Politika në 2018/ Shuplakat qytetare që zbrapsën Ramën e lanë në hije Bashën (VIDEO)

Në këtë oborr në 4 dhjetor u mblodhën studentët e arkitekturës për të kundërshtuar tarifat për provimet e mbartura. Ata mbase as vetë nuk e dinin që ishin fitili i sapo ndezur i një lëvizjeje studentore të pa parë ndonjëherë në 28 vite. Një ortek aq i fortë saqë ndryshoi brenda muajit 60 % të qeverisë edhe pse nuk e kërkoi këtë.

“Protesta e studentëve ishte një shuplakë për qeverinë, një grusht për opozitën dhe një shpresë për shoqërinë”,-tha Rama në parlament në  13 dhjetor.  Qeveria jo vetëm që reagoi menjëherë, anuloi tarifat e provimeve të mbartura, përgjysmoi thuajse gjithë tarifat vjetore, por edhe mori përgjegjësi për 8 kërkesat studentore, duke hartuar Paktin për Universitetin.

“Ajo çfarë studentët sollën ishte rikthimi i ndjenjës së protestës në Shqipëri. Suksesi më i madh i tyre ky është. Në aspektin e përfaqësimit institucional studentët ishin të pa organizuar dhe nuk arritën që gjithë atë protestë dhe zërin e tyre ta kanalizojnë në mënyrë institucionale. Nuk i zgjidhën problemet për arsimin, por ata tundën politikën dhe ky është një sukses i tyre”,-thotë Afrim Krasniqi, analist.

“Një akt i madh lirie pasi vendi kishte kohë që ishte në një apati të reagimit qytetar, por kishte dhe shumë kohë që ishte zhytur në propagandën politike e cila nuk lejonte kurrë që fasada e madhe e ndërtuar si pasojë e propagandës të binte”,-thotë Fitim Zekthi, analist. 

Por ajo që studentët protestues jo vetëm që nuk e kërkuan, por mbase nuk e pritën, ishte shkarkimi i 8 ministrave të qeverisë Rama. Këto largime Rama i motivoi si refleksion i shuplakës studentore, dhe pse pakkush mund ta dijë nëse protesta u përdor si motiv për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme që imponoheshin nga arsye të tjera. Përveç Nikollës, Rama largoi dhe Ahmetajn, Gjiknurin, Bushatin, Peleshin, Qaton, Mesin dhe Kumbaron.

“Imagjinoni një njeri të tillë me kaq pushtet, kaq i pa prekshëm, me raport të mirë ndërkombëtar, kupton që në vendin e tij ekzistojnë nj grup të rinjsh që nuk pranojnë ta takojnë, nuk kanë besim tek ai dhe në takime publike e sulmojnë me gjëra të paimagjinueshme. Ky ishte raporti kryesor që e tronditi pozitën e tij në parti dhe në politikë”,-thotë Afrim Krasniqi, analist.

“Pa protestën studentore ai nuk do të kishte bërë ndryshime në qeveri. Protesta ishte aq e madhe, aq e fuqishme, aq domethënëse, saqë e goditi në thelb në zemër qeverinë, dhe u tërhoq, pranoi dështimin dhe u hoq në skutën e tij në qeveri e në Partinë Socialiste”,-thotë Fitim Zekthi.

“Ne kemi pasur një numër të lartë skandalesh dhe përdorimi i protestës  për ti larguar është metoda më e mirë për të evituar debatin mbi skandalet”, -thotë Afrim Krasniqi, analist.

“Nuk ka më asnjë qeveri të gjallë dhe asnjë qeveri të re, ka vetëm një cofëtinë të vdekur dhe një menaxher të cofëtinës që thotë kjo do na sigurojë mandatin e tretë”, -thotë Fitim Zekthi. Ministrat e rinj ishin kryesisht teknik dhe nuk përfaqësonin ekipin tradicional të Partisë Socialiste.

“Është një vendim eksperimental. Z. Rama i ka fituar zgjedhjet me një staf tjetër politik dhe po qeveris me njerëz të tjerë”,-thotë Afrim Krasniqi.

“Ata nuk janë profile asfare, janë thjesht dhe vetëm disa shëmbëlltyra të Edi Ramës në ministri. Janë disa njerëz anonimë të shoqërisë shqiptare që mund të jenë njerëz të respektuar në detyrat e tyre aq sa mund të jetë i respektuar dhe i suksesshëm  një bujk në një arë në Mamurras, apo si një traktorist, apo bari në një cep të Shqipërisë, por nuk kanë profile”,-thotë Fitim Zekthi.

“Nga ana tjetër kemi dhe disa emra të rinj që nuk kanë lidhje me politikën dhe është tregues se elita politike në vendin tonë vazhdon të sillet me konceptin e vjetër otoman ku fisi, i njohuri, miku dhe i besuari janë më i rëndësishëm se sa i afti”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Këta janë shumë më tepër politikë se sa mund të ishte Ahmetaj, Nikolla apo të tjerë, sepse duke qenë njerëz pa profile janë vetëm shëmbëlltyra të Edi Ramës në ministri”,-Fitim Zekthi.  

Protesta studentore nuk ishte e vetmja që e zmbrapsi gjatë vitit 2018. Në fillim të marsit reaguan banorët e Kukësit, të cilët kundërshtuan tarifën për përdorimin e Rrugës së Kombit.

Pavarësisht gjuhës së ashpër ndaj protestuesve, Edi Rama e ndjeu që nuk mund të injoronte këtë kundërvënie, që i erdhi edhe nga socialistët e Kukësit. Qeveria rishikoi tarifat duke i ulur ato ndjeshëm dhe duke favorizuar banorët e zonës. Protesta tjetër që e detyroi Ramën të tërhiqej ishte më komplekse. Më shumë se sa nga protesta e artistëve, nga bashkimi i opozitës në protestën e aktorëve apo dekreti refuzues i Ilir Metës për ligjin, Edi Rama u tërhoq pas vërejtjeve të Bashkimit Evropian për ligj që cenonte konkurrencën. Ligji u ndryshua por teatri nuk do të mbijetojë as me variantin final të tij. Ndërtimi i Unazës se Re solli një tjetër protestë të dhunshme përpara parlamentit, vetë kryeministri u gjuajt  me këpucë teksa vizitoi policen e plagosur, por qeveria nuk bëri hapa pas. Por viti 2018 u shoqërua  dhe me dy protesta të udhëhequra nga opozita, dhe të injoruara nga qeveria. Disa të tjera u drejtuan nga qytetarë të prekur, por pa ndonjë ndikim në veprimet qeveritare.  Edhe protesta e mbështetur nga opozita e biznesit të vogël kundër taksave nuk solli asnjë tërheqje të qeverisë. 

Por mbyllja e këtij viti, shënon dhe një bast të fituar të qeverisë me lojërat e fatit.  Nga 1 janari të gjitha do të mbyllen. “Asnjë qepen nuk do të hapet më për lojëra fati në 28 mijë kilometra katrorë të Republikës së Shqipërisë”,-tha Rama. Të vetmet që do të funksionojnë do të jenë ato brenda hoteleve me 5 yje, brand ndërkombëtare . Kyçja e tyre në 31 dhjetor përbën një nga reformat qeveritare më të mbështetura nga publiku.

SHKËLQIMI DHE RËNIA E FATMIR XHAFAJT

Kjo godinë që i përket Ministrisë së Brendshme, sikundërse në vitin 2017-ën, edhe këtë vit që lamë pas ka qenë më e rrahura nga gjuhët e nxehta të politikës. Ajo është e vetmja ministri që gjatë dy qeverive të kryeministrit Rama ka ndërruar  katër shefa. Nga Tahiri tek Xhafaj, pastaj tek tekniku  Demiraj, sërish Xhafaj e në fund Lleshaj. Fatmir Xhafaj ishte gjatë vitit 2018 njeriu më kompleks i politikës. Më i akuzuari nga opozita, e njëkohësisht më i pa pavaruri i kabinetit të Edi Ramës. Udhëheqësi i reformës në drejtësi, dukej se po qëndronte i palëkundur deri në 14 maj. 

PD publikoi videon e dëshmitarit X, Babales, që tha se Agron Xhafaj i kishte dhënë garanci për të trafikuar në Itali hashash pa probleme me policinë. Karrigia e Ministrit të Brendshëm u lëkund më shumë se asnjëherë. Dy ditë më pas,  i vëllai i tij u dërgua me urgjencë drejt Italisë për të vuajtur dënimin për trafik droge të cilit i ishte shmangur që nga viti 2012.

Teksa shumë kush do të kishte pritur që Rama ta shkarkonte, e kundërta ndodhi. “Ministri i Brendshëm do të qëndrojë në detyrë. Ajo bisedë nuk është origjinale. Është thjesht dhe vetëm një manipulim i shëmtuar”,-tha Rama në 18 maj në konferencë shtypi.

Më pas prokuroria nisi hetimet, e brenda pak muajve, teksa u thirrën në prokurori edhe deputetë të opozitës, u shfaq Fredi Alizoti, i cili pranoi se ishte shtirur si vëllai i Xhafajt. “Ajo bisedë nuk ka ekzistuar. Vëllai i ministrit në atë audio është një aktor, më saktë një mjeran, i cili i ka dalë për zot zërit të tij në audiopërgjim pasi nuk mori lekët e premtuara në emër të Lulzim Bashës”,-tha Rama në 8 tetor.

Drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e fundit për këtë çështje ndërsa socialistët e konsiderojnë një betejë morale të fituar në sytë e publikut dhe një njollë turpi të PD-së të cilën e quan një Kinoshqup që prodhon montazhe. Kur dallgët e turbullta të politikës duket se ndalën goditjen ndaj tij, Famir Xhafaj befasoi mëngjesin e 27 tetorit. Ai u dorëhoq! Të paktën këtë version zgjodhi të ndante me publikun ai dhe kryeministri Rama.

Dorëheqja më enigamike, e cila la pikëpyetje se cila ishte arsyeja e vërtetë: ministri ish në presion nga krimi, nga peshqit e mëdhenj që po godiste “Forca e Ligjit” apo Edi  Ramës ju sos durimi me një ministër që nuk i bindej për gjithçka.

 “Ka qenë një rivalitet personalitetesh në qeveri. Xhafaj ka pasur një raport të besuar me ndërkombëtarët dhe për një kryeministër që është i atakuar në ca drejtime, ministri që komunikon me ndërkombëtarët përbën rrezik”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Është e qartë që Xhafaj u largua për shkak të konfliktit me Ramën. Rama nuk e ka dashur Xhafajn që ditën e parë se kërkon ta drejtojë ai Ministrinë e Brendshme sikundërse po bën tani”,-Fitim Zekthi, analist.

“Nga ana tjetër, profili i tij si politikan karriere në këtë parti u godit shumë nga akuzat për skandalin që ai pati me familjarin e tij dhe të gjitha këto sollën një lloj klime ku Xhafaj, nga një anë ishte i varur nga Rama, nga ana tjetër nuk donte të ishte një ushtar në ushtrinë  e kryeministrit. Nga kjo pikëpamje, largimi i tij ishte i pashmangshëm”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Xhafaj mund të mos i pëlqejë askujt, mund të ketë vërejtje gjithkujt, por ndërpreu praktikën e ndyrë, të shëmtuar, për të përdorur ministrinë e brendshme për propagandë televizive. Me operacionin Forca e Ligjit, ndoshta preku gjëra të tepërta, që shkonin deri tek kryeministri, që mund të rrëzonin qeverinë”,-Fitim Zekthi, analist.

RAMA-META, KRISJA QË NUK U THYE

Edi Rama e gjeti shpejt zëvendësuesin e Fatmir Xhafajt, por nuk e pati të thjeshtë rrugën për ta zhvendosur gjeneralin nga kryeministria në Ministrinë e Brendshme. Në 3 nëntor, Ilir Meta tha se nuk ishte i bindur të dekretonte Lleshajn, dhe pse nuk u bë publike atë ditë ndonjë arsye. Rama i shkoi të nesërmen në zyrë, ndërsa në 6 nëntor i dha paralajmërimin e fundit.

“Ne do t’i japim pak kohë presidentit që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindjen, dhe vetes për të marrë hapin e radhës”,-tha Rama.

Shahu politik vijoi me disa shkresa që Rama e Meta filluan t’ia lexonin përmes ekraneve njëri-tjetrit, ku shqetësimi i vetëm, të paktën publik i Metës, ishte se Lleshaj ishte ushtarak aktiv e kushtetuta nuk e lejonte të bëhej ministër. Pasi gjenerali u dorëhoq nga funksionet ushtarake, Meta, si shahist i vjetër, nuk e lejoi krisjen të bëhej thyerje, dhe në 19 nëntor firmosi emërimin e Sandër Lleshit. 

“Hera herës e kalon edhe vijën kushtetuese. a i bën mirë kjo demokracisë? Në kushtet kur kemi një qeveri arrogante kjo mund t’i bëjë mirë”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Nuk ka pranuar të firmosë ligjin për prishjen e teatrit, ligjin për mbetjet, ka marrë disa akte politike domethënëse që mbrojnë qartësisht interesin publik. Unë nuk e interpretoj si luftë politike. ”,-Fitim Zekthi, analist.

“Në një vend ku elita politike  është kaq e korruptuar, kur vjen një emër i tillë i pastër, nuk duhet penguar, por inkurajuar”,-Afrim Krasniqi, analist. “Ishte e diskutueshme sepse nuk u pa qartësisht problemi që kishte z. Lleshi, por ne duhet të mësohemi se Presidenti nuk është sekretar të firmosë gjithçka që i sjell Kryeministri”,-Fitim Zekthi, analist.

MARRËVESHJA ME GREQINË, NJË DET I TËRË  MES RAMËS DHE METËS

Por Rama nuk e ka gjetur të mbyllur derën e Metës për herë të parë për emrin e Sandër Lleshit. Kryeministri e pati të vështirë në mars të bindte presidentin të jepte plotfuqishmëri për grupin negociator të një marrëveshjeje me Greqinë për kufirin detar, ndërkohë që procesi është aktualisht i stopuar.  Ilir Meta nuk jep firmën e radhës për mbylljen e marrëveshjes pa u ngritur më herët Gjykata Kushtetuese. Por ndryshe nga rasti i Sandër Lleshit, Rama e Meta kanë preferuar ta lënë të flejë në sirtarët e shahut politik këtë çështje, duke mos e ekspozuar në publik.

NJË DËSHMITAR X DHE NJË XHISIELË , ANONIMËT QË THIRRËN POLITIKËN NË PROKURORI

Babalja nuk ishte e vetmja histori e mjegullt videoregjistrimesh që dërgoi në prokurori disa politikanë. Një histori dashurie komplekse në periferi të Krujës arriti të çojë në prokurori, kreun e opozitës, Lulzim Bashën. Xhisiela Maloku bëri lëmsh politikën, pasi dëshmoi dhunën nga i dashuri i saj. Ai nuk ishte një 24 vjeçar i zakonshëm. Ai ishte djali i një deputeti socialist. Në fillim Xhisiela e pastaj politika akuzuan se i riu nuk ishte arrestuar sepse ishte mbrojtur nga i ati deputet, Rrahman Rraja. Madje, PD shkoi më tej:

“Vëllai i deputetit më vuri pistoletën në kokë. Në zyrë ishte dhe Taulant Balla dhe Artur Bushi”,-tha ish komisari Nuhu në një video të transmetuar nga PD në 26 shtator.

Rama edhe kësaj radhe doli garant se as Balla, e as Bushi nuk kishin qenë atë ditë në prokurori siç pretendonte ish Komisari Nuhu. Në rrethana të mjegullta dhe kontroverse, Xhisiela nga viktimë, ndryshoi deklarimet duke thënë se gjithçka e kishe sajuar vetë për shkak të xhelozisë. Taulant Balla nuk u akuza nga PD vetëm për këtë çështje. Ai u sulmua edhe si personi që fshihej pas 3 milionë eurove të kapura në dy makina Toyota Yaris në portin e Durrësit. Po ashtu, numri dy i socialistëve u akuzua edhe për mikun e tij të dënuar, Edmond Bego.

“Asnjë prokuror e gjyqtar nuk do të merrej me dosje të mëdha kur prekeshin politikanë të korruptuar apo të lidhur me krimin, pasi në momentin që do ta bënte këtë, do të rrezikonte karrierën e tij, procesin e vettingut, presionin e madh politik apo demaskimin publik. Ata zgjodhën të rrinë larg këtyre dosjeve. Publiku me të drejtë pret që drejtësia të vijë dhe dikush të mbajë përgjegjësi. Në fakt, sistemi aktual dhe reforma në drejtësi ka shkuar në drejtim të tillë dhe politikanët e kanë bërë të tillë që askush të mos mbaj përgjegjësi”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Si pasojë e shndërrimit të prokurorisë në një zgjatim të turpshëm të qeverisë, ne nuk kuptojmë dot kurrë çfarë ndodh në të vërtetë me krimin”,-Fitim Zekthi, analist.

Teksa demokratët nuk i kursenin deklarata e akuzat nga foltorja në foltore, e nga një rrjet social në tjetrin, Edi Rama njoftoi masën e tij:  PAKETËN ANTISHPIFJE.

Punën për ligjin e ri Edi Rama do ta nisë gjatë janarit, ndërsa ka depozituar deri tani 6 padi ndaj Bashës e Berishës për shpifje, me qëllim që paratë e fituara t’i investojë në arsim.

VIJAT E KUQE TË BOJKOTIT TË BASHËS

Gjatë vitit 2018, opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, dhe pse e bashkuar mes vetes, qëndroi më shumë jashtë parlamentit se sa brenda tij. Ndarja e politikës dhe ekonomisë nga krimi ishte kauzat kryesore të saj.

Dy protesta u organizuan prej saj në 27 janar dhe 26 maj, por pa ndonjë ndikim në opinionin publik apo në veprimet e qeverisë. Demokratët konsiderojnë fitore të tyren dorëzimin e mandatit të Saimir Tahirit në 3 maj, dhe dorëheqjen e Xhafajt.

Për Bashën, ishin dy ministra të kapur nga krimi që denoncimi i opozitës i kishte shkërmoqur. “Opozita pati meritën që e përshpejtoi procesin, por jo të menaxhimit të saj”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Xhafaj ishte i dobësuar në raportin me Ramën për shkak të goditjes që i bëri opozita. Xhafaj pa luftën e opozitës nuk do të largohej”,-Fitim Zekthi, analist.

Por brenda saj PD, qe sa akuzuese, dhe e akuzuar.  Në 16 maj ju arrestua një nga kryebashkiakët e saj, Fran Frrokaj në Lezhë.

Ndërkohë e gjithë pranvera qe e vështirë për Bashën, i cili u vendos nga Mother Jones, revista amerikane, në qendër të sulmeve për financime ruse. Këto akuza i forcoi dhe Partia Socialiste. “Çfarë ju ka premtuar Lulzim Basha rusëve në këmbim të kësaj mbështetjeje qoftë financiare, qoftë politike?” -tha Taulant Balla në 7 mars.

Teksa prezantoi nismën e vettingut në politikë dhe paralelisht edhe çlirimin e ekonomisë nga krimi, Basha publikoi një listë biznesmenësh që merrnin tenderët kryesore të qeverisë. “Do tu konfiskojmë dhe sekuestrojmë pasurinë, do tu anulojmë të gjitha kontratat korruptive”,-tha Basha për oligarkët në 24 shtator.

Por PS ja kthehu kundër këtë argument, duke e akuzuar Bashën se listimi i biznesmenëve ishte vetëm një gjobëvënie nga ana e liderit demokrat.

“Pse kur paguajnë kunatin janë biznesmenë, ndërsa kur marrin punë publike bëhen oligarkë? Kjo është një gjobëvënie e kryetarit të PD për të rritur të ardhurat për kunatin”,-tha Ervin Bushati.

E ndihmuar dhe nga Komisioni i Venecias, PS e rrëzoi nismën e opozitës për vettingun në politikë.

“Në rastin konkret është e çuditshme, opozita doli nga parlamenti dhe nuk bëri asgjë. Opozita është pa vizion, ka humbur shansin pesë vite të reformohet brenda vetes, për tu bërë minimalisht në nivelin e qytetarëve kritikë të Shqipërisë”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Shqiptarët duhet t’i njohin opozitës meritën se ka thënë të vërteta të mëdha”,-Fitim Zekthi, analist.

“Mungesa e një opozite alternative është lajmi më i keq që mund të ketë një shoqëri në krizë sociale dhe politike siç është Shqipëria”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Qeveria e ka kuptuar që shpëtimi i saj i vetëm, në një moment që do të bjerë fasada sikundërse ra, cili është? Ka kuptuar se shpëtimi i vetëm është tu themi njerëzve se ne mund të jemi mizerabël por opozita nuk bën”,-Fitim Zekthi, analist.

“Këtu kryetari i partisë akuzohet për një çështje private dhe del partia dhe i mbron. Nuk kanë punë partitë me jetën private të individit. Individi, në këtë rast kryetari i partisë të mbrohet privatisht përmes avokatëve të tij, dhe kjo do të ishte normale”,-Afrim Krasniqi, analist.

Edhe pse dështoi me votë të bëjë vetting mes politikanëve, në seancën e 20 dhjetorit, PD arriti të fitojë diçka: të rinovojë mandatet që ishte duke i djegur për çështje ditësh, pasi shumica e deputetëve, përfshi Bashën, Berishën dhe Kryemadhin kishin qenë për herë të fundit në seancën e 19 korrikut.

Gjatë këtij viti që lamë pas, Kuvendi qe më shumë gjysmë i zbrazur. Opozita ose e bojkotoi me akuzat se mazhoranca e kishte kthyer në strehë të krimit, ose në ato seanca ku mori pjesë, pakica parlamentare më shumë se sa e përdori foltoren e kuvendit, e bllokoi atë.

Kuvendi dështoi të miratojë reformën zgjedhore, duke e lënë bosh vendin ku mund të shënohej ndonjë vendimmarrje e rëndësishme parlamentare për këtë vit. Pavarësisht presionit ndërkombëtar, mazhoranca dhe opozita nuk e gjetën gjuhën e konsensusit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, gjë që do të ashpërsojë edhe më shumë klimën parazgjedhore të vitit të ri.

“Partive ju është thënë në mënyrë të prerë, kush prej tyre del kundër reformës zgjedhore do të mbajë përgjegjësi për vendimin negativ në qershor. Jam i bindur se palët do ta gjejnë një urë kompromisi për të kaluar ca gjëra në Kod, të cilat i largojnë përgjegjësitë e tyre dhe krijojnë një klimë besimi, pavarësisht se kemi kaluar periudhën 6 mujore përpara zgjedhjeve. Edhe sikur  ta bëjnë në janar, edhe në shkurt, kjo ka vlerë edhe pse këto ndryshime nuk garantojnë standardet e kërkuara me ligj”,-Afrim Krasniqi, analist.

“Sigurisht që klima politike do jetë më e ashpërsuar dhe më e acaruar. Unë parashikoj një gjysmë të dytë dimri të vështirë për politikën shqiptare, shumë më të vështirë për qeverinë shqiptare, ndërsa pranvera do të jetë edhe më e vështirë ”,-Fitim Zekthi, analist.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Justice: 31/12/2018 19:09

    Moralisht xhafa duhet te dorhiqej prej vellait te tij,praktikisht goditjet e tij bandave te qeverise sollen shqetesim te madh brenda ps,po goditej mandati i ardhshem vetem,sic e kerkon i gjati. Sa per bashen e moniken,rama rri ne qeveri sa te kete jeten,me xhisiela e me babale nuk luftohet nje qeveri.ajo luftohet me bindjen per te sjelle dicka ndryshe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë