Një librari ndryshe ka hapur dyert në zemër të kryeqytetit. “Pop-up Librari” është një nismë që synon ta afrojë librin me publikun, veçanërisht me të rinjtë, duke e nxjerrë atë nga format klasike dhe duke e vendosur në hapësira të përditshme, aty ku njerëzit mblidhen, punojnë dhe komunikojnë.
“Toena për 33 vjet ka ecur krah lexuesit me botime nga autorë të ndryshëm nga e gjithë bota, me mijëra tituj deri më sot. Por një gjë mungonte: libri të ishte fizikisht afër lexuesit. Kjo ka qenë një ëndërr prej shumë vitesh dhe kështu lindi ideja për të ndërthurur të vjetrën me të renë, një librari pop-up pranë një kafeje shumë të frekuentuar nga të rinjtë.”, thotë Laerta Toçi, ideatore e nismës.
Ky ambient nuk është zgjedhur rastësisht, por si një nga hapësirat më të frekuentuara nga të rinjtë, ku kafeja, puna në laptop dhe socializimi ndërthuren natyrshëm me njëra-tjetrën.
“Kuptova se ekziston ende dashuria për librin te të rinjtë. Kjo librari e përkohshme është vetëm një pikënisje e një rrugëtimi të ri për Toenën, me shpresën që një ditë të kthehet në një librari të përhershme.”, vijon ajo.
Në “Pop-up Librari” janë ekspozuar jo vetëm tituj të rinj, por edhe libra të botuar që në fillim të viteve ’90, duke i rikthyer në vëmendje lexuesit dhe duke dëshmuar se libri nuk e humbet kurrë vlerën e tij.
“Është shumë bukur të mblidhemi rreth librit jo vetëm një herë në vit si në panairin e librit. Ky aktivitet është menduar kryesisht për të rinjtë, për ata që duan ta prekin librin, ta shfletojnë, të ulen me të dhe të vendosin me qetësi nëse do ta marrin.”, thotë botuesja Irena Toçi.
Puna e përditshme në librari do të shoqërohet me takime me autorë, biseda letrare dhe aktivitete kulturore, duke e kthyer hapësirën në një pikë takimi mes librit dhe lexuesit.
“Kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme, sepse sot lexuesi e ka gjithnjë e më të vështirë t’i afrohet librit. Kur lexuesi nuk shkon te libri, duhet ta çojmë librin te lexuesi. Takimet me autorë, siç është ai me Fatos Kongolin dhe autorë të tjerë, e nxisin leximin dhe i bëjnë nder librit.”, thotë shkrimtar Namik Dokle.
Nisma është përqafuar edhe nga vetë lexuesit dhe profesionistët e librit, të cilët e shohin këtë format si një mundësi të re komunikimi dhe afrimi me publikun.
“Jam kliente e përhershme këtu dhe sapo pashë librat u ndala menjëherë. Më pëlqeu shumë ideja dhe mora librin tim të preferuar.”, thotë lexuesja Alda Kuqi.
“Kjo librari e përkohshme është një pikë takimi shumë interesante jo vetëm për përkthyesit dhe shkrimtarët, por edhe për lexuesit që kërkojnë tituj klasikë apo libra që nuk gjenden lehtë online.”, thotë përkthyesja Maniela Sota.
Në një qytet ku libraritë janë të pakta, iniciativa të tilla shihen si ura të reja komunikimi mes librit, autorit dhe lexuesit.
“Çdo hapësirë që i jep vend librit është më shumë se e përgëzueshme. Pa librari dhe biblioteka, zinxhiri mes shkrimtarit dhe lexuesit këputet.”, thotë shkrimtarja Rovena Rrozhani.
“Pop-up Librari” synon të jetë më shumë sesa një ndalesë e përkohshme. Ajo është një përpjekje për ta rikthyer librin në jetën e përditshme, aty ku lindin bisedat, idetë dhe lidhja mes brezave të rinj dhe leximit.
Komente








