjencitë ligjzbatuese për konstatimin e një ndërtimi të paligjshëm, inspektorët e IKMT-së qendër kryen një inspektim më datë 13.05.2026 në Sarandë, në subjektin “A.B.”, Lagjja nr. 1, Rruga Butrinti.

Në kushtet e flagrancës, në territorin në fjalë IKMT konstatoi: objekt 1-katësh me konstruksion metalik të pambuluar, i vendosur mbi platformë betoni me xoklaturë, me sipërfaqe 340 m²; platformë betoni me sipërfaqe totale 390 m²; brez dhe mure mbajtëse me sipërfaqe totale 12 m²; shkallë dhe sheshpushim betoni 53 ml; platformë dërrase e vendosur mbi konstruksion metalik; tuba me sipërfaqe 407 m², si dhe strukturë metalike me tuba të pambuluar me sipërfaqe 66 m²; objekt 1-katësh me konstruksion betonarme, i mbuluar, me sipërfaqe 22.8 m², pa leje ndërtimi.

Në momentin e njoftimit të procesverbalit të konstatimit, pala subjekt i inspektimit, e përfaqësuar nga avokati, nuk paraqiti asnjë dokument zyrtar justifikues mbi punimet e ndërtimit të kryera deri në atë moment.

Në këto kushte, IKMT procedoi me marrjen e vendimit nr. 0000034, datë 13.05.2026, “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm”, si dhe vendimit nr. 0000125 për gjobitjen e subjektit me shumën 11,680,054 lekë. Më datë 14.05.2026, IKMT filloi ekzekutimin e vendimit të prishjes në terren dhe këto veprime u përmbyllën gjatë ditës së sotme.

Po sot, më datë 18.05.2026, avokati i subjektit paraqiti pretendimin se ekziston një leje ndërtimi e KKTU-së për strukturën në fjalë.

Pas verifikimeve të kryera, IKMT konstatoi se për zonën në fjalë rezultonte të ishte lëshuar një leje e KKTU-së me nr. prot. 3509/4, datë 05.08.2025, miratuar me vendimin e KKTU-së nr. 53, datë 28.05.2025, “Leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit për objektin – Strukturë shërbimi”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë dhe zhvillues subjektin “COPACABANA Saranda”. Sipas kësaj lejeje, sipërfaqja e parcelës së marrë me qira ishte 389 m², sipërfaqja e strukturës 60 m², sipërfaqja e platformës së sistemimit me strukturë hijezuese 110 m², ndërsa lartësia maksimale 3.5 m. Struktura parashikohej me materiale të lehta dhe pa shtrirje në det.

Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën me dije se, më datë 25.10.2025, subjekti “CopaCabana Saranda” ka kërkuar me vullnetin e tij zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e stacionit të plazhit nr. SR-41, me nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, si dhe heqjen dorë nga përdorimi i saj në vijim. Në vijim të kësaj kërkese, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka proceduar me zgjidhjen e kontratës së qirasë nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, konfirmuar sipas shkresës nr. prot. 3291/1, datë 27.10.2025, drejtuar subjektit “CopaCabana Saranda”.

Në përfundim, rezulton qartësisht se subjekti po kryente ndërtim pa leje në kushtet kur nuk gëzonte të drejtën e përdorimit të kësaj hapësire dhe, rrjedhimisht, as të lejes së ndërtimit të dhënë nga KKTU-ja në vitin 2025 në funksion të së njëjtës kontratë.

Edhe në rast se pretendimi i subjektit për ekzistencën e kësaj lejeje do të ishte i saktë, leja e lëshuar nga KKTU-ja, e cituar nga subjekti, nuk ka asnjë lidhje me situatën e evidentuar në terren, me llojin dhe volumin e punimeve të paligjshme të kryera, përfshirë edhe hapësirën detare.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjin Gjon Gjoka: 18/05/2026 12:05

    BO BO ÇA I KANË BO DETIT BETONIZIM NË ÇDO CEP..... ÇA PASKAN BO KAMZALINJT E MIRDITËS AS TURKU SE KA BA......

    Përgjigju
    • Per Gjinin: 18/05/2026 16:52

      Jo or Gjin Gjoka jo jane Kamzali Burreli

  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    PS e PD miratojnë rezolutë, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?