Tre ditë nga turi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Poloni, një sondazh i publikuar sot parashikon fitoren e konservatorit Andrzej Duda, i cili ka marrë 48 për qind të votave duke kryesuar ndaj presidentit në ikje Bronislaw Komorowski, i cili u kreditua me 44 për qind.
Sipas këtij sondazhi të realizuar nga 14 maji deri më 20 maj nga instituti CBOS me 1 048 persona, pesë për qind e zgjedhësve u shprehën të pavendosur për të marrë pjesë në votim.
Megjithatë, një tjetër sondazh i realizuar më 18 maj nga instituti Millward Brown dhe publikuar të martën ka dhënë një tendencë ndryshe, 47 për qind të votave për Komorowskin dhe 44 për qind për Duda.
Në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 10 maj, Andrzej Duda, 43 vjeç, kandidat i partisë konservatore populiste të opozitës Ligj dhe Drejtësi (PiS), krijoi një të papritur duke kryesuar ndaj presidentit, Komorowski, 62 vjeç.
Duda mori 34,76 për qind të votave kundër 33,77 prë qind për Komorowskin, në postin e presidentit që prej vitit 2010 me mbështetjen e partisë qeveritare të qendrës së djathtë Plateforma Qytetare /atsh/