Politikanët e krimbur në korrupsion dhe mjeku i arrestuar për 200 Euro

Politikanët e krimbur në korrupsion dhe mjeku i arrestuar për 200 Euro

Momenti i arrestimit të mjekut, Fitim Marku

Mjeku Fitim Marku, kolegu i tij dhe një infermiere e Spitalit të Traumës në Tiranë, të cilët u merrnin pacientëve nga 200 Euro në këmbim të kryerjes së skanerit, nuk janë nder për mjekësinë shqiptare. Por më shumë se sa kjo, më e pandershme dhe më e turpshme është se politikanët e korruptuar në Shqipëri nuk po i gjen gjë prej gjeje. SPAK është përmbytur nga dosjet. Në prokuroritë e rretheve dosjet janë ding me denoncime, me fakte dhe me të dhëna, ndërkohë që perceptimi i korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri po ulet në nivelet përpara nisjes së reformës në drejtësi. Pavarësisht kësaj panorame, të premten mësuam nga policia se ka zbuluar një skemë korrupsioni në atë që ende ne e quajmë Spitali Ushtarak. Sigurisht këtu nuk ka vend të diskutojmë për të toleruar ata mjekë që vjedhin pacientët duke u marrë para nën dorë për një punë për të cilën shteti u jep rrogën. Por, drejtësia që pret shoqëria të vihet në këtë vend nuk është as kjo “goditje” me vlerën e 200 Eurove të një skaneri, e as ajo me një arkë peshk që iu kap një zëvendësministreje në korrik të vitit të kaluar.

Për një çast le të imagjinojmë që në vend të atij mjekut reanimator me uniformë jeshile të sapo dalë nga salla e skanimit dhe që iu vunë prangat nga dy policë me kapuçë të zinj në kokë të ishte një politikan, deputet, ministër apo drejtor i korruptuar. Të imagjinojmë se i infiltruari i policisë ta kishte kapur me presh në dorë këtë politikan apo drejtor me një thes me miliarda lekë që po e merrte në zyrën e shtetit apo në një ambient tjetër kudoqoftë pas realizimit të një tenderi. Le të imagjinojmë se një politikan apo drejtor kokorrosh dhe i krimbur me para korrupsioni të dilte nga zyra e tij me pranga në duar dhe të futej në makinën e policisë i filmuar nga kamerat “e rastësishme” ose jo dhe i gjithë ky spektakël të transmetohej nga të gjitha stacionet televizive, ndërsa kjo video në youtube do arrinte rekorde shikueshmërie. Le të imagjinojmë për një moment se ky politikan, ministër apo drejtor i korruptuar, deri në momentin e arrestimit njihej si njeri me peshë, me pushtet, që kishte marrë edhe vota, që tundej e shkundej nëpër studio si i përkëdhelur nga gazetarët. Që krekosej për idetë dhe konceptet e tij për demokracinë, për përpjekjet e qeverisë për anëtërësimin në BE, për luftën ndaj korrupsionit dhe me betejat e tij politike të ishte aq i sigurtë në ato që bënte dhe kishte bindjen se nuk i druhej askujt, as ligjit madje. Le të imagjinojmë se pikërisht ky kokorrosh i korruptuar dhe i sigurtë të zbulohej nga një aksion spektakolar i policisë se kishte marrë një thes me para. Ky po që do ishte arrestim. Ky po që do na bënte të mendonim se drejtësia e re ka nisur realisht punën. Ky po që do ishte triumf i ligjit ndaj këtyre bastardëve që vjedhin hapur dhe nuk çajnë fare kokë nga drejtësia e re se ia kanë gjetur anën. Çdo panoramë me mjekë dhe infermierë që vihen nën pranga me “metoda bashkëkohore” është thjesht fat i keq kujt i ka rënë lapsi. Korrupsioni dhe abuzimi në këtë vend nuk luftohet kurrë si ky rast. Afërmendsh, nuk e beson askush këtë “operacion spektakolar”. Pas disa ditësh edhe këta lloj peshqish 200 Eurosh do lirohen. Pas disa ditësh skaneri dhe të korruptuarit rreth tij sërish do tentojnë ti “pikojë” ndonjë gjë dhe paratë nën dorë do vazhdojnë traditën. Pas disa ditësh, ky lloj korrupsioni i vogël do “lëvizë” përsëri nëpër spitale dhe qendra shëndetësore. Po pse për këtë besuam ne të drejtësia e re me juristë të rinj dhe me rroga të reja? Jo dhe jo. Derisa prokurorët, gjykatësit dhe ekzekutorët e urdhrave të tyre, policët, nuk do arrestojnë megahajdutët e djeshëm dhe megahajdutët e sotëm, drejtësia do marrë damkën e dështuar. Është ironike, por së fundi në Tiranë qarkullon fraza e re ndaj drejtësisë së re: Çdo politikan i korruptuar “ushqen” me paratë e siguruara nga korrupsioni një prokuror apo gjykatës të korruptuar, i cili mund ti nevojitet një ditë.

Çfarë po ndodh me drejtësinë

Reforma në drejtësi ka hyrë në vitin e saj të shtatë dhe kam frikë se edhe entuziastët më të sëmurë në Shqipëri që ishin mbështetës të mëdhenj të saj kanë nisur të rrudhin buzët. Nëse bëjmë një bilanc me goditjet që ka bërë kjo drejtësi, sot mund të themi se politikanët dhe zyrtarët e lartë të korruptuar ajo nuk i ka lëvizur nga vendi. Nuk i ka hyrë gjemb në këmbë asnjë ish-ministri e as ndonjë ministri aktual që ka vjedhur dhe vjedh tendera dhe lëvrin miliona. Nuk i ka hyrë gjemb në këmbë asnjë ish-drejtori dhe asnjë drejtori aktual që për të vjedhur nuk ka frikë as drejtësinë dhe madje as ata që e kanë vënë në atë detyrë. Madje mund të themi se në mandatin e tretë të Partisë Socialiste, drejtorët kanë atë fuqi politike dhe ekonomike sa mund të quhet mandati i drejtorëve. Kemi gjashtë vjet që presim këtë goditje në politikë por deri tani përjashto Lefter Kokën dhe ndonjë deputet pa ndonjë peshë specifike, asnjë prej trye nuk është arrestuar. Po si ka mundësi që tashmë me benefite të mëdha, me rroga më shumë zero dhe më mbështetje nga të gjitha drejtimet, prokurorët dhe gjykatësit e drejtësisë së re mburren ende me arrestimin e cironkave? Si ka mundësi që masa e njerzve pret që drejtësia e re të godasë pa mëshirë të korruptuarit dhe ata që kanë abuzuar hapur me paratë e shtetit dhe në fakt gëzohet me arrestimin e një mjeku, dhe shoqërimin në qeli të një tjetri bashkë me infermieren? Si ka mundësi që një agjent policie arrin të inflitrohet si pacient dhe arrin të arrestojë live mjekun anestezist për 200 Euro dhe nuk infiltrohet mes ministrave dhe drejtorëve që bëjnë namin me tendera dhe me abuzime duke i grabitur shtetit Euro me gjashtë zero? Si ka mundësi që qenka kaq e lehtë profesionalisht të arrestojnë një të pafuqishëm dhe pa mbështetje politike dhe qenka shumë e vështirë të arrestojnë një të fuqishëm në politikë që vjedh hapur fare paratë e shtetit? Si ka mundësi që nuk e gjen asgjë nga kjo drejtësi një drejtor që lë detyrën në sektorin privat me një rrogë disa milionë lekë për një rrogë modeste në shtet?

Këto janë pyetje retorike që e kanë përgjigjen nga pas. Prokurorët dhe gjykatësit vijojnë të kenë frikë të godasin politikanët e korruptuar. Prokurorët dhe gjykatësit kanë frikë të godasin drejtorët e korruptuar. Prokuroët dhe gjykatësit kën frikë të godasin tentakulat e krimit të organizuar. Prokurorët dhe gjykatësit kanë frikë të godasin trafikantët e drogës të lidhur me fijet e karteleve të Amerikës Latine. Logjikisht, i bie që janë të kapur.

Pas kësaj panorame, a e imagjinojmë dot që policia, në bashkëpunim me prokurorinë dhe gjykatën të kishte infiltruar agjentët e saj në një rrjet droge dhe falë këtij infiltrimi të zbulonte edhe arrestonte një grup mafioz që kishte synime që me paratë të investonte në Shqipëri në ndërtim, turizëm dhe media? Krimi bëhet edhe më i rëndë, kur një pjesë e këtyre parave investohen për të kapur prokurorët dhe gjykatësit e drejtësisë së re.

Kjo do ishte vërtetë një mburrje e bukur dhe e denjë për drejtësinë. Por me arrestimin live të një mjeku në ambientet e një spitali nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë çimentuar konkluzionin se edhe drejtësia e re arreston për një pagesë skaneri dhe një arkë me peshk. Peshqit e mëdhenj ende notojnë në dete dhe oqeane korrupsioni. Atje kjo drejtësi nuk penetron dhe nuk infiltrohet dot. Ndoshta duhen polumbarë të aftë dhe pajisje të një cilësie shumë të lartë. Deri sa të arrihet deri atje, drejtësia e re do të vijojë me arrestime ndaj të veckëlve. Përballë tyre qëndrojnë politikanët dhe drejtorët e korruptuar. Beteja duket e humbur.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 26/09/2022 12:13

    s eshte veshtire te kapesh te korruptuarrit, SPAKU te shohi si jetojne, si vishen, ku hane , sa here udhetojne, parate qe harxhojne , vete ministrat apo drejtoret e korruptuar, femijet e tyre, ku studjojne , cfare jete bejne ne shqiperi apo jashte, cfare makinash kane, vilat , shtepite e pushimit... shkurt nuk ka asnje veshtiresi por nuk duan se jane e kane kapur edhe drejtesine e re. Shpresa vdes e fundit, por une nuk kam me shprese. Ish kryeministri i Sllovenise u pikas vetem nha ora e shtrenjte qe mbante dhe u hetua dhe u denua per korrupsion.

    Përgjigju
  • kavajsi: 26/09/2022 11:15

    Po tI o MJEKU ku ben pjese tek burrat apo grate?

    Përgjigju
  • Tini: 26/09/2022 11:03

    Shume i goditur shkrimi qe ke ber Landi, por edhe ti i friksuar pak, si prokuroret dhe gjykateskt, deri tek ministri shkove se ata jane shume, nuk u ngjite me larg tek shefat e tyre sa ata jane 2-3!

    Përgjigju
  • MJEKU: 26/09/2022 11:01

    te RRASET brenda dhe gjithe mjeket e tjere. Bluza te Bardha e zemren sterr te zeze. Paguajm taksat oer Shendetesi Falas. E aty Pa lek as uje ste japin, Mos te them e kthejn personale dhe te trajtojn si Armik I Popullit. Pitikanet, hahahahahha. Perderisa I pranoni, kur tja u fusin ne B, Juve “Burrave” qe keni shpetu dmth , se Grave, Motrave dhe vajzave normale per vende Pune dhe favore ja u kan respektu, deri ne detaj.

    Përgjigju
  • Emigranti i zhgenjyer nga SPAKU i KRAJES=Llalles: 26/09/2022 10:14

    Rezultati i reformes ne drejtesi eshte pak i cuditshem.Eshte, me llogarine time : Reforma ne Drejtesi 0 - Arben Kraja 5 (0-5).Ne kete mes nuk shtrohet ceshtja midis reformes ne drejtesi dhe krimit te organizuar.Kjo ceshtje nuk ekziston.SPAKU nuk ka kete qellim si organ,sepse drejtimi e qellimi i Krajes nuk eshte pastirimi i mafjes se lidhur me politikanet e korruptur.Qellimi i tij eshte te lere jashte rrezes se veprimit te Spakut te boseve te krimit e te korrupsionit,politikanet malinje me ne krye Meten e Berishen.Dhe ne kete drejtim ai ja ka arritur me sukses te tallet dhe me ne dhe me Ameriknet.Ndaj rezultati eshte 0-5.Se po te shtrohej ceshtja SPAK- Krim i organizuar rezultati do te ishte si puna e zerove qe permendte spiuni Met-aj ne TV qe i shtoheshin numurit 1 pa hesap...! dhe SPAKU do te dilte shume me keq se kaq!

    Përgjigju
  • kaltra: 26/09/2022 10:08

    Nuk e kuptoj këtë shkrim ...200 Euro i duken pak këtij zotërie ...duhen shifra më të majme që të quhet korrupsion. Po jo mor zotëri ...200 Euro për këtë popull të varfër janë shumë.Nuk e diskutoj që polotikanë e qeveritarë këto i kanë "pare xhepi" ata luajnë me miliona euro.Në burg duhet të shkojnë të gjithë si me 200 si me 2 milion ....Fatkeqësia jonë është se burgjet janë mbushur me xhepista e hallexhinj që skanë bukë të hanë kurse të korruptuarit bredhin me paret tona.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Arratisja e madhe në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990, Në 'Esencë' Bujar Aliko! Sot ora 21:00 në Report Tv

Arratisja e madhe në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990, Në 'Esencë' Bujar Aliko! Sot ora 21:00 në Report Tv