Aventura demokratike e politikës shqiptare nuk mund të themi se ka pasë sukses. Mbas 20 vitesh tranzicion dhe mbas 100 vitesh Pamvarsi vijojmë me pasë institucione të dobta e ajo që asht edhe ma e randësishme: gjuha institucionale ka mbetë në stadin e atyne njerzve që jetonin në shpella dhe silleshin pyjeve e ledinave me hunj në dorë në kërkim të çfarëdolloj gjaje për me përtypë. Në dy dekadat e fundit ndoshta ma bindësja prej të gjithave ka qenë gjuha e kallashnikovit, e cila ka ba që Europa të na shikojë me vemendje, ashtu siç shihet nji shtasë e plagosun që asht zanë në çark.

Diçka thellësisht barbare shtegton në rradhët e politikës sonë e si rrjedhim në rradhët tona, diçka shkatrrimtare që urren Shqipninë. E kjo urrejtje shkon prej fazës së pavetëdijshme të parazitit tek vetëdija e plotë e atyne që janë të lidhun ngusht me teorinë e “tokës së djegun”.

Ndoshta nji pamje të ngjashme kishte parasysh Gjergj Fishta kur para 90 vjetësh shkruente te Gomari i Babatasit tue iu drejtue Shqipnisë, këto rreshta që këtu po i perifrazojmë për kollajsi:
Në kurriz tand po pjekin patën, edhe në mjaltë po e mbajnë spatën, tue ju ngërdheshë nipave të Kastriotit, këndojnë atë kangën si nji herë motit: të shkojmë e të hamë voe (vezë) të fërgueme, te ajo ndrikulla e hutueme. E kjo ndrikulla e pamend, ti Shqipní je, të them përnjimend.

Dimensioni prekulturor i politikës shqiptare ka të bajnë me vetë tipin e politikanit. Pa pasë nevojë me shqetsue Max Weber-in a ndonji tjetër, për me kuptue teorinë e tipit të politikanit prekulturor mjafton me u ndërgjegjsue për disa cilësina të tijat të dukshme. Edhe pse gjithçka tek ai asht e dukshme, përfshi këtu edhe dhelpninë kafshërore dhe dhunën instinktive.

Politikani prekulturor asht nji gjitar me shqisa të mprehta që herë mbas herë len me kuptue se asht mbajtës edhe i nji intelekti që ndodhet tek ai në gjendjen e nji larve që s’ka për të mbërrijtë kurrë me e ba metamorfozën e plotë dhe me marrë formën finale. Ai asht gjithnji i unshën e kjo gja e ban agresiv.

Madje, tue qenë i pasigurt, ndihet i unshëm edhe kur asht fâ e prap sillet agresivisht. Nuk ka asnji lloj shtyset kah e vërteta, nuk e njeh të bukurën por vetëm masën dhe volumin. Mbrenda tij nuk ka asnji vizion të botës. Për të toka mund të ishte krejt kollaj e sheshtë, sferike apo katrore, interesat e tija mbarojnë aty ku mbaron organi ma i zhvilluem që ka: lëkura.

Kjo gja edhe falë volumit që i rritet dita me ditën; ky asht qëllimi i vetëm që ka, pse jeton me frikën se mos diçka e papritun mund ta fshijë prej faqes së tokës.

Zakonisht politikani prekulturor ka zhvillue pjesën ma të madhe të aseteve vetjake në moshë tepër të rritun. S’e kam fjalën për takimin e tij rastësor me pirunin, faceletën, ujin e ngrohtë dhe sapunin, por me mungesën e theksueme të familjaritet me idenën e nderit personal, të respektit për gjanë e tjetrit, të respektit për ata që e mendojnë ndryshe prej tij (edhe pse “me mendue ndryshe prej tij” mjafton thjesht me mendue diçka).

Ka nji dhimbje të thellë në gjithë ketë. E dhimbja ka lidhje me faktin se njeriu mbrenda vetes mbart krejt historinë e species së vet dhe se shumë shpesh për individë të caktuem, edhe pse evolucioni i ka hjedhë përpara si cingla, niveli i tyne real asht ai i ditëve të para të kalimit prej hominidëve tek homo sapiens.

Prandaj vijojmë me i ndie si të huej mes nesh dhe revoltohemi, gjuha e tyne e vrazhdë, rrena e ngritun në kult, pabesia, pangopësia, hijet vrastare që ua turbullojnë masën e hirtë me arkitekturë primitive, bajnë që ata, edhe pse pamjen e jashtme e kanë gadi njerzore, të jenë ma të denjë me ndejtë në kope me austrolopitekë e me pitekantropë, sesa me njerëz në gjinin e nji shoqnije civile që mton me ndërtue nji kulturë.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)